Një gjuhë, një abetare!
AK bëri edhe një deklaratë për shtyp me rastin e 103 vjetorit të alfabetit të unifikuar shqip, i vendosur nga Kongresi i Manastirit. Në të thuhet se 103 vjet pas asaj ngjarjeje madhore për gjuhën shqipe, shqiptarët ende nuk kanë unifikuar abetaren dhe sistemin arsimor, qyteti i Manastirit është lënë në harresë nga politikanët shqiptarë, dhe ata kanë përdhosur veprën e shquar të rilindësve.
AK thotë se nderon me kujtim punën dhe veprën e themeluesve të alfabetit shqip, që hodhi dritë 103 vjet më parë në qytetin e Manastirit si dhe shprehim indinjatën tonë të fortë për:
1. Braktisjen, harresën, rrënimin, shkatërrimin e simboleve të gjuhës shqipe duke filluar nga godina ku u zhvillua kongresi dhe u themelua alfabeti shqip dhe deri tek qyteti i Manastirit, i cili iu nënshtrua spastrimit etnik dhe asimilimit kombëtar e duke u lënë në mëshirën e fatit.
2. 103 vjet më pas shqiptarët nuk kanë të unifikuar abetaren, gjuhën dhe sistemin arsimor. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë, Abetaret janë në modele të ndryshme madje duke deformuar apo fshirë edhe simbolet kombëtare për qëllime përfitimi për zyrtarët e lartë shqiptarë dhe rrjedhimisht duke i hapur rrugën korrupsionit me botimin e abetareve.
3. 103 vite më pas shqiptarët nuk kanë një sistem arsimor të unifikuar dhe nuk kanë një strategji të përbashkët për edukimin historik, ligjor dhe gjeografik të nxënësve, dhe studentëve me trevat shqiptare dhe çështjen kombëtare.
4. 103 vite më pas ministra e politikanë kanë përdhosur veprën e rilindësve duke krijuar një sistem korruptiv të licencave të universiteteve, shit-blerjeve të diplomave, pazarit të masterave dhe trafikimit të studimeve universitare brenda dhe jashtë vendit, çka tregon qe vetëm rrugën e rilindësve nuk kane ndjekur, por kane krijuar posaçërisht për veten e tyre rrugët e korrupsionit dhe fitimeve personale.
“AK ndjen dhe shpreh mirënjohjen për ata që e krijuan alfabetin shqip, qe ne e shkruajmë prej një shekull dhe shprehim indinjatën për ata që e bastarduan, harruan, politizuan, keqpërdorën, abuzuan me abetaren, arsimin, kulturën dhe gjithë veprën e themeluesve të gjuhës sonë shqipe”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë. /Telegrafi/


