Please enter at least 3 characters.

Rama shkarkon nga detyra 6 konsuj

2016/01/f.0929165905741_m.jpg

Vendimi i kryeministrit Rama për shkarkimin e përfaqësuesve diplomatikë u është përcjellë konsujve të përgjithshëm që pas kthimit të kreut të qeverisë nga vizita që zhvilloi një javë më parë në Bruksel.

Lajmi i lirimit të tyre është konfirmuar për gazetën “Panorama” nga konsulli i përgjithshëm në New York, Dritan Mishto, që gjatë komunikimit me gazetën po shoqëronte për në aeroport Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dritan Mishto theksoi se i është dorëzuar urdhri i lirimit nga detyra, i firmosur nga kreu i Ekzekutivit shqiptar.

“Lirimi im nga detyra e konsullit të përgjithshëm në Nju Jork ka qenë një nga urdhrat e parë të propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe i firmosur nga kryeministri Rama”, theksoi Mishto.

Ndërkohë, urdhrin e largimit nga detyra e ka marrë dhe konsullja në Milano, Nausika Spahia, sipas së cilës i është lënë afat deri më datë 15 tetor për të dorëzuar detyrën.

Shkresa i shkarkimit nga detyra u është dërguar konsujve disa ditë më parë me e-mail nga Ministria e Jashtme, me faksimile në formatin PDF, pasi dhe kryeministri Rama dhe ministri Bushati ndodhen për vizitë disaditore në SHBA.

Sipas ligjit “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2003, konsulli i përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga detyra prej Kryeministrit me propozim të ministrit të Jashtëm.

Mendohet se vendimi i kreut të qeverisë, Edi Rama, ka liruar nga detyra edhe konsullin Jako Dako në Janinë, Riza Podën, konsull i përgjithshëm në Selanik, Bashkim Bekteshin, konsull në Bari, Ermal Muçën, konsull në Stamboll. /Telegrafi/