Please enter at least 3 characters.

Sa po kujdesimi për Diasporën?

Më në fund Kosova është duke diskutuar për një ligj për Diasporën. Ky është një hap i duhur në drejtim të humanizmit të ligjeve tona. Ai e kthen vëmendjen e shoqërisë sonë drejt një pjese të rëndësishme të saj, që është Diaspora.

Në këto vite të vështira për mbijetesën kombëtare, të mërguarit kanë ndihmuar këtë mbijetesë. Format e tyre të organizimit, mbledhja e fondeve për arsimin paralel ndërtimin e rezistencës se armatosur si dhe mbajtjen e gjallë të ekonomive familjare janë shembuj të shkëlqyer të shërbimit të diasporës për zhvillimin tonë. Pra, siç pranohet gjerësisht, Diaspora jonë përfaqëson ashtu si dhe në rastin e Shqipërisë, Izraelit etj, aktorin më të rëndësishëm ekonomik të vendit. Bazuar ne disa studime te Institutit RIINVEST, remitancat qe sjellin diaspora sillen: rreth 20 deri 30 % të të ardhurave kombëtare.

Të mendosh për ruajtjen e gjuhës shqipe, zhvillimin kulturor të tyre, hapësirën televizive në funksion të tyre është diçka vërtet largpamëse dhe me një përkushtim patriotik shumë pak të ndeshur në histori.

Por ne si Shoqëri propozojmë diçka tjetër. Më të avancuar. Një faktori kaq të rëndësishëm si Diaspora duhet t’i lejohet më shumë se kaq. Ne duhet të krijojmë kushtet që njerëzit e diasporës sonë të pjesë e zhvillimit te vendit. Të marrin pjesë në proceset politike. Kjo mund të bëhet qoftë nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në parlamentin e Kosovës, qoftë nëpërmjet përfshirjes së tyre në votime për kandidatët e partive tona njëlloj si qytetarët me banim në Kosovë.
Ky hap është i domosdoshëm për disa arsye.

Pesha e diasporës në pikëpamje demografike është e madhe e rendit të 30%. Nuk mund të injorohet, të nxirret jashtë shoqërisë një grup kaq i madh i popullsisë. Shikoni listat zgjedhore dhe arrini të kuptoni peshën e tyre.

Së dyti, Diaspora përfaqëson potencialin më të madh demokratik të Kosovës. Ajo është e përbërë nga të rinj e të reja, burra e gra që janë formësuar me kulturën perëndimore demokratike. Ata mund të ndikojnë pozitivisht në demokratizimin e jetës sonë të brendshme, duke injektuar në shoqëri vlera të reja. Kjo diasporë ka ndjenjë të zhvilluar organizimi jashtë vendit, ka aktivitet shoqëror, ka ndjenjë të fortë kombëtare. Ajo nuk është një diasporë që po asimilohet, pra ne kemi nevojë të madhe për të.

Së treti, kjo nuk është diçka që e bëjmë vetëm ne. Të gjithë vendet që kanë diasporë të madhe i gjejnë rrugët për përfshirjen e tyre në jetën politike të brendshme, madje dhe ato perëndimoret, nuk duhet harruar Izraelin apo vendin tonë fqinjë Kroacinë. Dikush madje ngre një ministri në funksion të tyre, megjithëse besnikë të idesë për një sistem shtetëror me burokraci sa më të vogël ne mbështesim idenë e një agjencie në varësi të kryeministrit edhe një institut autonom që të trajtojë problemet e tyre sipas ligjit të ri.

Dikush mund të flasë për problemet që mund të krijohen prej kësaj përfshirjeje, pamundësisë për votim të diasporës tanë që jetojnë në vende të ndryshme. Të shpërndarë nëpër Evropë apo gjetkë dhe ndërkohë trupi ynë diplomatik është i vogël dhe në konsolidim e sipër që të marrë përsipër një angazhim të tillë. Ne duhet të studiojmë forma apo modele që e mundësojnë me koston më të vogël përfshirjen e emigrantëve në votime, duke u mbështetur në eksperiencën e vendeve që kanë emigracion të zhvilluar, veçanërisht atyre perëndimore. Edhe vetë SHBA që kanë ushtri, personel diplomatik të madh i përfshijnë në votime të gjithë. Italia gjithashtu, por dhe vende të tjera të ish bllokut socialist. Ne mund të bashkëpunojmë dhe me Shqipërinë që ka gjithashtu probleme të ngjashme dhe një diasporë të re.

Sot si kurrë me parë ne duhet që të angazhohemi sinqerisht për diasporën, sepse ata nuk janë pjesë e zhvillimeve politike dhe ekonomike, ata akoma kanë ankesa për burokracinë tonë jo profesionale, ata akoma sorollaten nëpër ambasada të vendeve jo mike të Kosovës për një pasaportë apo dokument civil, atyre akoma nuk ju njihet në kufi TPL –ja ndërkombëtare dhe duhet që të presin me orë të tera për ta paguar, ata akoma nuk i shijojnë instrumentet konsullore në shtetet prej nga vijnë.
Një vend që kujdeset për Diasporën e vet është human. Kosova e re, duhet të jetë humane.