Please enter at least 3 characters.

PD-LSI, drejt finalizimit marrëveshja për 8 majin

2016/01/f.0221090114652_m.jpg

Sipas burimeve të cituara nga kjo e përditshme, negociatat po zhvillohen ndërmjet të dërguarve të Berishës dhe Metës, ndërsa kuota 20% për LSI-në, ashtu si në marrëveshjen për koalicionin qeverisës mbetet në themel edhe të bisedimeve për zgjedhjet lokale.

Kështu, nga 365 njësi të qeverisjes vendore, përfshirë bashki dhe komuna, LSI duhet të marrë 73 të tilla, por pjesë e rëndësishme e bisedimeve mbeten bashkitë e rëndësisë së parë. Deri tani PD dhe LSI kanë rënë dakord për Elbasanin, Beratin, Pogradecin, Lezhën dhe Përmetin, si dhe shumë komuna në vend. Sa i përket Tiranës, LSI do të mbështesë kandidatin e përzgjedhur nga demokratët, që me gjasë do të jetë Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Por, burimet pohojnë se bisedimet vazhdojnë për bashkinë e Durrësit, e dyta për nga rëndësia pas Tiranës. Mësohet se emri i lakuar për këtë bashki është ai i Lefter Kokës si kandidat i LSI-së, por PD ende duhet të marrë një vendim në lidhje me këtë propozim.

Shkak për këtë hezitim mësohet se janë bërë akuzat që demokratët kanë bërë ndër vite në adresë të Lefter Kokës. Gjithsesi, strukturat e PD-së së Durrësit kanë njoftuar zyrtarisht se kandidati demokrat për kreun e kësaj bashkie do të tërhiqet nëse strukturat qendrore të partisë do të vendosin që këtë bashki t’ia lënë aleatëve.

Ndërkaq, Berisha dhe Meta kanë gjetur gjuhën e përbashkët për bashkinë e Elbasanit, edhe pse nga PD përflitet emri i Luçiano Boçit, Ardian Turkut e Aurel Bylykbashit si kandidatë të mundshëm. Nga ana tjetër, LSI e ka gati emrin e Durim Hushit për këtë bashki. Berati, Pogradeci, Lezha dhe Përmeti janë bashkitë e tjera me të cilat PD po merret seriozisht.

E përditshmja Mapo raporton se duke mbështetur kandidatë të majtë nën siglën e LSI-së, PD mendon të fitojë në këto bashki që tradicionalisht njihen si bastione të socialistëve.

Burime pranë LSI-së citohen nga Mapo të kenë thënë se kjo parti po mendon të dalë në zgjedhjet lokale me kandidatë që kanë qenë dikur ish-kryetarë të PS-së, apo ish-deputetë socialistë, që ndonëse janë larg Partisë Socialiste tashmë, sërish mund të tërheqin elektorat socialist nën emrin e tyre. /Telegrafi/