Le të fitojë oferta për Prishtinën Evropiane
Në të gjitha zgjedhjet që organizohen në çdo shtet demokratik të botës, pa dyshim se njëra ndër sfidat kryesore të partive politike është se kush do ta fitoj kryeqytetin. Prandaj, natyrshëm, beteja më interesante në këtë proces garues të 15 nëntorit do të jetë ajo e cila zhvillohet në Prishtinë. Ka shumë arsye apo faktorë se përse Prishtina do të jetë epiqendra e këtyre zgjedhjeve, por në këtë analizë do të përmendim disa prej tyre. Në Prishtinë jetojnë më shumë së ¼ apo çereku i popullsisë së përgjithshme të Kosovës; buxheti i kryeqytetit është shumë më i lart krahasuar me të gjitha komunat tjera dhe Prishtina – kryeqyteti ka më shumë simbolikë në zgjedhjet lokale, sepse edhe mund të shërbejë si pikë krahasimi e referimi për fitoren e përgjithshme të subjektit politik nga i cili vjen kandidati.
Do të dukej skajshmërisht spekulative nëse përdorim rezultatet e zgjedhjeve të kaluara si njërin nga instrumentet për të parashikuar fituesin e këtyre zgjedhjeve, sepse nga zgjedhjet e kaluara qendrore dhe lokale ka ndryshuar konfiguracioni politik , apo harta politike në Kosovë. Pikërisht në zgjedhjet e kaluara të para dy viteve ndryshoj fituesi- ndodhi rrotacioni politik , pastaj ndryshuan edhe qeverisjet, si ato në nivelin qendror por edhe ato në nivelin lokal. Dy vitet e fundit kemi koalicion tjetër të qeverisjes në nivelin qendror, kurse skema qeverisëse e nivelit lokal është me hibride se kurrë me parë. Në komuna të Kosovës kemi koalicione të cilat janë ndërtuar për herë të parë që kur organizohen zgjedhje të lira në Kosovë si: PDK-LDK; PDK-AKR; PDK-LDD; AAK-LDD; LDK-AAK e të tjera, pa përfshirë këtu edhe partitë e tjera më të vogla apo të minoriteteve. Modalitete të tilla të koalicioneve qeverisëse mes partive oponente në vendet me traditë demokratike tanimë konsiderohen të tejkaluara dhe jofunksionale.
Zgjedhjet e nëntorit të këtij viti janë më interesante edhe për faktin se në këto zgjedhje lokale për herë të parë kemi koalicione parazgjedhore të nënshkruara nga liderët e partive politike dhe koalicione të tjera të cilat duken në hije, por jo të proklamuara për publikun, që u japin edhe më shumë sharmë e kërshëri këtyre zgjedhjeve , aq më shumë kryeqytetit.
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve për të parin e kryeqytetit rritet edhe më shumë kur dihet se kryetari i komunës me ligjin mbi administrimin e pushtetit lokal ka shumë më shumë kompetenca, kurse në perspektivë do të miratohet edhe ligji mbi kryeqytetin që do ta fuqizojë edhe më shumë postin e të parit të kryeqytetit, pa harruar edhe mandatin e tij katërvjeçar, më të gjatë se në të gjitha zgjedhjet e kaluara.
Nëpër kokat e qytetarëve të Prishtinës vlerësoj se qarkullojnë tre emra si kandidat më potencial për ta qeverisur Prishtinën për katër vitet e ardhshme. Ata janë: Astrit Salihu, Isa Mustafa dhe Vegim Gashi, ndërsa të tjerët vlerësoj se edhe vet janë të vetëdijshëm se i kanë hyrë procesit garues vetëm sa për të plotësuar mozaikun edhe pse në kalkulimet e tyre mendore , partiake e sidomos mediatike, pa hezitim proklamojnë se do te dalin fitues të zgjedhjeve.
Një çështje shumë e rëndësishme e cila do të duhej më shume të trajtohej nga partitë politike gjatë kandidimeve për kryetar është nëse oferta e tyre kënaq votuesin-qytetarin e Prishtinës, ose ta themi më qartë a do të jetë banori i kryeqytetit aktorë apo spektatorë në përzgjedhjen e tij?. Të gjithë kandidatët në fokusin e ndërtimit të strategjisë së tyre për këto zgjedhje do të kenë ndër synimet kryesore që spektatorin ta shndërrojnë në aktorë, gjithnjë duke pasur parasysh se në të gjitha zgjedhjet e kaluara Prishtina i ka prirë qyteteve me pjesëmarrjen më të ulët në votime. Mbase edhe ky mund të jetë njëri ndër elementet e rëndësishëm që do të përcaktojë fituesin e Prishtinës. Parametri më i saktë për të vlerësuar (pa) kënaqësinë e tyre do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje.
Cila prej partive, ose cili prej këtyre kandidatëve të propozuar ndjell më shumë optimizëm realist për një Prishtinë ndryshe, për një Prishtinë evropiane?
PDK-ja me Astrit Salihun, si të parin e Prishtinës do të ndjehej më e plotësuar si parti më e madhe në vend dhe do të plotësonte boshllëkun e munguar tetëvjeçar për të qeverisur me kryeqytetin. Të qenurit kandidat i propozuar për kryetar të kryeqytetit në të cilin shtet me pushtetin qendror qeverisë partia nga e cila vjen kandidati është përparësi strategjike, sidomos në vendet të cilat nuk e kanë kaluar tranzicionin.
LDK-ja me Isa Mustafën do ta ruante mburrjen dhe krenarinë para elektoratit të saj të tkurrur se qeverisë me kryeqytetin dhe se synon “tapinë” në Prishtinë, kurse AKR kërkon që të faktorizohet edhe më shumë si subjekt politik duke synuar qeverisjen pikërisht në kryeqytet, ku ndjehet më e fortë krahasuar me qendrat tjera.
Të gjithë votuesit e Prishtinës para se ti afrohen kutive të votimit do të duhej të mendonin se përse duhet, apo përse nuk duhet të votohet njëri nga kandidatët. Për të hequr këtë dilemë nuk e kanë lehtë. Misioni për të zgjedhur (votuar) alternativën më të mirë është shumë i vështirë.
Elektorati i Prishtinës pas vetes ka tetë vite të qeverisjes nga kandidatët e LDK-së dhe për çdo ditë kanë prekur e parë ndryshimet që (nuk) kanë ndodhur në kryeqytet. Le të pyeten se a e kanë dashur një Prishtinë të tillë? Të njëjtit para vetes kanë në dispozicion 30 ditë fushatë parazgjedhore ku nga afër do të dëgjojnë me pompozitet premtimet e kandidatëve se cila është oferta e tyre për ata. Duke analizuar ne retrospektivë ofertat – programet e kandidatëve të mëparshëm, atëherë pa dilemën më të vogël ajo ofertë në kundërvlerë do të jetë po aq joshëse, apo ndoshta edhe më shumë se sa e kandidatëve që garojnë për Londrën, Parisin, Brukselin apo Tiranën.
Kush do ta fitojë derbin e madh të 15 nëntorit është ende e vështirë të parashikohet , por sondazhet dhe parashikimet e lexuara të këtyre ditëve rezultojnë në një rivalitet të skajshëm nga ana e tre kandidatëve. Dukuria e cila ende nuk është tejkaluar te shumica e votuesve dhe e cila do të reflektojë edhe në këto zgjedhje për të parin e Prishtinës është se qytetari ende voton bazuar në përkatësinë e tij politike.
Cilat janë pritjet nga 15 nëntori për të parin e Prishtinës? A do të ndodhë rotacioni- ndryshimi?
Së pari do të dukej iluzore nga partitë politike apo edhe vet kandidatët se Prishtina mund të fitohet pa balotazh dhe së dyti të gjitha parashikimet janë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë i ngushtë. Më i ngushtë se në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Në parim në zgjedhjet e viteve të fundit të organizuara në shtetet e Bashkimit Evropian është votuar për ndryshimin.
Po të parashtrohej pyetja se kush do të duhej ta fitonte Prishtinën , atëherë përgjigja do të ishte më e lehtë dhe me e thjeshtë. Prishtinën duhet ta fitoj ai që do të mund ta bënte një Prishtinë Evropiane.
Ballafaqimi i kandidatëve gjithsesi se në horizont duket të jetë interesant. Gara tashmë ka filluar para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore dhe do të vazhdojë edhe pas 15 nëntorit.
Qytetarët e Prishtinës të lodhur nga të qenit iluzionistë se vërtetë ndjehen qytetarë kryeqyteti , por edhe ata të Kosovës, duan Prishtinë Evropiane jo ne letër – në programet ose platformat e partive apo kandidatëve për kryetar të Prishtinës, por Prishtinë Evropiane në vepër. Pa kaos urban , pa mungesë të infrastrukturës më elementare, pa keqmenaxhim të parasë publike ... mbi të gjitha pa ndjenjën e inferioritetit se qyteti i tyre nuk i ngjan një kryeqyteti evropian.
(Autori ka përfunduar studimet për master në menaxhment internacional)


