Përsëri nën armë
Ernest Miller Hemingway (1899–1961)
Nga: Aurel Plasari
Në verën e vitit 1948, në konakun e tij ‘Finca Vigia’ në Francisco de Paula, Kubë, Ernest Hemingway është vënë të shkruajë një parathënie për ribotimin e radhës të romanit të tij ‘Lamtumirë armë’, të botuar për së pari gati 20 vjet të shkuar, më 1929. Parathënia, me thënë të drejtën, ngjan si tekst i shkruar shkel-e-shko, mbase sa për të përmbushur një kërkesë botuesi. Kurse ajo, në fakt, e ka “bishtin mbrapa”.
Shkrimtari numëron vendet ku e ka shkruar dorën e parë të romanit, mandej dorën e dytë, më pas atë përfundimtare, në Paris afërmendsh, athua se romani nuk mund të kryhej gjetiu. Shkruan për punë pa ndonjë lidhje me romanin. Kujton miq që kanë vdekur më 1929. Tregon një kuvendim me Miss Bergmanin, së cilës duket t’ia ketë prerë drutë shkurt duke i pohuar se nuk mund të shtyhej në hollësi pasi kishte “një njohje shumë të kufizuar të gjuhës angleze dhe një shqiptim me të meta”, ky kështu, Ernest Hemingway!
Më në fund, qëllon aty ku e ka shqetësimin e madh, ku i dhemb, çfarë duket si të mos lidhet thjesht me romanin, as të mos jetë çështje letërsie. Megjithëkëtë pohon prerazi që një shkrimtar duhet të merret me “atë krim të vazhdueshëm, prepotent, kriminal, të ndyrë, që është lufta”. Shkrimtari që ka kaluar si pjesëmarrës nëpër dy luftëra bën kësaj here një pohim befasues: “luftërat luftohen nga njerëzit më të bukur në botë”. Dhe, lexuesi nuk mund të mos e nënvizojë një pohim të këtillë dhe nuk mund të mos i kujtohen dëshmorë të luftërave që ka njohur a për të cilat ka lexuar. Por, edhe në mos qofshin njerëzit më të bukur ata që luftojnë luftërat, sqaron Hemingway, le të themi që, sa më shumë i afrohesh vendit ku luftohet, aq më të bukur janë njerëzit që ndesh. Ndërsa luftërat në të vërtetë bëhen, provokohen dhe iniciohen nga rivalitete të përpikta ekonomike dhe nga derra që synojnë të përfitojnë prej tyre, akuzon shkrimtari duke shtuar: “Jam i bindur se të gjithë njerëzit që synojnë të përfitojnë nga luftërat dhe ndihmojnë t’i provokojnë ato do të duhen pushkatuar po atë ditë që fillojnë të bëjnë si përfaqësues të akredituar të qytetarëve besnikë që ato luftëra do t’i luftojnë”.
Pikërisht për këtë mision shkrimtari shprehet vullnetar duke premtuar që, nëse delegohej legalisht nga ata që luftojnë, do ta zbatonte ai vetë detyrën me korrektesë dhe njerzillëk të plotë, duke u kujdesur edhe që të gjitha kufomat të varroseshin në mënyrë të denjë: “Do të mundnim madje t’i varrosnim në celofan ose në ndonjë nga materialet plastike ndër më modernet”. Në fund, nëse do të kishte ndonjë provë që ta kishte provokuar ai vetë, në ndonjëfarë mënyre, luftën e re ose të mos e kishte kryer siç duhej detyrën e ngarkuar, shkrimtari ofrohej - madje me gëzim! - të pushkatohej nga e njëjta togë ekzekutimi dhe të varrosej me ose pa celofan, në mos po t’ia linin kufomën të zhveshur lakuriq majë një kodre. Dhe e ka nënshkruar: më 30 qershor 1948.
Kështu ndodhka që rileximet e autorëve të dashur, në kohë dhe situata të ndryshme, shndërrohen në lexime të reja.


