Please enter at least 3 characters.

“Ora e Tokës” shënohet edhe në Kosovë

2016/01/f.0326102639929_m.jpg

“Më 26 mars në orën 20:30 deri në 21:30 qytetet nga e gjithë bota, apo çdo një nga 6 banorët e Tokës do t’i fikin dritat dhe aparaturat e tepërta elektronike për një orë me qëllim të dërgojnë mesazh të fuqishëm se mund të merren masa konkrete kundër ngrohjes globale”, njoftohet në një komunikatë shtypi të Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA) dhe Shoqatës Ekologjike “Eko Viciana”.

“Ora e Tokës” filloi si aktivitet në vitin 2007 në Sidnej të Australisë, ku 2.2 milionë individë dhe më shumë se dy mijë biznese kapitale fikën dritat për një orë, për të mbajtur qëndrim solidarizues kundër ndryshimeve klimatike.

Vitin e kaluar, “Ora e Tokës” është mbështetur nga 4.600 qytete në më se 128 shtete të botës, kurse në Kosovë ky aksion u realizua me sukses në Prishtinë me ç’rast për një orë u fikën dritat në sheshin “Nëna Terezë”.

AKEA dhe “Eko Viciana” ftojnë të gjithë dashamirët e mjedisit të marrin pjesë si dhe të inkurajojnë të tjerë të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Qytetarët ftohen që të shtunën, gjatë orëve të mbrëmjes prej orës 17:00, të marrin pjesë në firmosjen publike për “Ora e Tokës” në sheshin “Nëna Terezë”, ku do të zhvillohet edhe manifestimi publik me ambasadorët e zgjedhur për këtë eveniment ndërkombëtar.

Shënimi i këtij aktiviteti në Kosovë, sivjet, mbështetet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /Telegrafi/