Please enter at least 3 characters.

Në shitje fustani që Monroe e veshi në filmin e fundit

2016/01/marilyn.jpeg

Në fund të qershorit, shtëpia e ankandeve “Julien’s” në Beverly Hills të Kalifornisë, do të organizojë ankandin e përvitshëm hollivudian dhe në mesin e objekteve më të rëndësishme të këtij eventi është edhe një fustan i veshur nga Marilyn Monroe gjatë xhirimeve të filmit të saj të fundit.

“Fustani i Marilynit është pika jonë e fortë, e kemi edhe në kopertinën e katalogut; vlerësohet diku te 300 apo 500 mijë dollarë”, është shprehur drejtori ekzekutiv i “Julien’s Auctions”, Martin Nolan, transmeton Shekulli.

Këtë fustan, legjenda e ekranit e kishte mbajtur veshur gjatë xhirimit të “Something’s Got to Give”, film që e bëri në vitin 1962, por që nuk u përfundua kurrë siç duhej, për shkak të vdekjes së parakohshme të saj.

“Ky fustan ka një domethënie të veçantë; Marilyn e veshi gjatë filmit të saj të fundit, ky ishte fustani i fundit, që ajo mbajti në trup gjatë karrierës së saj. Përpos kësaj, fotoja e Marilynit me këtë fustan, ishte ajo që mbushi të gjitha gazetat kombëtare, kur njoftuan lajmin e vdekjes”, ka thënë Nolan.

Në ankand do të jetë edhe fustani “Versace” i veshur nga princesha Diana, ndërsa copat e tortave nga martesat e princeshës Ana, princit Andrew, ato nga të dyja dasmat e Charlesit, si dhe e fundit, ceremonia e lidhjes në kurorë të Princit William dhe Kate Middleton, shoqërohen me paralajmërimin se nuk janë për t’u ngrënë. /Telegrafi/