Please enter at least 3 characters.

Na turpëruat me zgjedhje

E largët duket dita qysh se në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet për pushtetin vendor. Mobilizimi i të gjitha subjekteve politike, çoi në pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në zgjedhje, duke i ndihmuar drejtpërdrejt thellimit të demokracisë foshnjore të Kosovës.

Edhe procesi i numërimit të votave, me disa përjashtime të papërfillshme, shkoi po ashtu mirë përgjithësisht, duke treguar se prova e parë e shtetit të Kosovës për ta bërë shtetin e mirëfilltë, dhe demokracinë qytetare po ashtu u dha, por ngërçi mbeti në zyrtarizmin e votave, apo shpalljen dhe certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Pa dashur të hyjë në temën e koklavitur të fituesit dhe të humbësit të zgjedhjeve, shpreh vetëm shqetësimin për dëmin që po i bëhet demokracisë së brishtë kosovare nga zhagitjet e pafundme për rezultatin zgjedhor.

Pas kontradiktave që linden me Prizrenin dhe Lypjanin, tash rasti i Gjilanit ua ka vënë kapakun intrigave të pafundme lidhur me procesin zgjedhor. Mosmarrja e vendimit të prerë për Gjilanin, po shkakton kundër neveri tek qytetarët e kësaj komune fisnike dhe demokracidashëse të Kosovës, ndërsa në nivel Republike, po turbullon gjakrat e njerëzve për faktin se me Gjilanin po merren çdo ditë, organet e shtetit, organet zgjedhore si dhe mediat e Kosovës.

Jam më se i sigurt se në rast të vendimit të ripërsëritjes së votimit në Gjilan, pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë minimale në zgjedhje, pra minimumi absolut që e plotësojnë, partizanët e partive dhe shokët e familjarët e kandidatëve, duke ulur kështu tej mase ligjshmërinë e kryetarit që do të votohej për herë të tretë.

Po ashtu është shumë shqetësues fakti se çfarë dëmi të drejtpërdrejtë, kjo zhagitje e gjatë po i bën proceseve të ardhshme demokratike në Kosovë, ku kërkohet vota e qytetarit, sepse bindja që tashmë ekziston në mendjen e njerëzve se “politika bëhet vetëm për interesa të një grupi të ngushtë”, do të manifestohet e dhe në plebishitet e tjera popullore, pasi që njerëzit do të ndihen të fyer nga shkelja e votës së tyre.

(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgoë, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgoë dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)