Rusia kundër hegjemonisë perëndimore
Dokumenti 133-faqesh do të prezantohet gjatë samitit të BRICS, i cili do të mbahet më 26-27 mars, në qytetin jug-afrikan Durban.
Ndryshe, BRICS është akronim për unionin që përbëhet nga shkronjat e para të shteteve në fjalë, dhe aludon në fjalën angleze ‘bricks’ (tullat). Në këto shtete jetojnë afro tre miliardë njerëz, përderisa bruto produkti shoqëror i tyre është dhjetëfishuar në dhjetë vitet e fundit.
Dokumenti që këtyre ditëve ‘rrodhi’ në mediat ruse është përpiluar nga Komiteti Nacional për Analizimin e BRICS, i themeluar në vitin 2011 me urdhër të presidentit të asokohshëm, Dmitrij Medvedev.
Rusia dëshiron që, pas krizës globale ekonomike, si pasojë e së cilës vendet euroatlantike po i humbin pozicionet tyre globale, BRICS të shndërrohet në një qendër alternative të ndikimit në botë. Kritikat kryesore të grupit që kanë të bëjnë me rendin aktual global janë: jostabiliteti, humbja e balancës dhe kriza e rregullimit global.
“Erozioni i së vjetrës nuk krijon mundësi për lindjen e së resë... Mundësia në rritje që Eutoatlantiku të humbë përparësinë e tij kryesore – progresin ekonomik, e bashkë me të edhe lidershipin moral, ka hapur perspektiva për ngjarje të ndryshme gjeohistorike për lojtarët e tjerë globalë”, thuhet në fund të dokumentit të cituar nga gazeta ruse ‘Kommersant’, shkruan Express.
Pikërisht këtu Rusia e sheh rastin për fuqitë e reja botërore të bashkuara përreth BRICS-it. Në këtë kuptim, si përparësi të Kinës e sheh ekonominë, tek Brazili potencialet ekologjike, tek India potencialin shkencor dhe demografik, përderisa Afrikën Jugore e sheh si ‘derë të Afrikës’. Nga ana tjetër, vetveten Rusia e sheh si fuqi ushtarake dhe politike, dhe si njëlloj trajneri të shteteve të lartpërmendura gjatë përballjes me atë që, siç besojnë rusët, iu takon në skenën politike të shekullit XXI.
Autorët e dokumentit angazhohen për “një reformim të arkitekturës së vjetruar valutore dhe financiare”, dhe për “krijimin e një regjimi më demokratik dhe më të drejtë të ekonomisë botërore”.
Rusia dëshiron të shfrytëzojë autoritetin e vet për mposhtjen e dobësive dhe të mospajtimeve që përcjellin Brazilin, Indinë, Kinën dhe Afrikën Jugore. Do të kërkohet zgjerimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe që në të, përveç Rusisë dhe Kinës, të hyjnë edhe shtetet tjera anëtare. Veç kësaj, synohet të ndërmjetësohet në zgjidhjen e mospajtimeve territoriale mes Kinës e Japonisë, në zbutjen e rivalitetit të ndërsjellë mes fuqive të reja lidhur me betejën mes tyre për resurset botërore, dhe koordinimi i modeleve problematike të zhvillimit të cilat po kërcënojnë ekologjinë.
Megjithatë, ende mbetet problem çështja e deficiti ideologjik. Përveç emancipimit nga patronazhi perëndimor, asnjëri nga shtetet e BRICS ende nuk ka ofruar një alternativë të pranueshme, e as një model të avancuar zhvillimor për botën e shekullit XXI. Të gjitha shtetet vuajnë nga dallimet e tmerrshme sociale, të cilat mbështeten nga regjimet respektive, por dhe nga eksploatimi brutal i fuqisë së lirë punëtore, i cili diku-diku tejkalon edhe skllavopronarinë, si dhe nga kriminaliteti dhe pasiguria e lartë nëpër rrugët që, zakonisht, janë të pakrahasueshme me ato të shoqërive evropiane. Veç kësaj, ekzistojnë dhe problemet e vrazhda që ndërlidhen me shkeljen masive të të drejtave të njeriut, ngulfatjen e iniciativave demokratike në dobi të modeleve autoritare të sundimit, korrupsionin e thellë në të gjitha nivelet e pushtetit, rritjen ekonomike të bazuar në shkatërrimin e ambientit, dhe në mungesën e teknologjive të reja.
Nga ana tjetër, përveçqë i kundërshtojnë intervenimet ushtarake ndaj shteteve sovrane, dhe shfrytëzimin e institucioneve ndërkombëtare (si për shembull, Këshillin e Sigurimit) për rrëzimin e regjimeve autoritare që, sipas tyre, nuk iu nënshtrohen SHBA-ve, BRICS nuk ka ndonjë përgjigje ndaj krizës së kapitalizmit dhe humbjes së besimit në idetë humaniste të shekullit të XX. Në vend të kësaj, aleanca e BRICS ofrohet si njëlloj mbrojtësi i varianteve të egra (pra, të pafedinuara) të raporteve klasore. /Telegrafi/


