Pavarësia është e pakthyeshme
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” (edicioni në gjuhën serbe) Feith ka thënë se është e drejtë e çdo vendi anëtar të OKB-së të kërkojë mendimin e Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, mirëpo ka shtuar se, në këtë fazë, kjo gjë nuk i ndihmon Serbisë dhe atë për tri arsye.
Si arsye të parë, Feith ka thënë se kjo nismë nuk i ndihmon aspiratat e Beogradit për t’u afruar në BE – pasi që shumica e shteteve të Bashkimit Evropian tashmë e kanë njohur Kosovën.
Arsye e dytë sipas Feithit është se kjo iniciativë e Serbisë mund të ndikojë negativisht në rajon, respektivisht në përpjekjet për stabilizimin e situatës.
Ndërkaq, arsyeja e tretë sipas tij është se, shikuar në mënyrë globale, një mendim i tillë do të mund të çonte drejt analogjive dhe krahasimeve të ndryshme me vatrat tjera të krizës, gjë që kundërshtohet nga disa vende anëtare të OKB-së.
Sidoqoftë, Feith ka thënë se, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe çfarëdo qoftë vendimi i Gjyqit - ai vendim, për qeverinë e Kosovës dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën, nuk do të ketë implikime për t’i kthyer te akti i shpalljes së pavarësisë.
"Bëhet fjalë për mendim këshillëdhënës pa efekte obligative. Implikimet praktike janë të kufizuara”, ka thënë Feith. /Telegrafi/


