Pacolli i ndarë
Behgjet Pacolli të dielën botoi një shkrim me të cilin shprehu pozicionin e tij politik karshi Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aty thoshte se pajtohej me disa pjesë të angazhimit tonë politik për ta shprehur më pas kundërshtimin me disa tjera. Pra Behgjet Pacolli e pranon se është i ndarë në dysh – kjo një lloj skizofrenie politike. Në tentim të gjetjes së një mungese koherence në konceptin tonë politik, Pacolli shpërfaq mungesën e koherencës në të, çarjen e tij.
Në shkrimin e tij Pacolli flet për atë që na bashkon. Për ta diskutuar këtë gjë janë të domosdoshme disa parakushte. Njëri prej tyre, që njëkohësisht është edhe më i rëndësishmi, është sinqeriteti. Për të qenë të sigurt nëse bashkohemi diku, duhet t’i besojmë Pacollit. Prandaj nuk po e diskutojmë këtë fare. Të mos humbim energji me kërkimin e parakushteve. Se Pacollit i mungon sinqeriteti edhe kur flet për ato që na ndajnë. Ai thotë se ndahemi në pozicionin tonë karshi zgjedhjeve të cilat ne kemi thirrur të bojkotohen, e në të cilat Pacolli është duke marrë pjesë, pra edhe duke kërkuar pjesëmarrje sa më masive.
Mirëpo kjo nuk është gjëja e vetme ku ne ndahemi me Pacollin. Ai qëllimisht i harroi gjërat tjera të rëndësishme ku ndahemi. Në jemi kategorikisht kundër Planit të Ahtisaarit si frymë dhe përmbajtje. Pacolli e përqafon atë. Ne i kundërshtojmë fuqishëm dhe aktivisht 6 Pikat e Ban Ki-moon-it. Pacolli ka dalë publikisht në mbrojtje të tyre, madje duke i quajtur si jo edhe aq të këqija (për dallim prej perceptimit të tyre si një imponim nga jashtë).
Ne jemi kundër pushtetit ekzekutiv të ndërkombëtarëve në Kosovë, i përcjellë me imunitetin nga ligji dhe mungesën e llogaridhënies që këto kanë, në formën e ICO-së dhe EULEX-it. Pacolli i pranon këto, në tërësi, pa i problematizuar, dhe pa u ‘ndarë’ në asgjë me ta. Ne i kemi kundërshtuar, dhe jemi mbajtur në burg për këtë kundërshtim, Protokollet e EULEX-it me Serbinë. Pacolli prapë i ka pranuar këto Protokolle, madje pa e pyetur askush (se duke qenë në ‘opozitë’ ai ka mundur thjesht të hesht për Protokollet).
Ne jemi kundër këtij decentralizimi mbi baza etnike që e ndan Kosovën si territor, institucione (gjyqësi, polici, arsim, shëndetësi) dhe resurse (ujë). Pacolli e përkrah këtë decentralizim (edhe) përmes pjesëmarrjes në këto zgjedhje lokale. Ne jemi kundër procesit të privatizimit të zbatuar në Kosovë, dhe kundër shitjes së ndërmarrjeve publike të Kosovës. Pacollit kjo nuk i pengon. Asnjëra nga këto.
Por i pengojmë ne – thirrja jonë për bojkot. Se kjo na qenka për Pacollin thirrje për anarki. Pra nëse bojkotohen zgjedhjet, do të kemi anarki, që nënkupton se dalja në zgjedhje e eviton anarkinë, që po ashtu nënkupton se tash nuk kemi anarki. Por anarkinë e kemi pikërisht tash. Anarki përfundi diktaturës që po mirëmbahet me këto zgjedhje lokale që shërbejnë si ventil për koalicionin qeveritar qendror.
Në vend se të vazhdohet të krijohet masa kritike kundër tendencës totalitariste qeveritare dhe asaj paternaliste të ndërkombëtarëve, po shpërqendrohen energjitë drejt çështjeve komunale. A nuk është anarkiste gjendja politike sot: partitë në koalicion na paraqiten njëkohësisht sikur armiqtë më të mëdhenj politik, opozita (Pacolli) duket më e afërt me pozitën (PDK) se sa vet pozita (LDK), kurse Kryeministri premton miliona euro në fushatë sikur të ishin paratë e veta e jo publike.
Pacolli thotë që mosdalja në zgjedhje e vazhdon këtë pushtet, kur pikërisht dalja në këto zgjedhje është vazhdim i këtij pushteti në aspektin praktik (vazhdimin e jetës së pushtetit qendror) si dhe në aspektin teorik (vazhdimin e këtij pushteti si frymë). Pra kur Pacolli na akuzon neve për një lloj ndikimi anësor që thirrja jonë për bojkot do ta ketë (vazhdimin e pushtetit), vetëm ia ndërron vendet agjentëve pjesëmarrës në këtë të vërtetë – se jo bojkoti por pikërisht pjesëmarrja në zgjedhje e vazhdon këtë pushtet. Pra pikërisht vazhdimin e pushtetit të të këqijve, kategorimizim ky i cili Pacolli e quan tonin dhe nga i cili me perfiditet e përjashton veten.
Por pse po flet Pacolli tash për këto gjëra? Për vota. Pacolli po bën fushatë. Dhe në këtë është duke i shënjestruar ata qytetarë (që ai, dhe të tjerët si ai, i shohin vetëm si votues) të cilët pajtohen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, mirëpo mund ta kenë ndonjë rezervë të vogël. E ne u themi edhe atyre MOS VOTONI! E këtë thirrje ia bëjmë edhe Pacollit.
Bojkotoje veten për t’i kundërshtuar këto procese të dëmshme. Kështu Pacolli bëhet i sinqertë. Dhe vetëm kështu bashkohet.


