Please enter at least 3 characters.

Në Maqedoni ka dominim e jo dialog fetar e civilizues

Ajo çka po ndodhë aktualisht me keqpërdorimin e fesë për qëllime abuzive politike, tejkalon caqet normale të një rezoni civilizues. Propagandës frontale kundër pjesëtarëve të besimit musliman, duke i futur të gjithë ata në thesin e fundamentalizmit, tash së fundi i ka dalur boja dhe moda, sepse në sipërfaqe po nxjerr krye fundamentalizmi politik ortodoks, i instrumentalizuar për qëllime ordinere manipulimi me masat

Në Ohër u mbajt konferenca ndërkombëtare për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues dhe ishte një rast i mirë të demonstrohet vullneti deklarativ për një afrim më të madh të popujve që u takojnë feve e civilizimeve të ndryshme. Për ironi të fatit, kjo konferencë u mbajt pikërisht në Maqedoni, në vendin ku mund të shërbejë edhe si model i keq i prishjes së komunikimit fetar.

Nëse në shtetet laike institucionet fetare janë të ndara nga shteti, ky nuk është një postulat që e kanë shpikur kot konstitucionalistët e mençur. Rruga e tansformimit të këtij modeli, ka kaluar nëpër një rrugë jo pa gjemba. Rezistuesit e këtij modeli, që mund t’i hasim edhe në ditët tona, duan që të vazhdojë monopoli i institucioneve fetare mbi poret e jetës së përditshme, përfshi edhe institucionet shtetërore.

Në Maqedoni, deklarativisht, feja është e ndarë nga shteti. Por në praktikë, ky kufi prishet varësisht se cila koniukturë politike është në pushtet. Specifika e një shoqërie shumëetnike e shumëfetare sic është Maqedonia, prodhon ngarkersa shtesë që e bëjnë raportin në mes të shtetit dhe fesë të jetë jo gjithmonë ashtu si shkruan në Kushtetutë.

Ajo çka po ndodhë aktualisht me keqpërdorimin e fesë për qëllime abuzive politike, tejkalon caqet normale të një rezoni civilizues. Propagandës frontale kundër pjesëtarëve të besimit mysliman, duke i futur të gjithë ata në thesin e fundamentalizmit, tash së fundi i ka dalur boja dhe moda, sepse në sipërfaqe po nxjerr krye fundamentalizmi politik ortodoks, i instrumentalizuar për qëllime ordinere manipulimi me masat.

Mbjellja e kryqeve nëpër kodra e kala, ndërtimi i kishave vend e pa vend, inaugurimi i objekteve publike përmes shugurimit të priftërinjve, janë gërvishtjet kryesore që e bëjnë fytyrën e Maqedonisë qesharake në sy të botës.

Që fatkeqësia të jetë më e madhe, është vetë shteti “laik” ai që i stimulon këto forma dhe dukje të demonstrimit e dominimit vulgar të një religjioni mbi religjionet dhe kulturat tjera në Maqedoni. Prandaj, edhe kjo konferencë që u mbajt në Ohër, do të duhej të merret edhe me këtë shqetësim që burimin e ka pikërisht në vendin e nikoqirit.