Kush po i vret gazetat?
Në Kosovë e Shqipëri ka shumë gazeta ditore, ku vetëm disa prej tyre qëndrojnë mirë me shitje, por në përgjithësi mediat e shkruara janë duke vdekur dhe shkak i kësaj është numri në rritje i blogjeve dhe faqeve tjera online për lajme.
Në tetor të vitit 2009, CEO i shërbimit të lajmeve Associated Press, Tom Curly, tha se blogjet po largojnë sasi të mëdha të të hyrave nga krijuesit origjinalë të përmbajtjeve. Në të njëjtën kohë, Rupert Murdoch thumboi blogerët duke thënë se ata do të shkaktojnë që ai dhe kompania e tij News Corp, që e ka kompani amë Wall Street Journal dhe New York Post, të paguajnë “me kokë” nëse ata nuk mbahen nën kontroll.
Blogjet, portalet e mediat tjera si Facebook e Twitter i kanë bërë gazetat të jenë më relevante. Nëse dëshironi të jeni të informuar më shpejtë dhe me lajme të specifikuara, atëherë blogjet janë një resurs i shkëlqyer. Nëse dëshironi lajme më lokale, rreth rajoni të Shqipërisë apo Kosovës, mediat e shkruara nuk janë forma e parë që parapëlqejnë përdoruesit për t’u informuar, portalet si Telegrafi.com, Koha.net, gazetaexpress.com, Shekulli.al, balkanweb.com, top-channel.tv, noa.al e shumë të tjera, janë forma më e shpejtë dhe më e mirë për ta për t’u informuar me kohë dhe për të rejat më të fundit nga cilado fushë, qoftë politike, sportive apo argëtuese.
Secili prej portaleve ka shumë kategori në vete dhe sjellin lajmet më të fundit në gjuhën shqipe, por ka edhe faqe të dedikuara për lajme nga një fushë e caktuar, siç është PCWorld Albanian, që përmes faqes së saj të dedikuar për teknologji, sjell të rejat më të fundit botërore dhe vendore nga skena e IT-së te lexuesit e saj të shumtë. Pastaj ka edhe ueb faqe tjera specifike për lajme nga shou bizi e sporti, apo edhe media informimi mund të llogariten edhe forumet.
Pastaj rrjetet sociale si Facebook e Twitter po na informojnë për shumëçka prej shumë burimeve, qofshin ato lajme apo edhe aktivitete të rrethit të ngushtë që kanë të bëjnë me familjen.
Por, pavarësisht të gjithë këtyre faktorëve që u thanë më lartë, mediat e reja që janë të pranishme në botën e sotme nuk e kanë fajin për vdekjen e gazetave. Nuk po i vret Telegrafi e Balkanwebi gazetat tona, por në fakt janë reklamuesit ata që po vrasin mediumet e shkruara.
Ata janë larguar nga gazetat dhe kanë kaluar në botën e internetit për të reklamuar produktet e tyre dhe nuk e kanë ndërmend të kthehen. Në internet një reklamues ka mundësi më të mirë të vë në shënjestër shpenzimet e tija për reklamë. A mund të reklamosh në gazetë, reklama specifike vetëm për djem të interesuar në futboll? A mund të reklamosh një krem vetëm për femra më të moshuara? Apo a mund të reklamosh një birrë që paraqitet vetëm para përdoruesve mbi moshën 18 vjeçare? Në gazetë jo, e në internet kjo është diçka tjetër.
Anembanë botës ka rënie të reklamave nëpër gazeta, por në internet, radio e televizion vazhdimisht ka rritje. Edhe reklamat në ueb kanë shënuar rritje dhe atë me një shkallë prej 7.5 për qind, sipas disa raporteve të industrisë.
Pavarësisht të gjithave, gazetat ende tërheqin më shumë euro e lekë sesa uebi, por kjo pritet të ndryshojë. Raporti vjetor i PricewaterhouseCoopers rreth trendeve të mediave, raporton se reklamat në ueb vitin e kaluar kanë arritur në një shifër totale prej 24.2 miliardë dollarë. Newspaper Association of America raportoi 24.82 miliardë dollarë të hyra në vitin 2009. Në fund të vitit kjo mund të ndryshojë, uebi mund të dalë lider.
Edhe pse këto janë raporte ndërkombëtare, trende të ngjashme pritet të paraqiten edhe në Kosovë e Shqipëri, megjithëse ende nuk ka ndonjë raport për këto çështje, vetë përdoruesit mund të vërejnë praninë e reklamave në portale dhe në gazeta. Gazetat si Koha Ditore, Kosova Sot, Shekulli, Panorama, Korrieri, janë disa prej gazetave që në Kosovë e Shqipëri dominojnë për sa i përket numrit të reklamave që përmbajnë në faqet e tyre, por ka edhe të tjera që renditen në këtë mes.
Megjithatë zgjerimi i reklamimit në ueb është edhe mirë e edhe keq për gazetat. Tani jemi të gjithë dëshmitarë sesi koncentrimi më i madh i të gjithave po bëhet online. Bam kërcet diçka në Mitrovicë dhe gjersa mediat e shkruara nuk kanë mundësi të publikojnë diçka, brenda minutës online përhapet lajmi. Ole e fitoi Spanja kampionatin botëror, të gjitha portalet e ueb faqet e ndryshme shqip e të huaja e postojnë lajmin brenda sekondës. Mediat e shkruara edhe këtu dështojnë... jo për fajin e tyre por për shkak të kohës në të cilën sot po jetojmë.
Në Kosovë online më së shumti vizitohet Telegrafi që është ende lider, por edhe mediumet e shkruara si Koha Ditore me portalin e saj Koha, pastaj Gazeta Express me gazetaexpress.com, Zeri me zeri.info, Shekulli me shekulli.al, balkanweb.com, top-channel.tv e të tjerë e të tjera që janë duke u zhvilluar gradualisht dhe çdo ditë e më shumë po u rriten vizitorët. Me të njëjtin trend rritjeje janë edhe portalet specifike si PCWorld Albanian e të tjerë për lajme të caktuara. Vetëm shikoni në alexa.com dhe e vëreni renditjen e së cilës faqe dhe mund të kuptoni përafërsisht me çfarë shkalle po ecet para online.
Me mijëra njerëz i vizitojnë këto faqe në baza ditore. Këtu duhet t’i kthehemi edhe një herë akuzës se blogjet po vrasin gazetat e në fakt sigurisht edhe ju pajtoheni se të dy janë duke zgjeruar audiencat dhe në përgjithësi ka milionë vizitorë në ueb për të dy taborët.
Por gjersa mediumet kanë avantazhin e tregimit të ngjarjeve, të hyrat online për ta janë të ulëta, dhe si të tilla këto të hyra nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur punën që ata bëjnë. Lekët e mëdhenj i merr Google. Keni parasysh këtu një gjë: Ju e blini gazetën Kohën Ditore apo Shekullin për ta lexuar, por online nuk paguani asgjë. Këtu pika kritike për të hyrat online dhe në të shkruar. New York Times për shembull ka një formë abonimi online për lexim, por ajo gjeneron vetëm një fraksion të të hyrave në krahasim me ato që gjenerohen nga printi.
Huffington Post për shembull është blogu më i suksesshëm në botë, me më shumë se 12 milionë vizita unike në muaj. Ky trafik tejkalon organizatat tradicionale të lajmeve si Washington Post, Wall Street Journal e New York Times, me disa milionë vizita më shumë, por pavarësisht suksesit të hyrat janë relativisht të ulëta. Ajo vitin që shkoi gjeneroi vetëm 15 milionë dollarë, por mban shpresa që këtë vit t’i dyfishojë të hyrat. Në anën tjetër New York Times ka të hyra vjetore nga online mes 150 dhe 175 milionë dollarë.
Keni parasysh se çmimet online për reklama dallojnë mjaft shumë prej atyre të shkruara, megjithëse secili ka politikat e veta të marketingut. Realisht marketingu online te ne ka filluar të aplikohet para më pak se 2 viteve, kurse para kësaj periudhe ka pasur pak ose më mirë thënë hiq. Pavarësisht kësaj edhe pse marketingu online te ne është ende në nivel të ulët ka trende pozitive që sinjalizojnë rritje.
Por, a do të thotë kjo pas të gjitha atyre që u thanë se online po e mbyt gazetën? Realisht problemi nuk qëndron me lajmet dhe format e lajmeve, por me lekët. Po të kishte lekë e euro sa duhet për të gjithë, askush nuk do të ishte ankuar.... Çfarë mendoni ju?


