Miliona dhe hajna
MILIONAT: Po ta keni fatin që komuna juaj të udhëhiqet nga partia e Hashim Thaçit - mos bani gajle: miliona do të investohen dhe do të jetoni si në Zvicër! Premtime për investime marramendëse po jep lideri i PDK-së/kryeministri gjatë fushatës parazgjedhore. Milionat ai po i premton duke harruar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve.
Zyrtarë të partisë së tij kanë thënë se Thaçi po i bën premtimet në cilësinë e kryetarit të PDK-së. Por, ai po shihet e po dëgjohet duke thënë se realizimi i premtimeve do të bëhet me përkrahjen e plotë të qeverisë dhe të atij si kryeministër.
Thaçi po iu premton shuma marramendëse për investime vetëm kandidatëve për kryetarë të partisë së tij. Tjetër muhabet është se shumat e premtuara, me nga tetë zero, nuk ka gjasa të investohen. Të paktën jo sipas parametrave të buxhetit të Kosovës. “Kuletën e shtetit Thaçi e ka marrë me e rujtë, e jo me e shkepë”, tha këto ditë Lutfi Haziri. E kuleta e Kosovës është kuletë fukaraje!
BUKA: Një parti e vogël, Partia e Drejtësisë, nuk po premton miliona investime. Por, kjo parti ka bërë premtimin më konkret deri më tash. Kandidati i saj për kryetar të Gjilanit ka premtuar bukë për qytetarët me çmim 30 për qind më të lirë se tash, pa e dëmtuar buxhetin komunal. Ofertë më realiste dhe më “për toke” nuk është dëgjuar. Vetëm mund të paramendoni si iu duken premtimet milionëshe atyre që nuk kanë bukë të hanë.
GUNS’n’ROSES: Lutfi Haziri i LDK-së nuk foli vetëm për kuletën e shtetit, por edhe për partneritetin me partinë e Thaçit. Ai tha se koalicioni PDK-LDK është koalicion “Guns’n’Roses”, që vazhdon të bashkëjetojë në këngën që quhet shtet! Me “guns” (alltia), Haziri identifikoi PDK-në, e me “roses” (trëndafila) LDK-në.
Kjo fushatë zgjedhjesh po tregon se LDK nuk e ka ndërmend më të rrijë nën sqetullën e partnerit të koalicionit. Kritikat në adresë të Thaçit janë shtuar dhe duket se “vitet e mjaltit” po marrin fund.
Pavarësisht deklaratave optimiste të Thaçit e Sejdiut se me koalicionin gjithçka është OK, e vërteta është se asgjë më nuk është siç ka qenë. Dhe pritet të jetë edhe më keq.
EPS: Qytetarëve në veri të Kosovës ka nisur më në fund t’iu faturohet rryma elektrike që e kanë shpenzuar. Jo nga KEK-u, por nga Elektroprivreda Srbije (EPS)! Zyrtarë serbë kanë paralajmëruar shkyçjen e të gjithë konsumatorëve ilegalë në veri, me ndihmën e “Shërbimit Policor të Kosovës”. Veriu edhe enklavat i kanë borxh KEK-ut 100 milionë euro. KEK-u i furnizon me rrymë, e paret i merr një shtet tjetër. Hajde sovranitet, hajde!
HAJNAT: E parkon një njeri automjetin e tij para ndërtesës së qeverisë. I afrohet rojtari dhe ia tërheq vërejtjen: “Nuk mund të parkoni këtu! A e dini se këtu është qeveria?”. “E di, faleminderit. Por, mos u bëni merak, e kam alarmin e mirë nëse tentojnë të ma vjedhin!”.
Kjo është barcoletë. E, në realitet, sot në Kosovë politikanët - edhe ata që ishin në pushtet, edhe këta që janë - identifikohen si hajna. E kanë bërë veten të shihen të tillë nga qytetarët.
(Editorial i gazetës “Profil”)


