Liderët, mesazhe urimi për festën e Kurban Bajramit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në telegramin e urimit shprehet “Ju uroj këtë festë të madhërueshme të sakrificës, si simbol të flijimit dhe të mirësisë njerëzore ndaj krijuesit. Le të jetë kjo ditë e veçantë e afërsisë dhe e ndihmës ndërmjet gjithë qytetarëve të vendit.Uroj që festat tona t'i kremtojmë në begati edhe më të madhe, në shtetin sovran të Kosovës”.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi përgëzoi kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërrnava dhe besimtarët myslimanë të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
“Kjo festë lartëson shpirtërisht besimtarët islamë kudo në botë duke forcuar vlerat e besimit në Zot, bashkon njerëzit në harmoni midis tyre, ngrit ndjenjat e solidaritetit ndërnjerëzore dhe zgjon idenë e sakrificës për të mirën e përgjithshme. Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e sigurt drejt implementimit të agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri”, shprehet Thaçi.
Ai vlerësoi se sivjet festa e Kurban Bajramit ka edhe një simbolikë të veçantë. “Republika e Kosovës ka përmbyllur me sukses mbikëqyrjen e pavarësisë dhe po këtë vit kremtohet 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë”, shprehet kryeministri.
Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar besimtarët myslimanë dhe myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.
“Duke ju uruar harmoni në familjet e Juaja, me lejoni që në emër të qytetarëve të Prishtinës, dhe të Republikës së Kosovës të ju shpreh urimet më të sinqerta për festën e Kurban Bajramit. Dita e Kurban Bajramit për ne qytetarët e këtij vendi të jetë një ditë e shpresës dhe një arsye e fort që të gjithë bashkërisht të punojmë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit Tonë”, thuhet në telegramin e urimit të Mustafës.
Edhe zyrtarë të tjerë vendor, parti politike dhe përfaqësues të organizatave kanë uruar qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit. /Telegrafi/


