Please enter at least 3 characters.

Shou parlamentar 2013

2016/01/shou-parlamentar-2013_hd.jpg

Deputetët nuk janë gjithmonë seriozë. Në raste të caktuara dinë të jenë edhe komikë. Me ua prish kush bëhen edhe nervozë. Deri në grushte nuk shkojnë, por për të kërcënuar- kërcënojnë. E ky vit ka qenë i mbushur me plot këso situatash. Veç në kohën e Haxhi Zylfi Merxhës, mund të ketë pasur shou më të madh në Kuvend. Pothuajse pas çdo seance ata kanë qenë në qendër të vëmendjes nga mediat për veprimet e tyre të cilat shumë herë kanë bërë për të qeshur, por shumë herë kanë kaluar me tensione. “Kalimi i Jakup Krasniqit në LDK” për një moment pati shtangur deputetët. E Ganimete Musliu, nënshkruante prezencën në seancë pa qëndruar fare në të. Adem Grabovcit i duhej të kërkonte deputetë nëpër ambientet e Kuvendit, ndërsa Eqrem Kryeziu fliste për Ipadin e tij. Liburn Aliu nuk e pati lehtë kur iu drejtua një këpucë me taka drejt në fytyrë, ashtu sikur nuk e pati lehtë as kryeministri Thaçi, kur Vetëvendosja ia zinte frymën me pankarta. Kush mund ta relaksonte atmosferën në Kuvend, pos cicërimat e zogjve të malit të cilat i sillte Halit Krasniqi. Kuvendi dinte të kthehej edhe ne senat italian, kur lëshohej “pronto” në altoparlant.

Kalimi i Jakup Krasniqit në LDK!

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i cili njihet për batutat e tij të shpeshta gjatë seancave parlamentare, kishte shtangur deputetët kur në një nga mbledhjet e Kuvendit lexoi një letër që fliste për kalim në Lidhjen Demokratike të Kosovës. “Prej sot unë aktivitetet e mia si deputet i zhvilloj në radhët e deputetëve të LDK-së”, kanë qenë fjalët që lexoi kryetari i Kuvendit. Menjëherë pas kësaj vërshuan brohoritjet dhe duartrokitjet nga deputetët e LDK-së, por Krasniqi u përkujdes që shpejt t’iu bëjë me dije atyre se e kanë keqkuptuar qëllimin e letrës. ”Në grupin e deputetëve të LDK–së kalon Muhamet Mustafa dhe unë vetëm e lexova njoftimin tij”, ka thënë Krasniqi.

Nënshkrimi i Ganimete Musliut, dhe "mashtrimi" për mëditje

Të gjithëve u kujtohet veprimi i deputetes së PDK-së Ganimete Musliu, e cila gjatë një seance të muajit tetor u zu nga kamerat se si ajo nënshkruante prezencën e saj në një mbledhje plenare në Kuvend, pa qenë fare aty. Në këtë mënyrë me anë të këtij nënshkrimi ajo pretendonte se ka siguruar mëditjen për muajin paraprak, ndërsa krejt këtë e ka bërë kur seanca vetëm sa kishte përfunduar. Në ato pamje të transmetuara në media shihej se si deputetja Musliu hyn në sallën e Kuvendit në momentin kur të gjithë kolegët e saj po dilnin nga aty pasi kishte përfunduar seanca. Ajo më pas i drejtohet njërës nga zyrtaret e administratës ku ia kërkon listën e nënshkrimeve, kur ajo thotë se nuk i ka, deputetja Musliu shkon te pjesa tjetër e sallës së Kuvendit, aty gjen listën nënshkruan dhe sërish del jashtë. Por pavarësisht nënshkrimit, administrata e Kuvendit pjesën e mëditjes prej 120 eurove për deputeten në fjalë nuk e kishte lejuar. “Për deputeten Musliu ju konfirmoj se nuk është në listën e pagesave të mëditjeve për pjesëmarrje në seancë”, ka thënë sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Ndërkohë, vetë deputetja në fjalë i kishte mohuar gjitha raportimet duke thënë se nuk ishte nënshkruar për mëditje. Ajo ka thënë se seanca e 2 tetorit ka zgjatur vetëm 17 minuta e 40 sekonda dhe nuk ka arritur të jetë prezente për shkak se ishte në mbledhje me disa të rinj si kryetare e Grupit Joformal të të Rinjve.

Shefi i shefave në kërkim të kuorumit

Koalicioni qeverisës gjatë vitit që po e lëmë pas shumë herë është përballur me mungesë të numrave në Kuvend. Natyrisht situata të tilla e të sikletshme për pushtetin kemi parë në shumë raste, ndërsa barrën kryesore për t’i sjellë në sallë deputetët e ka pasur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. I njohur si "shefi i shefave", nga skandali i përgjimeve, Grabovci në shumë raste i thërriste në telefon, madje i kërkonte edhe nëpër ambientet të Kuvendit kolegët e tij. Por ai ishte në siklet të madh se pavarësisht përpjekjeve, shumë herë nuk arrinte t’i bindte ata që të qëndronin në sallë. Më 12 shtator kur po diskutohej pika më e nxehtë, shitja e PTK-së, situata u komplikua pasi mungonin deputetët. Grabovci u kujdes që për këtë situatë ta njoftoj ë shefin Hashim Thaçi. E ky i fundit, i jep izën që të vazhdojë me kërkesën e tij pavarësisht mungesës së numrave. Pikërisht shitja e PTK-së e la të bllokuar punën e Kuvendit për gati dy muaj si pasojë e bojkotimit të seancave si nga opozita por edhe pozita.

Ymeri-Grabovcit: Të besoj vetëm kur flet italisht

Skandali i përgjimeve ku dëgjohet tek flasin kryeministri Hashimi Thaçi dhe deputeti Adem Grabovci, shpesh ka qenë edhe temë diskutimi nga deputetët e Kuvendit gjatë fjalimeve të tyre në seanca. Ata që më shpesh ia përkujtonin këtë aferë atij dhe kryeministrin ishin deputetët e Vetëvendosjes. Ata madje në disa raste përdornin edhe altoparlantë brenda sallës së Kuvendit duke lëshuar pjesë nga përgjimi. Por jo vetëm kaq, deputetët e Vetëvendosje ironizonin me Grabovcin madje duke i thënë se atë e kuptojnë vetëm kur flet italisht, duke aluduar në fjalët që Grabovci ka përmendur gjatë bisedës me Thaçin. "Ti vetëm kur flet italisht je i vërteti, në raste të tjera nuk të besoj", i kishte thënë deputeti Visar Ymeri, Grabovcit.

Si i intereson seanca, përqendrimi në telefon

Se deputetëve nuk u intereson çka flasin kolegët e tyre gjatë seancës, këtë e kemi parë në shumë raste. Por ai që është zënë “mat”, është deputeti i Partisë Liberale Serbe, Sasha Milesavleviq i cili as që dëgjonte se çka po debatohej në Kuvend, duke u koncentruar te telefoni i tij. Pavarësisht se aty diskutohej Ligjit për Amnisti, për të më prioritet ishte shfletimi i fotografive dhe Facebooku në telefon. Ai madje së bashku me kolegen e tij partiake shikonin fotografi, ndërsa në momentin kur u vërejtën se po xhirohen nga kamerat , telefonat u fikën dhe krijuan përshtypjen kinse po dëgjonin se çka po thuhej në seancë.

Eqa dhe IPAD-i i tij!

Njihet si person që nuk ia prish qejfin vetes. Dhe ndoshta me të drejtë mund të thuhet kështu. Bëhet fjalë për deputetin e LDK-së, Eqrem Kryeziu, të cilit assesi në seancat plenare nuk mund t’i mungojë Ipad-i dhe dëgjueset në vesh. Dëgjueset nga veshi në shumë raste ai nuk i heq edhe kur bën ndonjë pauzë apo edhe kur del për ta ndezur një cigare. Bile në disa raste edhe brenda sallës ku mbahet mbledhja, i mban ato. Kryeziu edhe vetë e ka pranuar se është përdorues i rregullt i kësaj pajisjeje të njohur teknologjike, saqë ka thënë se kohët e fundit nuk mund të rrijë pa të.

Liburni mban fjalim, Lladrovci i flet në vesh Konjufcës

Mbase një nga pamjet më interesante që janë parë gjatë këtij viti në Kuvend, është edhe momenti kur derisa fliste deputetit i Vetëvendosjes, Liburn Aliu për Ligjin për Amnisti, kolegu tij nga PDK, Ramiz Lladrovci pas disa përpjekjeve arrin që t’i thotë diçka në vësh deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Dhe krejt kjo, pasi ky i fundit paraprakisht kishte injoruar fjalët e tij. As njëri e as tjetri më pas nuk kanë pranuar të flasin e të tregojnë për çka biseduan. Lladrovci ka thënë se nuk ka çka u intereson se për çka kanë folur ata të dy pasi, siç ka thënë ai, ka respekt për Konjfucën dhe asgjë të keqe s’ka. Sidoqoftë në fund të kësaj bisede deputeti Lladrovci u përkujdes që me një “shuplak” ledhatuese mbrapa qafës ta përshëndesë kolegun e tij Konjufca.

Deputetja Musliu “kërcënon” me këpucë kolegun Liburn Aliu

Duket se veprimet e deputetes së PDK-së Ganimete Musliu, gjatë vitit 2013 do të lënë gjurmë. Pasi u zu duke u nënshkruar në listën e mëditjeve në seancë, ajo në një nga seancat tjera të mëhershme ka bërë edhe një veprim më të guximshëm. Derisa po fliste deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ajo dhe kolegët e saj nga Grupi Parlamentar po i mëshonin tavolinës për të bërë zhurmë në mënyrë që të mos dëgjohej se çka po fliste Aliu. Kur e pa se Aliu, pavarësisht zhurmës nuk po ndalet, ajo u qua në këmbë, hoqi këpucën dhe e drejtoi kah foltorja. Por për një moment iu kujtua se ka mbrapa kamerat dhe u zmbraps, duke futur sërish këpucën në këmbën e saj.

Haliti udhëheq seancën, s’e ka idenë se për çka po votohet

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët PDK-së, Xhavit Haliti, njihet si njeri i qetë por kur kolegët e tij i vijnë në majë të hundës ai sjelljet e tij i ka të pakontrolluara. Një moment i tillë ka ndodhur në seancën e 13 qershorit derisa ai kryesonte seancën. Pritej të votohej për një çështje, po për çka s’e kishte idenë as ai vetë. “Atëherë e qesim në votim, nëse nuk votohet s’di as vetë çka do të votojmë. Kur ai propozuesi nuk di çka me votu, ku me ditë unë. Ai lyp me votu e s’po din çka”. Momente të tilla nervozizmi te Haliti janë parë shpeshherë derisa ai kryesonte seancën. Në një moment kishte harruar ndezur mikrofonin dhe pyeste administratën: ”S’e di kush ju ka thanë e pse i keni shti këto në rend dite”. Por momenti më i freskët i debateve të Halitit në Kuvend ishte seanca e dhjetorit kur nuk i dha fjalën deputetit Armend Zemaj. “Nuk dua me ta dhanë fjalën se nuk ki drejt me fol tash. Çfarë rregulloreje?!”, ka thënë Haliti. Por më pas ai e korrigjoi veten duke kërkuar falje pasi Zemaj sqaroi se fjalën e kërkonte për ta bërë të ditur votën e tij për një çështje të rendit të ditës që në ato momente ishte në votim.

Neziraj: Qeveria e ka hallin e arushave

Se ministrat nuk janë të rregullt në mbledhje plenare të Kuvendi, kjo pothuajse ndodh në çdo seancë, por që të mos jetë asnjë prej tyre nuk është se ka ndodhur në shumë raste. Në seancën e 7 qershorit, derisa po debatohej për një strategji për komitetin romë, ashkali dhe egjiptian deputeti Xhevdet Neziraj ka deklaruar se nuk ka kujt t’i flasë pasi asnjë nga ministrat nuk ishte prezent në sallë. Ai i nervozuar me këtë gjendje ka thënë Qeveria i ka hallet tek arushat.“E kam thënë edhe herën e kaluar e po e them edhe tash. Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi e ka zgjidhur çështjen e vendbanimit për arushat se paskan qenë në gjendje të keqe, ndërsa neve nuk ka ardhur fare te na dëgjojë”.

Deputetja Selmani merr çmimoren e produkteve në seancë!

Duket se seancat e tejzgjatura bëhen edhe monotone, aq sa deputetët gjatë asaj kohe përkujdesen që paraprakisht të merren edhe me gjëra tjera. Ajo që bie më shumë në sy është përdorimi i celularëve apo tabletave të ndryshëm, por kjo nuk vlen për rastin e deputetes së AKR-së, Myzejene Selmani, e cila nuk dëgjonte kolegun e saj Ramiz Lladrovci derisa fliste për situatën në Preshevë. Ajo ishte përqendruar në një çmimore të produkteve ushqimore dhe shihte se sa zbritje kanë ato. Kamerat e gazetarëve e kishin xhiruar tërë situatën derisa deputetes në fjalë i asiston edhe kolegu Ukë Rugova. Por kur Selmanaj doli në foltoren ishin deputetët tjerë ata që e injoruan fjalimin e saj, madje në këtë mes hyri edhe kryeministri Hashim Thaçi i cili ia futi muhabet me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Kur Thaçi i quan deputetët, bilbila

Në fillim të vitit 2013, kur kryeministri Hashim Thaçi kishte nisur raportimet e rregullta për takimin e tij me Daçiqin në Bruksel dhe shumë herë është dashur t’i ndërpresë ato pasi deputetët e Vetëvendosjes, qoftë përmes pankartave apo edhe altoparlantëve i lëshonin përgjimet e publikuara të aferës “Pronto”. Por në disa nga seancat e ardhshme, Thaçi u përkujdes që ta përçojë porosinë e tij për veprimet e tyre. “Besoj që sot zonjat dhe zotërinjtë e Vetëvendosjes nuk kanë marrë ndonjë pankartë, megafon a bilbil megjithëse krejt jon bo bilbila”. Përdorimi i pankartave gjatë seancave nga Vetëvendosje ka vazhduar edhe në disa mbledhje tjera. Ka pasur raste kur edhe qëndronin aty për dy orë në këmbë duke i mbajtur ato, por ishte dikush që kujdesej edhe për lodhjen e tyre. Deputeti Ramiz Lladrovci, u ofronte pak pushim e ujë të pijshëm kolegëve të tij nga VV, por ata refuzonin ujin e tij. Ai më pas kishte sqaruar se akti i tij ka qenë human pasi siç ka thënë, deputetët me pankarta në duar dukeshin të lodhur nga qëndrimi në këmbë.

Grabovci, deputetëve: Mos u çaraveshni se po jauuu...

Ishte fillimi i viti të ri 2013, konkretisht janari, teksa kishin nisur debatet e nxehta për çështje të dialogut e diskutime tjera me rëndësi në vend. Në seancën e 25 janarit duket se diçka nuk shkoi në rregull për koalicionin qeverisës pasi dy mocionet e saj u rrëzuan në mungesë të votave, Grabovci i nervozuar me këto veprime kërkonte rivotime, por kryesuesi i seancës Xhavit Haliti refuzonte kërkesën e bashkëpartiakut. Këtu e humb edhe kontrollin Grabovci. “Kryesues ju lutem kontrolloni tekniken se nuk ka funksionuar. Prandaj kontrollone! E ju deputetë mos u çaraveshni pa lidhje se po jauuu....”. Por pas seancës Grabovci nuk e pranonte sa ka ofenduar kolegët por ai kishte shpjeguar se ka qenë paksa në tension për shkak të situatës së krijuar në ato momente.

Zogjte e Halit Krasniqit

E kur tensionet ngriteshin, askush më mirë nuk mund ta relaksonte atmosfferën pos zogjve të malit, të cilët i “sillte” në Kuvend me një “puhizë freskie”, Halit Krasniqi. Fjalimi i tij rreth 15 pikave të marrëveshjes Thaçi-Daçiq, do të mbahet mend gjatë. Për pak orë, citate të atij fjalimi u shpërndanë gjithandej nëpër rrjete sociale. “Jam koncentruar nga shumë këndvështrime t'i analizojë 15 pikat e marrëveshjes veç e veç, duke u motivuar nga të gjitha dyshimet e njohura për publikun dhe nga dyshime të pa njohura për publikun. Një puhizë freskie më ka sjellë fakti relevant që është ruajtur autoriteti kushtetues dhe zbatimi i ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Raportet tona me Serbinë dhe raportet e qytetërimit euroatlantik, pas 12 qershorit 1999, është dashur të ndërtohen në një realitet tjetër dhe në një koncept tjetër krejt logjik.....
Duke tërhequr edhe emra e familje me kontribute e respekt në të kaluarën. Pavarësisht që edhe zogjtë e malit po t'i pyesja se cila gjuhë dëgjohet në këto hapësira, do të përgjigjeshin saktë. Gjithashtu edhe zogjtë në eter duke fluturuar, po t'i pyesje se çfarë imazhi ka ky vend, edhe ata do të thonë: nuk po shohim plisa të bardhë dhe tirq e jelek e as gjyrdi, por këta njerëz shumica shqip po flasin dhe shqiptarçe po jetojnë dhe të tjerë që nuk janë të kërcënuar asnjëherë dhe flasin si të duan dhe jetojnë sipas dëshirës së tyre, pa i ngacmuar njeri”, pati thënë Krasniqi. /Tribuna/