Ndërroi jetë aktori Roland Trebicka
“Mjeshtri i madh” i aktrimit që njihej më së shumti si “Jovan Bregu”, për shkak të rolit të tij në komedinë “Pallati 176”, i cili vijon të mbetet në kujtesën e artdashësve si interpretimi i tij më i mirë, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 65-vjeçare. Mësohet se aktori i ka kaluar momentet e fundit të jetës me të afërmit në shtëpinë e tij.
Ndërkohë që në familjen Trebicka janë hapur dyert e mortit, vajza e aktorit ka bërë të ditur se babi i saj vdiq duke menduar për familjen, madje u ka lënë amanet që të mos qajnë e të mos dëshpërohen nga humbja e tij, transmeton bë.
Ndërkaq në dyert e Teatrit Kombëtar është vendosur edhe lajmërimi për vdekjen e aktorit të madh, ndërsa homazhet në nderim të tij do të zhvillohen të enjten në ambientet e Teatrit nga ora 11:00-13:00.
Shenjat e sëmundjes iu shfaqën së tepërmi gjatë kohës që Trebicka po merrej me dramën "Një tablo absurde" në vitin 2011. Ai u kurua në një klinikë të specializuar në Paris të Francës, kundër kancerit në mushkëri, ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në kryeqytetin e Francës, për të u kujdes vajza e tij, që ndodhet prej vitesh me banim atje.
Dy muaj pas shtrimit të tij në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për financimin e kurimit të aktorit, i cili mbante titullin "Mjeshtër i madh". /Telegrafi/


