Rezultatet për 52 bashki, 39 e majta, 13 e djathta
Gara në kryeqytet vijon me numërimin e kutive, por duket se nuk do të ketë surpriza, pasi kandidati i majtë Erion Veliaj kryeson me 35100 vota kundrejt rivalit të tij Halim Kosova. Kandidati i majtë për Tiranën, Erion Veliaj, arrin të mund kundërshtarin e tij të djathtë, pikërisht në lagjen e liderit demokrat, Lulzim Basha. Edi Rama humbi në këtë zonë me 650 vota në zgjedhjet e fundit, kurse tani Veliaj duket se do të ketë një rezultat të ndryshëm. Në minutat e fundit kandidati i majtë ka kaluar 79 vota para në njësinë tetë, një nga bastionet elektorale historike të së djathtës në Tiranë. Edhe në Durrës situata është pothuajse e njëjtë.
Kandidati i mazhorancës deri në orët e vona, kryesonte me rreth 6100 votash ndaj kandidates së PD-së Grida Duma, çfarë e bën gati të pamundur përmbytjen e rezultatit. Ndryshe nga Tirana dhe Durrësi, qytetarët e Shkodrës duket se kanë votuar djathtas. Por asgjë nuk është mbyllur, pasi nga 245 qendra votimi deri në mesnatë janë numëruar 120 qendra votimi. Trendi i fitores është për Voltana Ademin e koalicionit të djathtë, e cila kryesonte me 18247 vota kundrejt 12496 votave që ka Keti Bazhdari. Mësohet se Voltana Ademin e kanë ndihmuar lagjet në Shkodër, të cilat janë bastione të së djathtës. E majta shpreson te komunat, që kanë dhe numrin e votuesve më të mëdhenj.
Bashkitë e mëdha që rikonfirmohen
E majta ka konfirmuar fitoren edhe në bashkinë e madhe të Fierit, ku ish-deputeti Armando Subashi ka triumfuar me një epërsi votash prej 13600 votash ndaj kandidati të djathtë, Enkelejd Alibeaj. Pas përfundimit të numërimit, Subashi në një deklaratë për mediat tha se i detyrohet shumë qytetarëve të Fierit dhe se tashmë e pret një punë e madhe për të mbajtur premtimet. Po ashtu edhe Alibeaj përmes një reagimi i ka uruar fitoren kryebashkiakut të ri të Fierit. Kandidati Dritan Leli në Vlorë i Aleancës për Shqipërinë Europiane ka fituar me një rezultat të thellë ndaj rivalit të tij demokrat Genc Dermomemaj. Leli mori 32.514 vota, ndërsa Genc Deromemaj 17267 vota, me një diferencë prej 15.247 vota. Në Elbasan konfirmohet Qazim Sejdini i ASHE me 43 958 vota, ndaj Ardian Turkut të APPD me 28 987 vota. Po ashtu, në Sarandë është shpallur fituese kandidatja e ASHE, Floriana Koka, me 8300 vota ndaj Kreshnik Bozhos së PD-së, i cili morri 7001vota.
Në Korçë, kandidati i majtë Sotiraq Filo fitoi bindshëm, mbi 7000 vota diferencë ndaj kandidatit të djathtë, Gjergj Meros. Pas zyrtarizimit të fitores, Filo është shprehur se bashkia e Korçës do të vijojë në rrugën e suksesit, tashmë duke investuar edhe në fshatra, të cilat janë bërë pjesë e bashkisë, për shkak të ndarjes së re territoriale. Në Lushnje fitues doli kandidati i ASHE-së, Fatos Tushe, me 25026 vota kundrejt 22912 të kandidatit Xhindoli. Tushe fiton mandatin e dytë. Nga ana tjetër, për demokratët që kanë humbur bashkitë kryesore, fitorja në bashkinë e Pogradecit, Përmetit, Mallakastrës, Cërrikut dhe Selenicës, mund të quhet surprizë e këndshme, pasi prej kohësh janë cilësuar si bastione të majta. Kandidati i PD-së, Niko Shupuli, në një prej bastioneve më të mëdha të PS-së, ka marrë 1633 vota më tepër se kreu aktual i bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçes, i cili ka marrë vetëm 3138 vota ose 38.5 për qind.
Edhe qyteti i Pogradecit, i cili konsiderohej i majtë, në këto zgjedhje është ngjyrosur blu, dhe do të drejtohet 4 vitet e ardhshme nga kandidati i djathtë Eduard Kapri, i cili ka marrë 17.388 vota, përkundrejt 15.675 vota të marra nga kandidatja e ASHE, Diana Mile. Dhe në Mallakastër fitues është shpallur Agron Kapllanaj i PD-së, me 1750 vota më shumë ndaj kandidatit të majtë Shyqyri Kapllani. Bashkim Shehu i koalicionit të djathtë kryesoi me 3043 vota kundrejt Hasan Halilaj të ASHE. Edhe Dibra ka kaluar në avantazh të kandidatit të majtë, ndërsa është ndërprerë numërimi në Berat.
PD surprizon në disa bastione të PS-së
Surprizë në këto zgjedhje mund të quhet fitorja e demokratëve në Selenicë, Përmet dhe Pogradec. Kandidati i djathtë për bashkinë e Selenicës, Përparim Shametaj, me 6.096 vota ka dalë fitues përballë Kasëm Cenajt i mbështetur nga ASHE, ky i fundit ka marrë 5078 vota. Në bashkinë e Përmetit fitues shpallet kandidati i aleancës së djathtë Niko Shupuli, me 4771 vota (58.58 për qind), kundrejt 3138 votave (38.53 për qind) të kandidatit të majtë, Gilberto Jaçe. Ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Klosit, ku është shpallur fitues kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Basir Çupa. /Telegrafi/


