Pacolli lobon për njohje të reja
Njoftohet se gjatë qëndrimit në Nicë, kreu i AKR-së ka zhvilluar takime me liderë të vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me ç’rast ka shfrytëzuar këto takime për të kërkuar nga personalitetet më të larta të shteteve pjesëmarrëse, njohje sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.
Në njoftim thuhet se Pacolli në Nicë është takuar me ministrin e Jashtëm të Ganës, Alhaji Mohammed Mumuni dhe me ministrin e Jashtëm të Zambisë, Kabinga Jacus Pande, nga të cilët ka kërkuar njohjen e Kosovës, dhe njëherit ka paralajmëruar vizitën në këto vende gjatë muajit qershor. Kryetari i AKR-së është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Bernard Membe, i cili i mundësoi Pacollit takime shumë të rëndësishme me shumë shtete me rëndësi të Afrikës. Ndërkohë, bëhet e ditur se presidenti i AKR-së ka marrë premtim për njohje të shpejtë të Kosovës nga shteti i Tanzanisë, që siç thuhet, njohja nga Tanzania tashmë është në procedim e sipër.
Pacolli, të martën mbrëma në Nicë, shtroi një darkë miqësore ku ishin të ftuar 12 përfaqësues të lartë të shteteve Afrikane, me të cilat Pacolli po mban kontakte të vazhdueshme për njohje të pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/


