Nitaj: S’kam hyrë në politikë për të përfituar (Video)
Nitaj tha se për të ka ardhur një moment që të ndryshojë kahe.
“Nuk e di nëse ka qenë vështirë ose jo, nuk mund ta përshkruaj, por secili njeri e ka një moment kur thotë: ‘Ndoshta ky është momenti që duhet të provoj diçka tjetër. Unë kam besuar se tash është momenti që të jem brenda strukturave që vendosin për këtë popull”, tha Nitaj.
Ai foli edhe për profesionin e tij të gazetarit duke treguar se ishte i gatshëm që dijen e tij ta transmetonte edhe në Radio Televizionin e Kosovës.
“Për 15 vjet kam qenë editor i BBC-së në Kosovë. Kam qenë njeriu kryesor dhe nuk besoj se angazhimi im ka qenë krejt i rastësishëm. Unë kam pasur dëshirë dhe gatishmëri që dijen dhe zanatin tim në sferën e medias ta ofroj në mediumin publik.
Jam ofruar për RTK-në, por në këtë vend vendimet i merr politika. Nëse nuk do ta kalosh Rubikonin në raport me partitë politike është pothuajse e pamundur që punën ta vazhdosh aty ku e njeh më mirë. Politika duhet t’i largohet njerëzit e saj që i kanë fijet e kontrollit në pjesë të caktuara të RTK-së”.
Ish korrespodenti i BBC-së pohoi se është i vetëdijshëm se ka pasur shumë njerëz që e kanë kritikuar për zgjedhjen e tij.
Nitaj shtoi se njerëzit nuk duhet të gjykohen sepse kjo është e drejtë e secilit.
“Unë s’besoj se ka njerëz që mund të besojnë se unë me profilin tim nuk kam pasur oferta të partive tjera. Kalimi nga gazetaria në politikë nuk është popullor për faktin se politika në këtë vend është fusha më e minuar. Njerëzit kur kalojnë në këtë fushë nuk janë të mirëpritur. Ka disa njerëz që krijojnë perceptimin se opinionitët dhe gazetarët shndërrohen në asete publike. Unë kam qenë një nga njerëzit që ka krijuar fansa, mbështetës që më kanë vlerësuar për atë çka kam thënë dhe për kurajën, tempin, ritmin dhe thellësinë e mendimit që ka pasur opinionin im”.
Por, ai tha se pavarësisht kontributit të tij si analist, askush nuk ka drejtë ta “kryqëzojë” për angazhimin e tashëm në fushën e politikës dhe vendimmarrjes.
“Ata njerëz nuk kanë drejtë të thirren se kanë pronësi mbi mua. Njerëzit kanë drejtë ta ndërpresin një aktivitet dhe të kalojnë në fusha të tjera. Ata që kalojnë në politikë nuk duhet të sulmohen”, tha Nitaj.
I pyetur se si ndihet pasi shumë kolegë të tij kanë dështuar kur janë përfshirë në politikë, Nitaj tha se kjo nuk i bën përshtypje.
“Mendoj që secili e ndërton modelin e tij. Nuk jam modeli i njerëzve që nuk kanë pasur sukses".
Ish analisti politik tregoi pse e ka zgjedhur partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
“Kam hyrë për ta imponuar atë që është vlerë e imja. Kam vendosur për AAK pas një takimi me liderin Ramush Haradinaj. Ka qenë ndershmëria se nuk po më thërriste për të ndryshuar unë, por që të jem pjesë e ndryshimeve. Nuk kam hyrë në një parti që është e fortë, që ka para dhe që e ka pushtetin”.
“Kam hyrë në një parti që nuk ka as para dhe as fuqi të ndjeshme politike, prandaj nuk kam hyrë aty – siç kanë pretenduar disa njerëz dhe kolegë – për të përfituar”.
Ai tha se duhet të punohet për ndryshimin e partive politike sepse ato janë kryesoret për të ardhmen e vendit.
“Në këtë vend, vendimet për të ardhmen i marrin partitë politike dhe nëse janë të pandryshueshme nuk mund të presim vendime të popullarizuara”.
“Prioritet duhet të ketë investimi në parti politike, sepse ato duhet të humanizohen pasi janë mekanizmi që prodhon vendime”.
Nitaj shtoi se mendon që mund të bëjë ndryshime, por nuk pret se ato do të ndodhin mrekullisht.
“Nuk e kam shkopin magjik që të ndryshoj gjithçka. Nuk kam pretendime se do të bëj mrekulli. Ndryshimi fillon me njeriun e parë dhe krijohet mekanizimi”.
Duke qenë se ka qenë një kritikues i madh i partive politike dhe politikanëve, Nitaj u shpreh se të njëjtën situatë e pret pa problem edhe ndaj tij.
“Kritikat mund të jenë të sakta dhe të argumentuara, ose jo. Nuk i kam problem fare kritikat”.
Nitaj foli edhe për gazetarinë, e cila, sipas tij, ka kaluar limitet dhe shpeshherë po shkel kodet etike dhe morale.
“Gazetarët nuk duhet të arrijnë në një stad që t’i kalojnë të gjitha normat etike. Portalet kanë një liri shfrenuese me të cilën njerëzit edhe abuzojnë. Pjesa më e madhe është gazetari konstruktive. Kam besim se gazetarët, megjithatë, në një sens janë humanë, jo në raport me mua, por me të gjithë. Po kërkoj ndërgjegje te disa kolegë të mi që janë në krye të portaleve që të vendoset kontroll profesional”.
Në fund, ai foli edhe për Gjykatën Speciale.
“Nëse Gjykata Speciale dështon nuk është faji i opozitës. Fajin për dështimin, ose kalimin, e ka shumica qeverisëse, koalicioni LDK- PDK. Nuk ka të bëjë me opozitën, por me mazhorancën, kryesisht PDK-në, që kishte 13 deputetë kundër. Unë kam thënë se Gjykata Speciale është e keqe e domosdoshme dhe ajo nuk mund të pengohet”, tha Nitaj. /Klan Kosova/


