Serbi Aco - parodia dhe tragjedia
Burimi: N1
Përkthimi: Telegrafi.com
Asnjë nga krijesat që ishin ulur pranë tij nuk foli. Ishte një monodramë e përbërë nga nervat e këputura dhe nga një strukturë e shkatërruar morale. Shteti disi po bën pauzë në terrorin mbi njerëzit, turma policore po pushon nga rrahjet dhe arrestimet. Por, për disa ditë - 3, 4 apo 7 - shteti do të dalë me gjithë forcën që ka në rrugë dhe do t’i shkatërrojë njerëzit. Po kërkohen forca të reja, të mbushura me energji dhe armë të reja kundër kockave dhe indeve të buta.
A nuk ju duket se ka plasur diçka edhe më e rrezikshme te folësi dhe në të folur? Këtë e dimë me siguri, por çarjet e reja dhe humnerat e pafund gjithnjë na befasojnë, sado që të jenë të pritshme.
Shteti, nëse ende quhet kështu ajo që ka mbetur prej tij, tashmë ka nxjerrë në rrugë gjithçka që ka. Ndoshta edhe më shumë se kaq. A nuk është shteti grumbulli i plehrave nga qyteti i pëlhurës, gjithë kaosi dhe krimet që për ditë të tëra i kryen një polici e huaj dhe një bandë e maskuar me uniformat e saj? Rojtarët e kaosit rrahin pa mëshirë, kryesisht të pafuqishmit dhe ata që nuk kundërshtojnë. Egërsia e policisë krijon ndarje në ndjenjat e qytetarëve. A është kjo ende toka e tyre, apo ajo është përfundimisht e pushtuar nga maskarada dhe armiqtë e maskuar që hedhin helme luftarake dhe thyejnë kockat e vajzave dhe djemve në rrugët e qyteteve tona?
A është kjo Serbia, një vend i lirë ku përbindëshat policorë kërcënojnë me përdhunim, apo në gardën SS, në garazhet e qeverisë së Macutit njerëzit e pafajshëm mbahen në pozicion të padenjë për torturë? Mungonin vetëm deltarët e stërvitur gjermanë dhe ekzekutimet e shpejta.
Shteti është ai dezertori i vetëm i njerëzimit, ai që diti të shpërndajë gjithë të keqen që ka në vete nëpër sektorët e torturës ndaj studentëve dhe qytetarëve. Dhe, ende i ka mbetur mjaft vrer për ta spërkatur mbi të gjithë ata që nuk kanë më ku të ikin. Duket se sasia e këtij sekrecioni është e pakufishme. Dhe, ne jetojmë me këmbëngulje në një vend tërësisht të ndotur.
Ndoshta tani nevojitet një përkufizim sipërfaqësor i protestës dhe rezistencës, të paktën për qëllimet e këtij teksti. Kryengritja është shkaktuar nga dhuna e hapur, e gjatë dhe e qëndrueshme mbi jetën në Serbi, krahas mbrojtjes së saj përmes terrorit të të gjithë kriminelëve që e kryejnë atë. Kryengritja kundër regjimit që keqtrajton qytetarët dhe rrezikon ekzistencën e tyre - dhe ai keqtrajtim nuk ndalet - është plotësisht legjitime.
Kështu u gjendëm si shoqëri në një udhë pa dalje, rezultati i së cilës është sigurisht dhuna. Nuk mjafton arsyeja e vetëm njërës palë. Gjithçka të çon drejt një përfundimi që nuk është i mirë. Në pritje të epilogut, më së paku shpresë ka në komunikimin me arsyen e Serbit Aco. Një nofkë e tillë përndryshe është përkufizim i absurdit dhe një parodi publike servilizmi, sepse askush ende nuk e ka zbuluar se kush dhe çfarë është kjo krijesë e pakuptimtë dhe cilat forca kontradiktore po
lëvizin përmes tij. Ajka servile para pak ditësh sërish i dha një brohoritje të vakët - Serbi Aco! Kështu përpiqen të mbulojnë pamjen e padurueshme estetike dhe t’i japin servilizmit të tyre një vulë të zbehtë patriotike.
Rruga pa rrugëdalje ndoshta përbëhet nga kjo: zgjedhjet më nuk janë të mundshme, sepse kryengritja ka përjashtuar mundësinë çfarëdo disfate publike. Është e paimagjinueshme që Serbi Aco të tërhiqet pa forcën të cilës nuk mund t’i rezistojë. Ai do të shpallë fitoren, ashtu si edhe ata që e kanë mposhtur me të vërtetë - nëse me ndonjë mrekulli ndodhin zgjedhjet. Në atë nivel të dramës paszgjedhore do të zhvillohet kulmi i konfliktit, i cili nuk mund të ketë përfundim të mirë. Kjo është ajo që askush nuk e dëshiron - përveç Serbit Aco.
Këtë ide për një përfundim tragjik e pamë në modelin e tij të ruajtjes së pushtetit. Jo vetëm me çdo kusht, por edhe përtej çdo kushti. Nga perceptimi i tij plotësisht i shtrembëruar lexohet se çfarë mund t’i ndodhë nëse e humb pushtetin. Ai mendon se nuk do t’i ndodhë asgjë, sepse nuk beson se do ta humbasë pushtetin ndonjëherë. Në pozitën e tij si pacient i rrezikshëm që dëshiron gjithçka dhe përjetë, koha dhe hapësira janë ndalur vetëm aty ku ai ka pushtet dhe mund të vendosë për të tjerët, por askush për të. Këto janë iluzionet që i ka realizuar si e vetmja hapësirë mendore dhe e vlerave dhe si formë e jetës së tij të përtejme politike.
Kjo është filozofia e shkatërrimit që e mban atë si fatalistin e fundit, i bindur se fati është në anën e tij. Por, fati nuk ekziston. Për të shmangur përplasjet e mëdha, ai duhet sa më parë të zhvleftësohet dhe të ndahet nga kënaqësia për tortura dhe për eksperimente të gjata sadiste.
Dhe, diku aty përfundon edhe kërkimi i tij për armiqtë e Serbisë. Nuk ka shumë - i tillë është vetëm një. /Telegrafi/


