Please enter at least 3 characters.

Luftënxitësit!

Shqiptarët në Maqedoni janë jetimë... Regjimi i Nikola Gruevskit kur ia ka ëndja i vret, i rrah, i përbuz, "ekzekuton" dhe ua djeg simbolin - flamurin kombëtar. Politikanët si Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e të tjerët, tregohen të moderuar, demokratë, bëjnë politikën "nxehtë - ftohtë"... I dënojnë aktet antishqiptare sa për t'i dënuar, për të mos thënë se nuk po reagojnë. Por, tjetër është dënimi verbal, tjetër ndërmarrja e masave konkrete.

Ai që ta vret popullin, s’rrihet me të në qeveri. Ali Ahmeti i BDI-së, që është në koalicion me qeverinë, paraqitet eufemik. E cilëson çmendinë maqedonase si diçka spontane, që s'ka prapavijë politike... Sipas tij, shteti nuk i vret, nuk i rrah shqiptarët, po këtë e bëjnë individët! Ai e shfajëson Gruevskin, nuk gjuan gurë mbi të, ngase s'bën me ia prish shefit. Gruevski është luftënxitësi, katalizatori i të gjitha të këqijave. Assesi t’i ndalet turri këtij zotërie.

Po ashtu, të moderuar paraqiten edhe fqinjët, krerët e dy shteteve, të Shqipërisë e Kosovës, Sali Berisha e Hashim Thaçi. Heshtin këta, së paku nuk i dërgojnë notë proteste Qeverisë Gruevski. Nuk e bëjnë këtë, ndoshta për hir të asaj që “të mos ftohen marrëdhëniet diplomatike”.

Shqiptarët në këtë shtet - "dhuratë të Titos" - i kanë vrarë e rrahur edhe në kohën e sistemit monist. Por, para dyzet vjetësh, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sali Bajra, ua pat treguar "dhëmbët". Ai u dërgoi ultimatum autoriteteve maqedonase që ta ndalin dhunën ndaj shqiptarëve, ndryshe do të pasojnë të njëjtat masa...

Ultimatumi, i dërguar gjatë 1969-ës, përkonte: "Ju po na rrihni, do t'ju rrahim edhe ne juve".

Bajra jetësoi e ultimatumin. Vuri “rampën" në Han të Elezit, ua ktheu hakun maqedonasve... Veprimi i tij atëbotë qe cilësuar si "skandal politik". Bajra e dridhi Jugosllavinë! Regjimi i Titos e shkarkoi Bajrën nga posti i kryetarit të Komunës, si të papërshtatshëm moralo - politikisht...

E përmenda Bajrën, si dëshmi të një kohe, se politikanët si ky nuk i kanë dënuar aktet verbalisht, por kanë ndërmarrë veprime konkrete.

Shqiptarët në Maqedoni i kanë vrarë dhe i vrasin edhe sot si lepujt. Si reporter i "Rilindjes", më 1992 kam shkruar për rastin e Bit Pazarit në Shkup. Kam raportuar nga vendi i ngjarjes. Atëherë milicia pati vrarë tre të rinj shqiptare dhe një grua maqedonase (duke pandehur se ajo është shqiptare). Viktimat janë qëlluar pas shpine.

Kam marrë pjesë në funeralin e tyre. Një gjë më ka rënë në sy aty: mbishkrimet në varret e shqiptarëve ishin të shkruara në alfabetin cirilik! Kjo flet më së miri se edhe për së vdekuri shqiptarët ishin të diskriminuar.

Nikola Gruevski, i veshur me nacionalizëm të shpifur, i frynë zjarrit që prodhon konflikte etnike. Gruevski është luftënxitësi, katalizatori i të gjitha të këqijave. Me "izën" e tij mori dritën jeshile Enciklopedia maqedonase ku shqiptarët paraqiteshin të egër, të "rënë nga mali". Pas reagimeve, kjo Enciklopedi doli të jetë “invalidë”!

Për krimet ndaj shqiptarëve Gruevski hesht. Ndërsa, kur i kallet dhelprës bishti, bëhet kiameti. Kur u dogj flamuri maqedonas vjet në Kaçanik, dhe para disa dite në Burrel, Qeveria Gruevski i dërgoi notë Qeverisë në Kosovë dhe asaj në Shqipëri.

Maqedonasit që kanë problem me identitetin e tyre, nuk dinë a janë bullgarë apo serbë, shfryhen në shqiptarët, bëjnë akte sadiste ndaj tyre, sillen si xhandarë… Gjithnjë duke iu përmbajtur parimit latin: “Quis lingua eius regio” (E kujt është gjuha, atij i takon territori).

Zhveshja nga faktori shqiptar s’është gjë tjetër pos një harakiri shpirtëror, një vetëvrasje.

Para një dekade, maqedonasit e shprehën kompleksin e tyre duke e ngritur një kryq gjigand në Shkup, mbi një kodër, në drejtim të Luginës së Pollogut. Ky kryq gjigand shihet nga të gjitha anët e Shkupit, vezullon edhe natën. E bënë këtë për të krijuar imazh se kjo tokë është “vetëm e maqedonasve”. Shqiptarët i cilësojnë si qytetarë të rendit të dytë, të tretë. Pareshtur iu kërcënohen: Rrini urtë, mos qoni krye, ne edhe ju vrasim…

Para ca ditësh shpërndahet një video në internet. "Zhurnali" nis me paraqitjen e një kryqi të madh, bërjes bashkë të shuplakave në shenje të lutjes. Pastaj paraqitet filmi. Aty duken dy persona me maska, të veshur me të zeza, me kryqe ne ballë. Në mes të tyre një kryq i madh. I pari mban një bajonetë, ndërsa tjetri shpalos flamurin shqiptar. I futet flaka flamurit. Mbetjet shkelen.

Kjo skenë nuk është e Al Qaedas, as e ndonjë organizate tjetër, por e një organizate që veten e quan “Hristijanska organizacija” (Organizimi i krishterë), e cila e ka paraqitur videon e përmendur më 10 mars 2012. Ajo fton maqedonasit joshqiptare që "të zhduken" shqiptarët myslimanë. Para se të djegin flamurin, në sfond është një këngë e afërt me ato liturgjike. Maskat kërcënojnë me jetë shqiptarët në Maqedoni dhe përgjithësisht ku jetojnë shqiptarët; kërkojnë bashkimin e të krishterëve kundër shqiptarëve.

Video shoqërohet me titra në anglisht dhe pasohet me djegien e flamurit shqiptar. Kur flasin, personat e maskuar e kanë zërin të kamufluar, mesa duket që të mos mundësohet identifikimi i tyre.

“Mos provoni të digjni tempujt e shenjtë të krishterë. Mos luani me jetën tuaj, jetën e fëmijëve tuaj sepse or myslimanë, ju ka ardhur fundi ju dhe u ka ardhur fundi i fesë suaj, Zotit tuaj dhe xhamisë tuaj”, thonë në mesazhin e tyre këta nazistë të maskuar.

Njerëzit me maska shajnë edhe Zotin. Kjo s’është befasi, ata e shajnë Diellin, bukën…

Dalja në skenë e kësaj videoje nuk është e rastësishme, sikundër që nuk janë të rastësishme as aktet makabre ndaj shqiptarëve, vrasja e dy të rinjve në Gostivar, thirrjet për shfarosjen nga tifozët e një loje basketbolli (të shoqëruar me policë), rrahja brutale e 15 nxënësve, thyerja e dyqaneve në Shkup. Nuk është e rastësishme filarmonia antishqiptare e popëve, akademikëve, politikanëve, sportistëve maqedonas... Se shqiptarët fyhen si komb flet Enciklopedia maqedonase, ulërima e tifozëve të futbollit në Prilep, të njohur me nofkën “Majmunët”, gjatë ndeshjes miqësore Maqedoni- Shqipëri, ku u kërkua shfarosja jonë…

E mira e së mirës është që maqedonasit të këndellën, të lënë anash aktet primitive të kohës së mesjetës. Ta bëjnë këtë në të mirë të paqes në Ballkan, rajon.

Më mirë tash. Nesër mbase bëhet vonë.