Please enter at least 3 characters.

Po, plani i Izraelit për Rafahun do të ishte krim - por, e drejta ndërkombëtare kurrë nuk e ka mbrojtur Gazën

Nga: Raja Shehadeh / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë 21 muajve të fundit të luftës gjenocidale të Izraelit kundër Gazës, zëra nga gjithë bota kanë dënuar shkatërrimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rendit të bazuar në rregulla. Dhe, në të vërtetë, është zhdukur fasada e respektimit të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli, ndërsa politikat që përbëjnë krime lufte tashmë po shpallen pa pikë turpi.

Këtë javë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka treguar planet për të zhvendosur me forcë palestinezët, në një kamp mes rrënojave të Rafahut. Pasi të hyjnë aty, nuk mund të dalin më. Me fjalë të tjera, një kamp përqendrimi, i cili sipas përkufizimit është një qendër internimi për anëtarë të një grupi kombëtar (si edhe për të burgosur politikë apo grupe minoritare), me arsyetimin e sigurisë apo ndëshkimit - zakonisht me urdhër ushtarak. Michael Sfard, një avokat izraelit për të drejtat e njeriut, citohet në The Guardian duke thënë se Katzi “paraqiti një plan operacional për një krim kundër njerëzimit”. Qindra vetë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur duke u përpjekur që të kenë qasje në ushqim.

Jam përpjekur me vështirësi të kuptoj vuajtjen e pakuptueshme që kanë përjetuar palestinezët në Gazë dhe se si është e mundur që shumica e izraelitëve nuk e pranojnë aspektin e tyre njerëzor. Si janë në gjendje të mos ndiejnë pendesë për atë që ushtria e tyre po bën në emër të tyre? Besoj se fara e çnjerëzimit tonë është mbjellë gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1948. Palestinezët u privuan me dhunë nga toka, nga pasuritë dhe pronat e tyre, në atë që ne e quajmë Nakba (në arabisht “katastrofa”), me pretendimin se toka u ishte dhënë hebrenjve nga Zoti. Që nga ajo kohë, izraelitët kanë përdorur shtëpitë, tokat dhe pemishtet arabe pa ndier asnjë faj. Sulmet e 7 tetorit ishin pika e nisjes së luftës, por Izraeli ka degraduar dhe zhveshur sistematikisht popullin palestinez për dekada me radhë.

Shkelje të tilla të së drejtës ndërkombëtare çojnë në një ndjenjë dëshpërimi, për shkak të paaftësisë së institucioneve për të parandaluar tmerret që po ndodhin në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, si dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. Gjykata Ndërkombëtare Penale, e mbështetur nga OKB-ja, ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, mbi akuzat për “krimin e luftës për urinë si metodë lufte; dhe krimet kundër njerëzimit si vrasje, përndjekje dhe veprime të tjera çnjerëzore”. Nuk është bërë asnjë arrestim. Perëndimi vazhdon të furnizojë Izraelin me ndihmë ushtarake dhe politike. Pyes vetes: a duhet të ndjehemi të pafuqishëm, ne palestinezët, përballë kësaj dështimi?

Megjithatë, e vërteta është se e drejta ndërkombëtare, megjithëse përdoret si një standard matës nga organizatat për të drejtat e njeriut, kurrë nuk ka qenë shpëtimi i Palestinës. Që nga dështimi për të zbatuar Rezolutën 194 të OKB-së të vitit 1948, e cila u jepte të drejtën refugjatëve palestinezë të ktheheshin në shtëpitë e veta në atë që u bë Izrael, kemi përjetuar zhgënjim pas zhgënjimi.

Kjo nuk ka ndodhur për mungesë përpjekjesh nga ana e palestinezëve, ndër vite, për të thirrur ligjin në ndihmë - qoftë nëpërmjet gjykatave izraelite, tribunaleve ndërkombëtare apo mekanizmave të zbatimit nga pala të treta. Një arsye e thjeshtë për dështimin e tyre është se ligji ndërkombëtar nuk ka mjete efektive zbatimi. Arsyet më komplekse kanë të bëjnë me interesat e fuqive të mëdha. Shpresa ime qëndron te qëndresa palestineze.

Shpresa dhe pritshmëria e zakonshme ka qenë që palestinezët do ta harronin tokën e tyre brenda një apo dy brezave. Kjo u dëshmua të jetë plotësisht e pabazë. Shtatëdhjetë e shtatë vjet më vonë, palestinezët janë po aq të lidhur me tokën nga e cila u dëbuan, sa edhe në ato ditët e para të përgjakshme.

Po ashtu, pavarësisht ndryshimeve të paligjshme dhe vendbanimeve të shumta hebreje dhe gjeografisë së ndryshuar në vendin tim, Bregun Perëndimor, ne palestinezët vazhdojmë të mbajmë gjallë praktikën që ne e quajmë sumud: refuzimin për t’u dorëzuar apo për të ikur. Nuk mund të flas në emër të palestinezëve në Gazë, por e shoh se ndajmë të njëjtin shpirt, pavarësisht përmasës së vuajtjeve.

Kur lufta do të përfundojë dhe gazetarëve e organizatave të huaja do t’u lejohet hyrja në Gazë, e vërteta do të dalë në dritë. Dëshmitë rrëqethëse nga ata që jetuan atje - përjetimet e grave, burrave dhe fëmijëve, të artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve; jeta e ndërprerë apo e ndryshuar përjetësisht - mund të fillojnë ta përndjekin Izraelin.

Do të jetë humanizmi ynë, dhe jo ndonjë ligj ndërkombëtar, që do ta gjykojë dhe do ta mbajë përgjegjës Izraelin dhe aleatët e tij. Në një tjetër shkallë, por jo më pak flagrante, ndryshimet e njëanshme dhe të paligjshme që Izraeli po kryen në Bregun Perëndimor, shpesh me ndihmën e milicive të kolonëve, japin një pasqyrë të lakmisë së Izraelit për tokë dhe të politikave të tij të drejtuara nga ideologjia.

Ndoshta nuk ka shembull më të qartë të absurditetit të veprimeve të Izraelit sesa rasti i Qytetit të Vjetër të Hebronit. Qyteti mbahet peng nga një grup i vogël ekstremistësh hebrenj, që nuk janë më shumë se 900 veta, të cilët jetojnë në qendër të Hebronit - qyteti i dytë më i madh palestinez në Bregun Perëndimor, me një popullsi prej 232 500 banorësh. Popullsia hebraike mbrohet ditë e natë nga më shumë se 1 000 ushtarë izraelitë. Për të lejuar lëvizjen e lirë të kolonëve dhe ushtarëve, kufizimet mbi lëvizjen palestineze përfshijnë dhjetëra pika të fortifikuara kontrolli, barriera rrugore dhe poste të përhershme e të përkohshme ushtarake. Qyteti i vjetër është zbrazur pothuajse krejtësisht nga popullsia palestineze. A është kjo e qëndrueshme?

Sa i përket të ardhmes së Gazës, pyetja vendimtare do të jetë nëse me shkatërrimin e mjeteve për të mbijetuar - tokave bujqësore, burimeve të ujit, spitaleve dhe shkollave - ajo tokë mund të vazhdojë të mbështesë jetën.

Komuniteti ndërkombëtar, që ka dështuar turpshëm të zbatojë të drejtën ndërkombëtare, mund të bëjë një ndryshim në këtë çështje nëse ngul këmbë që, pas përfundimit të luftimeve, Izraeli të lejojë hapjen e Rripit të Gazës dhe të sigurojë që ndihmat të dërgohen për të mundësuar vazhdimin e jetës së palestinezëve atje ndërsa zona rindërtohet.

Gaza ka një histori prej 4 000 vjetësh të banimit të vazhdueshëm njerëzor. Përpjekja e Izraelit për ta zhdukur jetën atje është e dënuar të dështojë. Palestinezët, me ndihmën e të tjerëve ose pa të, do ta gjejnë një mënyrë për të mbijetuar. /Telegrafi/