Rrahmani i lumtur që do të luajë për Kosovën
Kosova sot pasdite në Gjeneve do të sprovojë forcat me Senegalin, katër ditë pas humbjes së kundër Turqisë (1-6).
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, ka sjell disa emra të rinj në skuadër pasi që pesë lojtarë që u paraqitën kundër Turqisë do të mungojnë në miqësoren kundër Senegalit.
Njëri ndër emrat e rinj në përfaqësuesen tonë është Amir Rrahmani, anëtar i Partizanit të Tiranës. Rrahmani, i cili është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21, për herë të parë vesh fanellën e Kosovës.
Rrahmani ka falënderuar kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Dukën që i ka dhënë mundësinë atij të luaj për Kosovën në miqësoren e radhës.
“Jam shumë i kënaqur me ftesën që me ka bërë Kosova. Por jam edhe me i lumtur që më vlerëson edhe Kosova edhe Shqipëria”, ka thënë Rrahmani.
“Falënderoj Armando Duken dhe Skënder Gegen për lejen që më dhanë t’i ndihmojë Kosovës në ketë ndeshje”, tha ai.
Rrahmani thotë se do të jap më të mirën në përballje me Senegalin. /KP/Telegrafi/


