Mjedisi ynë dhe ministri Yagcilar
Ministër,
Mendoj se si Kryetar i Partisë Ekologjike të Kosovës, më takon që të drejtohem përmes një letre të hapur dhe të reagoj dhe kundërshtoj për një gjendje tejet te rëndë e dramatike ekologjike dhe mjedisore në Kosovë, si dhe ndaj një angazhimi tejet të ulët i juaji dhe institucionit të cilin ju e drejtoni, në drejtim të përmirësimit, evitimit apo ndërprerjes së saj. A thua z. Ministër a jeni fare në dijeni se me çfarë rreziku ekologjik e mjedisor është përfshirë vendi ynë, për shkak të dhunimeve të rrezikshme dhe kaosit i cili për çdo ditë e më shumë i ekspozohet hapësira e jonë jetësore, për të cilën ju si ministër, në të vërtetë bash ju, jeni të obliguar edhe me Kushtetutë dhe Ligje, ta mbroni dhe reagoni për këtë gjendje të tillë ekologjike dhe mjedisore. Ju jeni Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa para hunde dhe atë në drejtimet të pikave më strategjike dhe të infrastrukturës rrugore, pa të drejtë, apo, çka është edhe më keq, me miratimin e juaj të heshtur, për çdo ditë lindin parqe të ndryshme industriale, komplekse urbane, varreza automjetesh, të cilat e degradojnë mjedisin jetësor dhe në mënyrë më të paskrupullt e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve tanë.
A mendoni z. Ministër se mund të jeni të qetë dhe pa brenga deri sa, për çdo ditë e më tepër qytetari ynë i pafajshëm i ekspozohet helmimeve nga Termocentralet tona, Feronikeli, Shar Cemi, por edhe një numër i madh i ndotësve të tjerë. Si mendoni ta pengoni një gjë të tillë? Tani për tani nuk keni ndërmarrë as më të voglin hap. Gjithashtu z. Ministër, akoma në mënyrë sistemore nuk është zgjedhur një çështje shumë e rëndësishme - çështjen e menaxhimit të ujërave të zeza, riciklimi, depot dhe menaxhimi i mbetjeve urbane, si dhe jeni të obliguar që qytetarëve tanë të ia shpjegoni se si dhe kur mendoni ta bëni përgatitjen e kushteve për shkatërrimin e mbetjeve industriale dhe spitalore, apo materieve të rrezikshme, por edhe të barnave, preparate dhe mallra të konsumit të gjerë me afat të skaduar, të cilat aktualisht ruhen nëpër depo apo vende të pa përshtatshme dhe të cilët paraqesin gjithashtu rrezik tejet të madh ekologjikë në vend. Me kenë konsultoheni lidhur me te dhe a thua qytetari ynë mund të jetë i sigurt se një ditë do të gjen zgjidhje edhe kjo çështje ?
Për mos angazhimin e juaj dhe mos përgjegjësisë institucionale, për tej mase rrezikohet i tërë sistemi ekologjik e mjedisor, por edhe ekosistemi, flora e fauna e Republikës së Kosovës. z. Ministër, në mënyrë permanente janë duke u shkatërruar shtretërit e lumenjve, burimet ujit, pyjet, livadhet dhe kullosat, toka e bukës dhe pasuritë të tjera natyrore. Gati në çdo hap, pjellin gurthyesit fantom, duke shfrytëzuar materie te ndryshme eksplozivi dhe në mënyrë drastike e rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarit tonë, rrezikojnë ekosistemin dhe ndotjet tjera ekologjike mjedisore. Për ne dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, keni obligim të na njoftoni se si rrodhi projekti i mbjelljes së dy milion fidanësh të premtuara nga Kryeministri i Qeverisë së Kosovës vite më parë, dhe se ku ka ngelur realizimi i tij. Jam i sigurt, gjithashtu z. Ministër se në tavolinën e juaj pretë për zgjidhje një numër i madh kërkesash nga qytetarët dhe biznesmenët kosovar, por edhe investitor të jashtëm, të cilët kërkojnë ndihmë dhe udhëzime lidhur me riciklim mbeturinash urbane dhe industriale, për të cilat nuk duhet angazhim i mjeteve nga Qeveria e Kosovës, por jam i sigurt se ato nuk merren në konsideratë për hir të mos përputhshmërisë së interesave financiare të pushtetarëve tanë.
Kështu nuk bënë z. Ministër. Nuk mund të silleni sikur në Mjedisin jetësor është çdo gjë në rregull. Urgjentisht duhet të zgjoheni nga gjumi dhe të ndërmerrni masa të duhura. Ta bëni një hap pozitiv për këtë shtet. Duhet të propozoni një pako masash dhe propozoni politika të reja ekologjike dhe mjedisore për këto çështje tejet të rëndësishme për qytetarin dhe të gjithë gjallesat të tjera të vendi tonë. Seriozisht të angazhoheni në implementimin e ligjeve dhe udhëzimeve të tjera administrative të cilat vet i keni propozuar dhe tani më janë miratuar. Më shumë vizion z. Ministër, guxim dhe shpejtësi veprimi. Nëse nuk mundeni, duhet të deklaroheni. Dorëheqja është akt moral, ose të tregoni që kjo Qeveri dhe MMPH nuk ka strategji se si duhet ruajtur Mjedisi ynë jetësor dhe ta rregulloj hapësirën e shtetit të vet konfromë vlerave dhe standardeve evropiane dhe botërore. Jo z. Ministër, nuk pajtohemi, madje fuqimisht do të reagojmë kundër asaj që shteti ynë më i ri në Botë të jetë pikë e zezë ekologjike e Evropës, por duhet të luftojmë që Kosovën ta ruajmë si një oazë shëndeti dhe të një shëndeti të mirë jetësor, aq më tepër kur dihet se qytetarit tanë i mungon një zgjidhje e mirëfilltë sistemore e çështjes së shëndetit të tij.
Dhe ne fund z. Ministër, i vetëdijshëm se jeni MMPH dhe jo edhe i Ministrisë së Shëndetësisë, apo i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ose i Transportit e PTT, për te cilët nuk mungojnë vërejtjet dhe kritikat, por çështjet e larte cekura kryesisht ju takojnë juve dhe Ministrisë të cilën ju e drejtoni dhe ju takon juve që këto probleme të gjejnë zgjidhje dhe t'i akordoni me kolegët e juaj dhe ministrive të cilat ndërlidhen me to.
(Autori është kryetar i Partisë Ekologjike të Kosovës)


