Pagat e larta të dy lojtarëve po bllokojnë planet e Barcelonës për transferime
Problemet e vazhdueshme të Barcelonës me rregullat e “fair-play” financiar të LaLigas kanë vënë sërish në vështirësi klubin katalunas, duke ndikuar drejtpërdrejt në planet e merkatos.
Pagat e larta të Inaki Peñas dhe Oriol Romeus kanë bllokuar largimet e tyre, duke rrezikuar njëkohësisht regjistrimin e afrimeve të reja si Wojciech Szczesny, Gerard Martin dhe Roony Bardghji.
Ekipi teknik i udhëhequr nga drejtori sportiv Deco po përballet me një verë të komplikuar. Detyra kryesore është largimi i lojtarëve të konsideruar të tepërt nga trajneri Hansi Flick, ndërsa kufizimet financiare të trashëguara nga bordet e mëparshme e vështirësojnë procesin.
Pengesa kryesore mbeten pagat e larta. Pena, i cili përfiton 3.25 milionë euro në vit, është objektiv i Comos dhe Celtas, por asnjë nga klubet nuk është e gatshme të mbulojë tërësisht kontratën e tij. Barcelona po shqyrton mundësinë që t’i zgjasë kontratën deri pas vitit 2026, për të shpërndarë pagën dhe lehtësuar huazimin e tij.
E ngjashme është edhe situata me Oriol Romeun, i cili fiton 3.47 milionë euro në vit deri në vitin 2026. Klubi po shqyrton ndërprerjen e kontratës, duke paguar një pjesë të pagës së tij të mbetur për të mundësuar rikthimin e tij te Girona.
Ky model financiar nuk është i ri për Barcelonën. Në vitin 2022, kontrata e Samuel Umtitit u zgjat për të mundësuar huazimin te Lecce dhe regjistrimin e Ferran Torres.
Po ashtu, huazimi i Antoine Griezmann te Atletico Madrid, i ndjekur nga shitja për 20 milionë euro, dhe zgjatja e kontratës së Clement Lenglet deri në vitin 2027, janë përdorur si strategji për të ulur barrën financiare.
Kohët e fundit, Ansu Fati u huazua te Monaco vetëm pasi kontrata e tij u rinovua deri në vitin 2028, duke i lejuar klubit francez të mbulonte vetëm një pjesë të pagës së tij prej 13.95 milionë eurosh.
Aktualisht, fatura e pagave në “Camp Nou” arrin në rreth 130 milionë euro në vit, me emra si Robert Lewandowski (33.33 milionë euro) dhe Frenkie de Jong (19 milionë euro), që rëndojnë ndjeshëm buxhetin e klubit.
Precedenti i vitit 2020, kur pas humbjes 8-2 ndaj Bayern Munich u shitën për tarifa minimale emra si Luis Suárez, Arturo Vidal dhe Ivan Rakitic, tregon një problem të përsëritur: Barcelona arrin të lirojë paga, por pa gjeneruar të ardhura të konsiderueshme. Ky model duket se po përsëritet tani edhe me Inaki Penan dhe Oriol Romeun. /Telegrafi/


