Rama zbulon programin për heqjen e TVSH-së
“Lejomëni të ndaj me ju një ilustrim të thjeshtë grafik të propozimit tonë për heqjen e taksave të Saliut mbi bukën, qumështin, vezët, ilaçet, duke ju thënë të gjithë atyre që thonë ku e keni programin se ja, kjo është një copëz e programit që prej më shumë se një muaji e kemi shtruar publikisht, por pakkush ndër komentatorët e ka rrokur në brendinë e vet. Eshtë po ashtu pjesë e PAKTIT QYTETAR të 8 Majit dhe siç kemi premtuar, do ta ngremë me forcë në opozitë dhe do ta bëjmë realitet në qeverisje”, shkruan zoti Rama në blogun e tij.
Kreu i PS-së, duke folur para Grupit Parlamentar të PS-së një ditë më parë, ku heqja e TVSH-së për ushqimet bazë ishte temë diskutimi, tha se “çdo ditë për çdo kafshatë ka taksim, dhe kjo s’ka asnjë arsye, asnjë logjike, në kushtet e varfërisë në Shqipëri”. “Ta ngrejmë zërin fort për heqjen e taksës së produkteve, si buka, qumështi, veza etj”, tha zoti Rama.
Kryetari i PS-së tha ndër të tjera se programi i ri politik i opozitës do të prezantohet në Kongresin e PS-së më 5 nëntor./Telegrafi/


