Rritën kreditë e këqija në 6.5 %
Për dallim nga viti 2011, numri i kredive të këqija është rritur në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, në 6.5 për qind.
Rritjen e kredive të këqija e kanë konfirmuar zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, të cilët thonë se përkundër rritjes së kredive të këqija sistemi bankar nuk rrezikohet.
“Në fund të muajit qershor shifra e kredive joperformuese ka mbërritur në 6.5 për qind, por kjo shifër është më e ulëta në rajon”, thotë për Telegrafin, zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.
Sipas tij, përkundër rritjes së lehtë, niveli aktual i kredive joperformuese nuk paraqet rrezik serioz për statbilitetin e sistemit bankar në Kosovë. “Sistemi bankar nuk rrezikohet për faktin se këto kredi janë mjaft mirë të mbuluara me provizionet për humbjet nga kreditë si dhe duke pasur parasysh faktin që sistemi bankar i vendit vazhdon të këtë nivel të lartë të kapitalizimit me tregues të mjaftueshmërisë së kapitalit prej mbi 17 për qind”, tha zëdhënësi Kada.
Ai tregon se në fund të vitit 2011 kreditë e këqija ishin 5.7 për qind, krahasuar më vitit 2010 ku ishin 5.9 për qind.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, vlerëson se përkundër rritjes së kredive të këqija, ato mbesin më të ulëtat në rajon. Ai thotë se sistemi bankar nuk mund të preket nga ndonjë kriza, pasi, sipas tij, fitimet e bankave janë duke u rritur në vazhdimësi.
“Ende kreditë e këqija janë më të ulëtat në rajon, nuk është ndonjë rritje shqetësuese. Në diskutimet tona me banka nuk kemi vërejtje një shqetësim për ndonjë krizë sidomos duke pasur parasysh faktin që kemi rritje të fitimit të bankave, rritje të aseteve dhe në përgjithësi një performancë stabile”, thotë Rukiqi.
Por në dy bankat më të mëdha në Kosovë, Raiffeisen Bank dhe ProCredit Bank thonë se niveli i kredive të këqija ka rënje, ata nuk japin ndonjë shifër.
Iliriana Tahiraj, zyrtare për Marrëdhënie me Publikun në RaiffeisenBank, ka konfirmuar për Telegrafin, se nëse e krahasohet gjashtë mujori i parë i këtij viti me atë të vitit 2011, vërehet një rënie të kredive të këqija. Por ajo nuk ka treguar se në cilën masë janë kreditë joperformuese.
“Mund ta konfirmoj se nëse krahasojmë përqindjen e kredive të këqija në gjashtëmujorin e parë të 2012 me një vit më parë, nuk ka pasur rritje të përqindjes, përkundrazi vërehet një rënie e lehtë e përqindjes se kredive të këqija”, thotë Tahiraj.
Kurse, Drejtori Gjeneral në ProCreditBank, Ilir I. Aliu thotë për Telegrafin se banka të cilën e drejton është e njohur për numër të vogël të kredive joperformuese, pavarësisht numrit të kredive të dhëna në Kosovë, gjë që është rezultat i aplikimit të analizave të mirëfillta para lëshimit të kredive.
“Niveli i kredive jo-performuese në ProCreditBank në 6 mujorin e parë të këtij viti është i ngjashëmme periudhën e njëjtë të vitit 2011, karakterizuar me një rënie të lehtë të kredive jo-performuese në gjysmën e parë të 2012”, thotë Aliu. /Telegrafi/


