Please enter at least 3 characters.

Pse s’po shkrihet Sejdiu?

Kohëve të fundit, pas iniciativës së tridhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, u inicua sërish çështja nëse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, po e shkel ose jo kushtetutën duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Se a po e shkel Sejdiu kushtetutën apo jo, këtë e përcakton qartë Kushtetuta e Republikës, e një gjë të tillë e di mirë edhe vetë presidenti. Atëherë, pse po ndodh ky debat dhe ngërç politik dhe pse Sejdiu nuk po jep dorëheqje nga njëri prej posteve, përkatësisht pse nuk po “shkrihet” nga të qenit kryetar i LDK-së (Sejdiu ka thënë që e ka ngrirë postin si kryetar partie, por s’ka hequr dorë nga ai)?

Kjo problematikë e dorëheqjes së kryetarit të LDK-së ishte ngritur edhe në kohën kur president i Kosovës dhe kryetar i LDK-së ishte Ibrahim Rugova, ndaj të cilit u ushtrua një presion i jashtëzakonshëm që të dorëhiqej nga kreu i partisë. Madje, një kërkesë gati kategorike për këtë çështje e kishte parashtruar në atë kohë edhe Grupi i Kontaktit, çka sot nuk shohim ndonjë presion të madh ndaj Sejdiut për t’a bërë një gjë të tillë. Kjo sjellje e ndërkombëtarëve mund të interpretohet si tendencë e tyre që në atë kohë t’a ndanin për aq sa ishte e mundshme Rugovën nga LDK-ja, sepse një LDK me Rugovën ishte vazhdimisht e fuqishme dhe jashtë çdo mundësie kontrolli nga ndërkombëtarët, pra një LDK që nuk bënte kompromise të dhimbshme dhe nuk çante kokën nëse Hashim Thaçi (i preferuari i Solanës a Bajdenit) mbetej përjetësisht në opizitë.

Ndërsa sot, faktori ndërkombëtar në raport me Sejdiun, i cili kushtetutshmërisht ndodhet në pozicion si Rugova, nuk po ushtron ndonjë presion të madh, madje faktori ndërkombëtar (evropian) presion nuk do të ushtronte as atëherë (kur ushtrohej presion ndaj Rugovës) nëse Sejdiu do të ishte kryetar i LDK-së, sepse një LDK me Sejdiun kryetar, është një parti e kontrollueshme, elektoralisht e pakrahasueshme me LDK-në e Rugovës, një parti e bindshme për të bërë kompromise të dhimbshme në kurriz të kombit dhe një parti e gatshme për t’a mbajtur vazhdimisht Thaçin në pushtet. Pra, Rugova prishte punë, prandaj faktori evropian synonte t’a minimizonte eventualisht, ndërsa Sejdiu kryen punë (bën kompromise të dhimbshme), prandaj faktori ndërkombëtar edhe pranon që ai të jetë i “maksimizuar”/jokushtetues edhe si kryetar i LDK-së.

Ndërsa, Rugova nuk e kishte problem që edhe të dorëhiqej nga posti i kryetarit të LDK-së, sepse ai ishte i pakontestuar në LDK, pra edhe i liruar statutshmërisht nga të qenit kryetar, ai do të vazhdonte të kishte influencë të përgjithshme në LDK. Kurse për Sejdiun është jetike të qenit kryetar i LDK-së, sepse që në momentin që ai do të dorëhiqej nga kryetari i LDK-së, ai edhe formalisht do ta humbte influencën e tij në parti. Madje, e vetmja formë që Sejdiu të mbetet edhe president i Kosovës është duke mbajtur postin e kretarit të LDK-së. Sejdiu vetëm duke qenë kryetar i partisë dhe president i Kosovës do të ketë mundësi t’i frenojë lëvizjet reformatore në parti, të cilat lëvizje nuk do t’a rizgjedhin Sejdiun kryetar partie e për pasojë as president për një mandat tjetër.

Lëvizjet reformatore në LDK e synojnë ekzekutivin dhe qeverinë e vendit, ndërsa Sejdiu u takon konstelacionit të forcave politike vendore e ndërkombëtare që investojnë për një si Thaçi kryeministër, e asesi për një p.sh si Isa Mustafa kryeministër. Prandaj, duke qenë se në Kosovë më shumë se sistemik kushtetues e demokratik, po sundon sistemi Ambasado-kratik, dyshoj në aftësinë dhe mundësinë e Gjykatës Kushtetuese për t’a prishur strukturën e një elite politike që bën kompromise të dhimbshme në dëm të kombit.