Ndeshja në Londër, autogoli në Prishtinë
Sulmin e futbollistëve të Çellzit e ndërpreu shënimi i politikanëve kosovarë, të mërkurën mbrëma në RTK. Atë që nuk arrinte ta konkretizonte Torresi me aleatë në Londër, e arriti Thaçi me rivalë në Prishtinë. Pacolli i pari, Isa Mustafa i dyti, Thaçi i fundit, kishin firmosur një marrëveshje që debllokonte krizën institucionale në Kosovë. Krizën që lindi nga një proces turpërues zgjedhor dhe u thellua në tentativë për të mbyllur shkel e shko atë proces. “Ne nominojmë Atifete Jahjagën kandidate për presidente të Kosovës”, deklaroi Thaçi, duke folur edhe në emër të Behgjet Pacollit e Isa Mustafës. Të parin aleat të së kaluarës. Të dytin, me gjasë të së ardhmes. Pacolli në konferencë herë paraqitej si lider i AKR-së, herë si ish President, e herë si sakrifikues “pa fajin e tij” – për të mirën e Kosovës. Kishte një lloj konfuzioni në përfaqësimin e tij, por rezultatet e marrëveshjes ishin të qarta – koalicioni mbetet në pushtet edhe për dy vjet e gjysmë të tjera. Me izëm të Isës. Atij që lidershipin e Thaçit e konsideronte jolegjitim, të dëmshëm, të keq e gjithçka tjetër negative. Tani e konsolidoi atë, duke regjistruar një autogol në qendër të Prishtinës, si nikoqir.
Nga kontestimi në përkrahje
Gjeneza e krizës politike në Kosovë burimin e kishte në abuzimin dhe vjedhjen masive të votave në zgjedhjet e dhjetorit. Mbi këtë arsye, LDK-ja në muajin shkurt konsideronte që mbi bazën e asaj “industrie të vjedhjes së votave” nuk mund të krijoheshin institucione legjitime në Kosovë. Mbështetja nga partitë tjera opozitare ia mundësoi kontestimin ligjor të institucioneve të krijuara në mënyrë antiligjore. Me sukses. Tani, arritja e marrëveshjes për mbetje të koalicionit që është themeluar mbi rezultatin e atyre zgjedhjeve, është vetkontestim i qëndrimit të shprehur në shkurt. Dallimi qëndron në faktin se kontestimin e bëri në aleancë me partitë opozitare. Marrëveshjen pa to. Vetëm një muaj e gjysmë më vonë. Ajo që atëherë ishte arsye për ta lëshuar sallën e Kuvendit, tash është shndërruar në arsye për ta votuar. Nën arsyetimin: “Për të mirën e vendit!”. Apo është efekt i 10 viteve të kaluara, si ves i të qenit në pushtet.
Ndërmjetësimi paralel
Të gjitha palët e përfshira, e konsideruan marrëveshjen si një sukses. Urimet e falënderimet për njëri tjetrin u shkëmbyen në të gjitha drejtimet. Mes pjesëmarrësve po se po. Por, edhe në raport me ndërmjetësuesin. Nuk u përfshi në këto mirënjohje UD i Presidentit, Jakup Krasniqi i cili kishte iniciuar një debat paralel për gjetje të zgjidhjes. Nga pozita e të parit të shtetit, të postit unifikues, Krasniqi kishte zhvilluar të mërkurën një cikël takimesh me liderë të partive politike. Takime që mbetën vetëm ceremoniale. Ritmi i qetë ndërmjetësues i tij kishte një konkurrencë dinamike tjetërkund. Larg tij, rezultati doli në skenë.
Marrëveshja u arrit nën ndërmjetësimin e z.Dell, duke i treguar z.Krasniqi se ku është epiqendra e diktimit të politikës në Kosovë. Njëkohësisht, e njoftonte se ketë herë e ka të shkurtër episodin presidencial. Tentativa e z.Krasniqi mbetet vetëm një nismë e vullnetit të mirë nga një pozitë me fuqi formale të madhe, por praktike të vogël. Ky realitet mund ta ketë bindur z.Pacolli që jo me ngulm të admirojë sërish atë post. Do ta synojë sërish kur të kryhet reforma dhe presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Reforma e trumbetuar zgjedhore
Të gjitha partitë politike në vend janë deklaruar në favor të ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Nën synimin që të kemi një president vërtet me rol unifikues, të gjithë kanë pëlqyer opsionin e zgjedhjes së Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Andaj, përse duhej një marrëveshje mes dy partive kryesore politike për ta lëvizur këtë pëlqim unanim të spektrit politik! Përse është i nevojshëm të shndërrohet në kompromis një element që zëshëm mbështetej nga të gjithë! Përse duhen 6-9 muaj për ndryshim të kushtetutës e ligjeve? Nëse akti më i lartë juridik i vendit, Kushtetuta, ka qenë e mundur për më pak se dy muaj të përgatitej, debatohej publikisht anekënd Kosovës dhe të miratohej në Kuvend, përse janë të nevojshme 6-9 muaj të reformohet një kapitull i saj.
Përse duhen 12 muaj për të reformuar sistemin e zgjedhjeve të përgjithshme! A janë këto procese më të komplikuara sesa përgatitja e Kushtetutës? Kjo tregon se opozitarizmi që u tregua i vendosur në Kuvend, u tregua i zbehtë në tavolinë. Nga një pjesë e opozitës. Nga LDK-ja. Kontestimi i institucioneve nuk është bërë për shkak të problemeve që i ka shkaktuar sistemi ose ligji zgjedhor, por për shkak të shkeljes dhe abuzimit të normave ligjore. Me pranimin e këtyre dispozitave të marrëveshjes legalizohen dhe legjitimohen institucionet që kanë dal nga procese antiligjore, disa akte të vërtetuara nga Gjykata Kushtetuese. Ndjekja penale e 140 personave për implikim në manipulimin e zgjedhjeve, më nuk ka kuptim. Fajtor paska qenë ligji, jo faktori njeri!
Infektimi me sindromin AKR
Në mandatin e kaluar, AKR-ja është vënë në shërbim të pozitës sa herë që për të kishte nevojë pushteti. Pozicioni i saj partiak ishte herë patericë e pushtetit e herë pjesë e opozitës. Në opinionin publik identifikohej më shumë si pjesë e të parës. Blloku opozitar nuk llogariste në të. Manovrat e asaj periudhe, i dhanë fryte në mandatin pasues. Tani. Shtatë për qind vota në zgjedhje, plot privilegje në pushtet. Në gjuhën ekonomike do të përkthehej si shkëmbim i shërbimit me privilegje. Me arritjen e marrëveshjes dje, LDK-ja konsolidon koalicionin qeverisës në pushtet dhe imiton AKR-në e mandatit të kaluar. Opozita në të ardhmen do ta sheh LDK-në si më të afërt me pushtetin se sa me të. LDK-ja duke konsoliduar qeverinë që nuk arrinte të konsolidohej e vetme, ka detyrime ta ruaj atë. Më nuk ka bazë për opozitarizëm. Duke ia forcuar themelet këtij koalicioni kur kishte rrezik të rrënohej, kjo pjesë e opozitës e humbë të drejtën e të bërit opozitë ndaj saj. Shumë më shumë sesa z.Pacolli, pjesë e këtij negocimi duhej të ishte pjesa tjetër e opozitës.
Edhe Vetëvendosje, edhe AAK kanë më shumë deputetë sesa AKR. Nëse LDK-ja e gjeti mbështetjen e pjesës tjetër të opozitës për ta kontestuar krijimin jokushtetues të institucioneve, tani i tradhtoi ata për ta konsoliduar atë pushtet jolegjitim, që u krijua me vjedhje të votave të qytetarëve dhe me tallje të opozitës e opinionit publik. Isa Mustafa çimentojë kështu koalicionin që kishte zëra kundërshtues edhe brenda vet partisë më të madhe, PDK-së. Njëjtë si Pacolli dikur, Isa tani ia bëri një shërbim Thaçit për t’iu kundërvënë rivalëve të tij të brendshëm që i kërkonin llogari për krijimin e krizës institucionale me koalicionin alla Benetton, AKR. Logjika e përvojave jo të largëta tregon se privilegjet pasojnë më vonë, në të ardhmen. Një çështje do dëshiroja ta dijë, a është tani projektligji për Prishtinën në tavolinë?…


