Please enter at least 3 characters.

Mes qytetarëve të marrë dhe të marrëve

Jo shumë larg Tiranës, një tjetër njeri qëndronte i lidhur me zinxhir. Sa larg dhe sa afër kësaj tragjedie njerëzore, që po përsëritet rëndom në Shqipërinë e absurditeteve. Përveç shumë padrejtësive dhe paradokseve të tjera, u zbulua se njeriu duhej të lidhej me zinxhir për të shpëtuar të tjerët. A është kjo një lloj depresioni shoqëror, ku përveç të sëmurëve, edhe të shëndoshët vuajnë nga të njëjtat simptoma? Apo historia moderne i dënoi ashpër këta njerëz tanimë të mundur nga fati dhe të mallkuar nga shoqëria?

Reagimi qytetar, krejt si herë të tjera, vijoi përgjumjen e tij, thua ka nisur stina dimërore e gjumit letargjik. Lajmi bëri bujë në medie, por jo në shoqëri, sepse askush nuk e ngriti zërin dhe nuk u kujtua t’iu jepte pak ndihmë, pak mbështetje, kaq të dëshiruar nga ato “viktima” të rregullit kapitalist, por jo të përparuar. Deri dje, ato vajza ishin të burgosura në liri. E si për ironi të kësaj situate, askush nuk u kujtua për to, thjesht dhe vetëm për hir të respektit njerëzor.

Tragjedia merr përmasa më të mëdha, kur në Tiranën e salloneve u thuren himne, lloj-lloj perversiteti njerëzor, teksa luftohet për të fituar të tjera liri, të sanksionuara me ligje mediokre, thjesht dhe vetëm për të plotësuar tekat e të marrëve modern. Liri që në fakt, është një hap pranë marrëzisë. Ata që ngritën zërin, dhe shënuan arritjen e radhës të organizatave të tyre, nuk u shqetësuan kurrë, se pak përtej gardhit, skllavëria “jetonte” vitesh, me gjithë forcën e saj mbi njerëz të pafajshëm. Jo! Jo! Askush nuk u kujtua se në këtë vend, jeta qenka kaq e lirë, kaq e pavlefshme. Askush nuk u kujtua se liria është shumë e shtrenjtë, kur të mungon plotësisht.

Por, qytetarët e moderuar, ata intelektualë që “pushtojnë” ekrane mediesh, propaganduan të tjera liri të pakufizuara gjer në perversitet. Kjo për ta, qe beteja e radhës e fituar, thjesht dhe vetëm për të shënuar edhe një tjetër sukses në arratisjen përtej lirisë së arsyeshme të qytetarit. Ata u gëzuan që një ligj, kënaqi dëshirat e tyre trupore. Por pak më tej, dikush nuk kërkonte deri këtu. Në fakt, janë të sëmurë mendorë. Po! Ata janë të sëmurë, nuk janë të arsyeshëm. Por kjo nuk do të thotë, se ata duhet të përbuzen, të trajtohen çnjerëzisht. Duket se atje, koha paska mbetur prapa në histori, ku lidhja e njeriut me zinxhirë ishte kthyer në një zakon, që nuk ishte përsëritur vetëm disa ditë, POR PLOT 20 VITE. Dikush, denoncoi një rast. Por kjo nuk mjaftoi, pasi të tjerë dolën në skenë, si për të thënë se këtu ndodhet ende historia, ende skllavëria.

Për ironi, policia dhe mjekët e Dibrës mbërritën në familjen e rrënuar ekonomikisht, duke marrë masa. Si mundën t’i hiqnin ato zinxhirë, të cilët ishin ndryshkur në kyçet e dy femrave?! Si mundën që të shkonin kaq vonë atje për t’i dhënë pak shpresë të pashpresëve? Deri më dje, askush nuk ishte interesuar për këta dy njerëz të lodhur nga jeta e të poshtëruar nga njerëzit. Të gjithë jemi fajtor për këtë lajm të dhimbshëm që vjen nga Shqipëria e vogël. Duket se jemi mësuar të bashkëjetojmë me të keqen dhe mjerimin shoqëror.

E duke qenë se e pranojmë, në një farë mënyre, jemi bashkëfajtorë. Është një lajm i dhimbshëm, por të paktën edhe pse vonë, dikush gjeti lirinë në paarsyen e tij. Ndërsa 20 vitet e shkuara, të gjithë njerëzit e këtij vendi ua kanë borxh, një borxh i rëndë që nuk shlyhet me asgjë. Fajtorë janë të gjithë ata që jetuan në atë zonë, pasi nuk morën kurrë guximin për ta denoncuar këtë histori të trishtë. Fajtorë jemi edhe ne këtu, pasi humbasim shumë kohë, me dalldinë e qytetarisë, që kërkon më tej në ngopjen e dëshirave. Fajtorë janë të gjitha ata që vetëdeklarohen si flamurtarë të të drejtave të njeriut. Sot ata nuk janë. Dhe në qofshin, janë vetëm shërbëtorë të liberalizmit të pakufi dhe të marrëzive të qytetarisë.

Dashtë Zoti, që nesër të mos ketë më të pranguar në liri, të pafajshëm të “burgosur”. Sot, tetë duar nuk e mbajnë më peshën e rëndë të zinxhirëve. Le të jemi pak më të mëshirshëm dhe të denoncojmë çdo herë, kur dinjiteti njerëzor shkelet pa të drejtë. Se vetëm kështu mund të jemi qytetar të mirë.