LDK nuk përkrah lobimin e Veselit për viza, e quan shpenzim të panevojshëm të parasë publike
Kryeparlamentari Kadri Veseli së bashku me një delegacion pritet të qëndrojë sot dhe nesër në Vjenë të Austrisë, për të lobuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Këtë lobim të Veselit për viza nuk e përkrah Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kështu ka pohuar shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se nuk i bashkohen turit lobues të Veselit, sepse konsiderojnë se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.
“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i plotë:Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues - turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës.


