Rrëfimi i të rinjve që ikën nga Kosova, në kërkim të jetës më të mirë
Ndërsa edhe qindra të tjerë tashmë kanë kaluar Hungarinë dhe janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës, si Franca, Gjermania, Zvicra, Suedia etj.
Në mesin e atyre që mësynë rrugët e Evropës janë edhe M.B. e S.L. dy shokë nga një prej lagjeve të Prishtinës të cilët për arsyeje sigurie deshën të mbesin anonim.
M.B. është një mjeshtër i spikatur ndërtimtarie në mesin e të 20-ve ndërsa S.L. është berber me profesion. Sidoqoftë pakënaqësia me mundësitë për të bërë diçka në Kosovë bëri që edhe ata të mësyjnë ilegalisht kurbetin. Ata lanë gjithçka në këtu.
Punën, shokët, familjen, vendin ku janë rritur dhe u nisën për të filluar prapë nga fillimi në një tokë tjetër Beograd – Budapest – Munchen ishte linja me të cilën shpërthyen kufijtë ku me autobus, ku në këmbë e diku edhe me tren.
“Tani e disa vjet kemi pritur se mos këtë vit do të bëhet më mirë në Kosovë. Mos këtë vit do të ketë punë për të gjithë. Mos këtë vit do të bëhet diçka për të mirën e të rinjve. Por kot. E tani u bë boll. Nuk mundëm të qëndrojmë më në një vend që nuk po na ofronte asgjë dhe vendosëm që të dalim ilegalisht në kurbet”, thotë M.B. i cili më pas shton, se nuk ishte i lehtë vendimi për t’u nisur.
“Unë kam jetuar gjithë jetën në Kosovë dhe kam të gjithë atë. Familjen, shokët, rrethin. Gjithçka që di është në Kosovë. Mirëpo kjo ishte sakrifica të cilën më duhej ta bëja. U nisa për Gjermani për një të ardhme më të mirë për veten e normalisht edhe për familjen time”, thotë ai.
Mirëpo, rruga për në Gjermani nuk ishte edhe shumë e lehtë. Ata bënë dy ditë derisa dolën. Pjesa më e vështirë ishte në Hungari.
“Në Hungari na zunë policia kufitare. Ata na mbajtën 24 orë. Mirëpo si duket kishte shumë shqiptarë nëpër burgje dhe vendosën të na lironin me një kusht. Vetëm largohuni nga Hungaria brenda ditës. Ngadoni shkoni”, rrëfen S.L.
Ata nga Budapesti më pas morën trenin dhe u nisën për në Munchen.
“Kur dolëm në Gjermani, na u duk se shpëtuam. Arritëm cakun. Një derë e re u hap për ne”, ndërhynë M.B.
M.B. dhe S.L. tani janë vendosur në një qytet tjetër gjerman. Aty që të dy presin të fillojnë punën përderisa janë duke qëndruar me disa shqiptarë të tjerë në një shtëpi.
Ata thonë se nuk e kanë ndërmend të kthehen në Kosovë.
“Ne e kemi ndarë mendjen për ta lënë Kosovën. Nuk mendojmë të kthehemi për një kohë. Vetëm nëse na zënë e na rikthejnë me zor”, thotë S.L., për “Zëri”.
“Unë po pres të filloj punën së shpejti. Më ka premtuar një shqiptarë që do të më gjejë një punë këtu ku jemi vendosur. Si të filloj punën besoj se nuk do të jetë problem më për mua”, shton M.B.
Sa i përket kosovarëve të tjerë të cilët dita ditës po lënë Kosovën, M.B. thotë se secili të vendos me kokën e vet.
I kupton të gjithë ata të cilët dëshirojnë të ikin nga Kosova megjithëse nuk u preferon një gjë të tillë.
“Sot nuk mund t’i thuash askujt në Kosovë rri këtu mos ik. Normalisht është e dhimbshme të lësh vendin tënd mirëpo situata është e vështirë për shumë prej njerëzve atje. Në veçanti të rinjve. Andaj secili le të vendos vet nëse dëshiron të largohet apo jo”, ka thënë M.B.
Vetëm këtë vit Kosovën e kanë lënë mbi 10 mijë persona ilegalisht.
Ndërkohë që ky numër po rritet dita ditës. Autobus me qindra persona çdo ditë po marrinë rrugën e kurbetit për një të ardhme të ndritur për ta dhe familjet e tyre.
Ndërsa në anën tjetër Kosova po bën saktësisht 6 muaj pa qeveri dhe institucione të reja për shkak të liderëve të cilët po shtyhen për poste personale.


