Përgënjeshtron Cindy: Çdo vit them do të pensionohem, por nuk do të ndodhë edhe një kohë
Supermodelja Cindy Crawford ka mohuar raportimet se ajo ka planifikuar të pensionohet nga modelimi këtë muaj, duke thënë se ajo ende nuk e ka dhënë fjalën përfundimtare për këtë çështje dhe se “pensionimi” i saj ka qenë një shaka në familje.
Crawford, gjatë një interviste javën e kaluar me revistën e “United Airlines”, “Hemispheres”, u duk sikur tha se do të heq dorë nga modelimi kur të mbush 50 vjeç më 20 shkurt. Por tash ka shkruar në Instagram se “jo të gjithë titujt e lajmeve japin tregimin e plotë”.
“Çdo vit u them fëmijëve të mijë se do të pensionohem. Është një shaka në familjen time. Por ja që çdo vit hapen mundësi të reja që me të vërtetë më emocionojnë. Ndonëse është e vërtetë se dëshiroj ta kaloj përqendrimin tim në biznes, miq e familje – nuk do ta them fjalën e fundit ende”, ka shkruar Crawford, transmeton Koha.net.
“Me kënaqësinë më të madhe kam qenë pjesë e industrisë së modës për 30 vjetët e fundit – dhe nëse kjo kohë më ka mësuar diçka, është kjo: kurrë mos thuaj kurrë”, ka shtuar ajo.
Crawford u bë një prej supermodeleve të para dhe më të njohura në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta, duke u paraqitur në pista mode për firma si Chanel, Christian Dior dhe Valentino.
Ajo hoqi dorë nga modelimi me orar të plotë 15 vjet më parë, por aktualisht është fytyra e shtëpisë franceze të modës “Balmain” përkrah supermodeleve tjera veterane Naomi Campbell dhe Claudia Schiffer.


