Please enter at least 3 characters.

Sektori privat nuk po mbështetet

2016/01/f.0805090927923_m.jpg

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka thënë se arsyet pse Kosova nuk ka një zhvillim më dinamik dhe më të qëndrueshëm ekonomik qëndron te mosmbështetja e duhur për sektorin privat, i cili duhet të mbetet bosht i zhvillimit të vendit. Zeka në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se të hyrat buxhetore të Kosovës do të mund të rriteshin me një fuqizim të kontrollit të brendshëm dhe luftimin e informalitetit. Ai ka theksuar se gjendja e paqëndrueshme dhe e paperspektivë në “Trepçë” nuk duhet të vazhdojë, por Kosova duhet t’i vazhdojë planet për ndërtimin e autostradës në drejtim të Shkupit.

Sipas tij kjo rritje pozitive ekonomike, e cila duhet parë si inkurajuese, pasi po ndodh në kohë të krizës ekonomike globale, në kohën kur shumica e vendeve fqinjë janë zhytur në recesion. “Kjo është potencuar edhe në dokumentet e fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Por, kjo rritje nuk është e mjaftueshme për të ndikuar në një rritje të qëndrueshme ekonomike, me ndikim në krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Kjo natyrisht reflektohet edhe në përpjekjet e shtuara për emigrim ilegal të bashkëqytetarëve tanë, pasi në horizont nuk shihet një perspektivë më e mirë”, theksoi.

Zeka ka deklaruar se Kosova ka nevojë të investojë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do t’i mundësonte vendit t’i shfrytëzonte përparësitë që kemi nga pozita strategjike rajonale, duke u bërë edhe në realitet urë e rëndësishme lidhëse për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Kjo në periudhë afatgjatë do të sillte përparësi dhe përfitime të shumta për vendin. “Në këtë aspekt duhet të vazhdohen edhe planet për ndërtimin e autostradës në drejtim të Shkupit, por kjo nuk duhet të ndodhë pa e pasur të qartë burimin e financimit. Kjo tashmë është paraqitur si kusht edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Projektet infrastrukturore publike nuk duhet të ndikojnë në asnjë mënyrë në rëndimin e barrës së tatimpaguesve, më konkretisht bizneseve të vendit, as në rritjen e borxhit kombëtar”, tha Zeka. /Telegrafi/