Projektet e Komisionit Evropian, mundësi shumë e madhe për studentët e UBT-së
UBT në vazhdimësi ka përfituar nga projektet për arsimin e lartë të Komisionit Evropian, duke qenë në të shumtën e rasteve i vetmi institucion përfitues i këtyre projekteve nga Republika e Kosovës.
Më herët gjatë këtij viti UBT, në vazhdën e përfitimit të projekteve ndërkombëtare, të cilat sigurojnë mundësi bursash, mobiliteti dhe shkëmbim e transfer të dijes për studentët dhe stafin, UBT është shpallur fitues edhe në projektin e Komisionit Evropian “Erasmus+ Programme - Capacity building in higher education”.
UBT gjithashtu u bë përfitues i projektit të Komisionit Evropian, Erasmus+ Programme Mobility Grants. Ky projekt ofron mundësi të shkëlqyera për studentët dhe stafin akademik të UBT-së, duke krijuar kanale institucionale dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit. Më konkretisht, ky projekt ofron mundësinë e shkëmbimit të studentëve dhe stafit në mes të UBT dhe Universitetit Corvinus në Hungari dhe garanton transferin e ECTS-ve, që nënkupton që programet tona janë të barasvlershme dhe të pranuara nga universitete evropiane.
Mundësi shtesë për studentët e UBT-së është edhe fakti se UBT është pjesë e projektit CEEEPUS ("Central European Exchange Program for University Studies"). CEEEPUS përfshin vendet e Evropës Qendrore dhe Evropës Juglindore dhe është një rrjet universitar që ofron programe dhe diploma të përbashkëta për studentët e institucioneve anëtare. UBT është pjesë e këtij rrjeti me tri programe për mobilitet të studentëve, duke u bërë institucioni i parë privat i arsimit të lartë në Kosovë që e ofron këtë mundësi për studentët e tij.
Këto dhe programe e projekte të tjera ndërkombëtare, pjesë e të cilave është UBT, ju krijojnë mundësi shumë të mëdha që, duke qenë pjesë e UBT-së, të përfitoni nga mundësitë për të kryer një semestër ose më shumë të studimeve në universitetet partnere të UBT-së gjithandej Evropës, të vazhdoni studimet tuaja të mëtutjeshme në këto institucione akademike, të përfitoni nga profesorë eminentë dhe nga përvojat bashkëkohore të studimit dhe të hulumtimit.
UBT kohëve të fundit ka zhvilluar edhe një varg aktivitetesh, të cilat e zgjerojnë edhe më tej gamën e aktiviteteve, por edhe krijojnë mundësi shtesë për zhvillim të institucionit dhe për përgatitjen e studentëve, duke u mundësuar njohjen me praktika e përvoja të reja.
Kështu, UBT është akredituar si Partner Akademik i vetëm në rajon i ofruesit më të madh të certifikimeve në fushën e Teknologjisë së Informacionit, CompTIA. Nga ky certifikim studentët e UBT-së dhe të tjerët do të kenë mundësinë të përfitojnë certifikime dhe trajnime të njohura ndërkombëtarisht në fushën e TI-së. CompTIA, si ofruesi kryesor i provimeve dhe certifikimeve në fushën e TI-së, ofron trajnimet dhe certifikimet në Përkrahje Teknike për PC, Rrjete Kompjuterike, Serverë, Linux, Siguri të Sistemeve etj.
Gjatë kësaj periudhe, UBT, në bashkëpunim me Shoqatën Austriake-Kosovare dhe institucione të Republikës së Kosovës, ka organizuar një varg konferencash, me tema mjaft të rëndësishme, në të cilat kanë marrë pjesë ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues kompanish e organizatash joqeveritare, ekspertë e të interesuar të tjerë. Konferencat kanë trajtuar tema nga Industria, Shëndetësia, të Drejtat Pronësore, Turizmi e tema të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, UBT ka zhvilluar një varg aktivitetesh të tjera, në nivel vendor e ndërkombëtar.
Kështu, UBT është institucioni i vetëm i autorizuar për trajnimin dhe certifikimin e administratorëve të ndërtesave në bashkëpronësi, në një projekt të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbështetur në zbatimin e ligjit 04/L0134.
UBT gjithashtu nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Integrimit Evropian, që përfshin një varg fushash bashkëpunimi me shumë interes.
Drejtues të UBT-së ishin të pranishëm në konferencën prezantuese të ofertës së universiteteve gjermane në kuadër të Projektit Erasmus +, organizuar nga DAAD (German Academic Exchange Service), në fokus të së cilës ishte prezantimi i projekteve të universiteteve gjermane dhe mundësia e lidhjes-rrjetëzimit me universitetet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë konferencës universitetet nga Gjermania prezantuan 21 projekte për ngritjen e kapaciteteve (capacity building) dhe mundësitë që çdo universitet i Ballkanit të jetë partner në fushat si: shkëmbimi i studentëve, shkëmbimi i stafit, projektet e përbashkëta, hulumtimet e përbashkëta, krijimi i drejtimeve të përbashkëta, mundësitë e studimit në të gjitha nivelet në Gjermani e të tjera.
Po kështu, drejtues të UBT-së morën pjesë në konferencën “TECIS 2015, 16th IFAC Conference on Technology, Culture and International Stability”, që i zhvilloi punimet në Sozopol të Bullgarisë, si dhe kanë vizituar edhe Universitetin Semmelweis, që është universiteti më i madh i shkencave të mjekësisë në Hungari, ndërsa me drejtues të Universitetit Corvinus nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e inxhinierisë së ushqimit dhe sigurisë së ushqimit, gjatë nënshkrimit të së cilës ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi.
Drejtues të UBT-së vizituan edhe Panairin Ndërkombëtar të produkteve ushqimore dhe të agrikulturës në Budapest, qëllim i të cilit ishte promovimi dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Gjatë një takimi me përfaqësuesin e kompanisë “Persecutor”, Richard Pimper, u diskutuan një varg temash me interes, mes të tjerash edhe krijimi i Qendrës së përpunimit të të dhënave në UBT.
Drejtues të UBT-së morën pjesë në konferencën “Dilemat 2015”, organizuar në Universitetin Linnaeus në Suedi, një universitet partner i UBT-së, si dhe në Forumin e 25-të Ekonomik në Poloni, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në Evropën Qendrore, që për 25 vjet ka qenë një vend diskutimi i krerëve më të lartë shtetërorë të Evropës dhe më gjerë.
UBT edhe këtë vit është adresa kryesore drejt së cilës janë drejtuar studentët e rinj, ambicia e të cilëve është që të bëhen më të mirët në institucionin më të mirë të arsimit të lartë në vend. Ata e kanë filluar betejën për nxënien e dijes, për hulumtim e shkencë.
Partneriteti ndërkombëtar i UBT-së me shumë institucione akademike ndërkombëtare dhe programet e përfituara nga Komisioni Evropian, janë edhe një garanci për studentët e UBT-së se qëllimi i tyre për t’u bërë më të mirët është i realizueshëm dhe do të realizohet plotësisht. Në UBT. Në institucionin pjesë e të cilit bëhesh një herë dhe mbetesh tërë jetën. Duke u ndjerë i privilegjuar, por edhe duke bartur përgjegjësinë e të qenit pjesë e më të mirëve, kudo dhe kurdo. /Telegrafi/


