Një ditë Talati foli dy ditë...
Një ditë, njëri nga deputetët shqiptar nga radhët e BDi-së, kishte vendosur të flasë disa orë radhazi. Kjo ngjante me dëshirën e atyre që i hynë “betejës” për rekordin Guinness. Sa shumë e shumë foli ky deputet, sa që përnjëherë u shua, sikur ta shkyçje nga furnizuesi me rrymë nga ku e merrte furnizimin për maratonën e tij disa orëshe. Sigurisht, jo vetëm unë, por shumë nga bashkëqytetarët tanë nuk e dëgjonin se çfarë flet, por sa do të flasë… Shumë nga ne u bëmë kurioz të dëgjonim lajmet e të mësonim nëse është lodhur i “shkreti” Talat!
Maratona e “branitellave” nuk pati të ndalur, sa që ky që foli e foli dhe nuk ia doli të jetë i pari për fjalimin më të gjatë në botë. Tani hesht dhe vetëm, heshtë duke thënë se edhe kur hesht ai dhe partia e tij flet.
Edhe heshtja e Talatit u shndërrua në temë kyçe se çfarë ndodhi me të. Por, të gjithë ne që kërkonim të mësojmë heshtjen e tij, për një moment u befasuam nga cilësitë tjera të shfaqura nga ky deputet. Përnjëherë, Talati, i mërzitur nga heshtja e tij, shpërtheu me një poezi maqedonase nga Aco Shopov, të cilën e lexoi me aq emocione dhe përkushtim. Ai e kishte gjetur në sirtarin e tij një poezi mbi heshtjen nga ky autor, sepse nuk kishte mundur të gjej ndonjë të tillë në gjuhën shqipe.
Pasi kishte “shkëlqyer” në politikë, Talatit i kishte ardhur koha t’i dëshmonte kualitetet edhe në art, në recitimin e poezisë. Edhe pse problemi me ligjin e “branitellave” mbeti i pa refuzuar nga partia e tij, ai sidoqoftë na kënaqi me poezi të përzgjedhura nga një autor maqedonas. Më kujtohet një thënie e një mikut tim: “Përveç politikës na bajalldisën edhe poezinë”!
Poezitë e Talatit fare nuk e shqetësonin atë që injoron dhe përbuzë në çdo cep shqiptarët, kulturën dhe ndjenjën kombëtare, sa që ata të vetmit njerëz legjitim të luftës kan[ mbyllur veshët dhe s’e dëgjojnë, ngase “ai flet në mitingje brenda partiake”.
Sa herë që flasin duke u radhitur njëri pas tjetrit “zëdhënësat”, deputetë e ish-ministra, duke treguar muskujt se cili është më i madh dhe më i guximshëm, papritmas u shfaqet hija e tyre që dikur negocionte me ta, daja i kryeministrit Sasho Mihajllkov, i cili si duket mbanë hipotekat e BDI-së, të zëna peng në komisionin e Tome Haxhievit.
Në gjithë këtë nënçmim, shtrohet pyetja: ku ngelën organizatat e dala nga lufta, daja i BDI-së dhe ultimatumet e tij të SHVL-UÇK-së? Shtrohet pyetja e logjikshme: ku janë krekosjet e “dajës” që i tregonte, kur lexonte poezi në varrezat e dëshmorëve dhe që marshonte rrugët e Tetovës, nga selia në seli, me qindra ushtarë nga Kumanova deri në Priplep e Manastir? Si dhe ata të cilët kishin mbrojtur kalanë në 2001 dhe kishin mbajtur pikërisht “OVL-UÇK Kalaja”. Sikur të gjithë heshtën para komandantit të tyre, një, e i pakontestueshëm! Pse?
E kuptoj dajën, sepse tani ndodh që edhe daja të nxjerrë pushkë për nipin, sepse nipi i kishte dhuruar dy mandate deputeti. Por, nuk i kuptoj këta që s’e kanë as nip e as mik se kush ua mbylli gojën! Si kuptoj ata që u kapën për pushke se ku janë margjinalizuar që ç’do ditë po tallen me ta
Sinqerisht, më kujtohet nga një shkrim më herët kur ministri i Punës e Politikës Sociale, i asaj kohe Xhelal Bajrami. thoshte se po punohet për zgjidhjen e statusit të veteranëve të UÇK-së dhe të familjeve të tyre. Bile-bile, dhe se janë formuar grupe punuese, e kjo do të zgjidhej deri në fund të vitit. Por të cilit vit?
Të gjitha këto, shumë shpejt si sot që ndodh, ia demantonte zëvendësministri i tij, sa që u detyrua të ndërhyjë ish zëvendëskryeministri i atëhershëm, Abdylhaqim Ademi. Por, edhe këtë e demantoi kryeministri i tij dhe pa bërë shumë zhurmë u ul aty në vendin e tij.
Jam i habitur dhe shumë kureshtar të pyes se cilat komisione, për cilin ligj paskan punuar këta komisione që deri në fund të vitit të zgjidhnin çështjen e veteranëve!? Kjo është pyetje e logjikshme për secilin që mendon dhe për secilin që dyshon se përfaqësuesit e BDI-së po tallen me fatin e atyre, në emër të të cilëve ata janë në pushtet.


