Në radhë të parë, ne jemi shqiptarë
“(Ky përvjetor) ka një rëndësi të madhe. Jemi populli më i vjetër në Evropë dhe kemi qenë të shtypur për një kohë shumë të gjatë. Por falë Zotit, mbijetuam”, ka thënë themeluesi i Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, Esad Rizai.
Gazeta njofton se në shtetin e New Yorkut jetojnë rreth 250.000 shqiptarë, shumica e të cilëve banojnë në Bronx. Më tej thuhet se komuniteti shqiptar ka zhvilluar festime disa ditë përpara datës së madhe të 100-vjetorit të pavarësisë duke përfshirë edhe fundjavën e kaluar, kur “Vatra” organizoi një darkë madhështore që tërhoqi qindra njerëz. Festimet u zhvendosën në Manhattan të martën me një ceremoni speciale në godinën e Bashkisë, ku disa prej figurave të shquara shqiptare u pritën me brohoritje dhe morën disa nderime të veçanta.
Në artikull theksohet se më 28 Nëntor, zhvillohen ceremoni të posaçme për ngritjen e flamurit shqiptar dhe festime në Battery Park dhe Times Square.
“Shqiptarët janë unikë në shumë mënyra. Në radhë të parë, ne jemi shqiptarë. Jemi të lidhur nga gjaku shqiptar. Kemi një kulturë, një histori, një flamur. Jemi popull krenar”, ka deklaruar Esad Rizai.
Pasi tregohet një histori e shkurtër rreth shpalljes së pavarësisë, Daily News thekson po ashtu se shumë qytetarë shqiptarë në SHBA e konsiderojnë një ngjarje historike çlirimin e Kosovës dhe e renditin mes datave më të shënuara shqiptare, por thonë se akoma ka punë për t’u bërë. /Telegrafi/


