Selimi priti në takim lamtumirës ambasadoren e Kanadasë
Zëvendësministri Selimi falënderoi ambasadoren LaRocque për bashkëpunimin e frytshëm ndërshtetëror, e posaçërisht në rrafshin ekonomik.
Ai vlerësoi lartë marrëdhëniet me Kanadanë dhe i shprehi mirënjohje ambasadores LaRocque për mbështetjen e plotë të shtetit kanadez për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe në organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Selimi paralajmëroi se marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë do të fuqizohen në muajt në vijim me hapjen e ambasadës kosovare në Otavë dhe me nënshkrimin e disa marrëveshjeve kyçe bilaterale në fushat e ekomonisë, tregtisë dhe bashkëpunimit politik.
Ambasadorja kanadeze në Kosovë, Louise LaRocque, theksoi se Kanadaja mbetet një partnere e fuqishme e Kosovës në afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/


