MKRS-ja shpërblen Federatën e Hendbollit me 10 mijë euro
Shala, pasi i uroi hendbollistët për rezultatet e arritura, tha se ky sukses i Përfaqësueses së Kosovës, është një fitore edhe për vendin ngase me rezultatet dhe me lojërat që ka treguar kjo përfaqësuese ka dëshmuar cilësi dhe konkurrencë përballë shteteve të tjera të botës, transmeton ‘Kosovapress’.
I pari i sportit, tha se Përfaqësuesja e Kosovës në Hendboll edhe pse ka pasur katër mungesa, ka treguar që është ekip stabil dhe shumë i lidhur.
“Unë ju dëshiroj suksese, besoj tani e tutje ju do ta keni më vështirë sepse ne presim medalje tjera dhe rangime edhe më të larta. Dhe unë e pashë që tani keni kualifikimet një grup relativisht i vështirë, po selektori tha se kemi gjasa në atë përbërje, ku duket që Bosnja është më e mirë”, tha Shala.
Ai tha se do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me Federatën e Hendbollit të Kosovës, dhe se është i vendosur që bashkëpunimin ta zhvendosin në nivel klubesh.
Ministri gjithashtu ka uruar dhe falënderuar FHK-në dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar për organizimin e mirë dhe të vlerësuar të Kampionatit Botërorë ne hendboll për shtetet në zhvillim.
“MKRS ka qenë një prej mbështetësve kryesorë të këtij kampionati dhe është nxitje që të punojmë edhe më tepër dhe të rrisim përkrahjen për sportin në tërësi, kur arrihen rezultate në gara dhe organizohen ngjarjet sportive në këtë mënyrë kur shtetet ekipet mysafire ndahen të kënaqura me mikpritjen që u bëhet atyre”, tha Shala.
Ndryshe, Përfaqësuesja e Kosovës arriti ta mposht Uruguain me rezultat 28:16, në luftën për pozitën e tretë, duke e siguruar medaljen e bronztë. /Telegrafi/


