Please enter at least 3 characters.

Kosovën Mehmetit

Mehmet Kosovalia paska marrë vesh se punët në “pashallëk” nuk po shkojnë mirë dhe ia ka mësye venit të “europianve t’ri” për me i dalë krah. Dikush i paska kallzue se prej që nuk u pa ma n’ekran t’televizorit, në “Jetën e hidhun”, tue i lanë zemrat e shumë çikave t’Kosovës t’zhurituna e shumë gra me lot në sy, veni s’po sheh dritë t’bardhë.

Tek asht nie fort keq kur i paskan diftue se asht plaçkitë “oda e dishmive” n’polici, se janë marrë drogë e pare. Kish ba çudë qysh muj ban vaki me u vjedhë veni ma i sigurt mjedis shehri, e mos me mujt kërkush gja me ditë.

Fort po pezmatohej kur haberet nga Kosova e tij e dashtun i vijshin t’këqija. Nifar raporti i Komisisë së “shtrigës plakë” Europë i paska ba horë burrat e dheut. Korrupsion, hajni, krim e t’zeza tjera tek janë përmen’ n’ta, e Mehmetit dy pika lot iu paskan bashkue n’mjekër.

E kur më 15 nandor burra e gra ishin dalë me qitë kokrra, fort ish gzue i lumi Mehmet. “Ishalla po nrron hesapi”, kish dishrue me sabah.

Po, pa u mushë java burrat ishin prishë. Dikush ia kish nisë me e pi tinëz rakinë e kish lypë me u da. “S’ban ma bashkallëk”, iu kish mushë menja njanit prej “vllaznive”. Mos t’ish kanë Amerika, nami ke tue u ba.

E sa u rahatuen gjaknat, si prej grykës s’pushkës u dha lajmi se nifar trake ish tue u sillë e po dojke me e ba punën mut. Ashtu edhe bani vaki.

N’pikë t’bardhës ditë, serbez-serbez, Nazimi i Lypjanit po bajke be e rrfe se bashkë me “trima” tjerë kish vra e damtue gjin. Pa iu dridhë qerpiku, i biri i Bllacve thojke gjana t’trishtueme, për t’cilat n’krejt dynja njeri shtihet n’burg, po hyqymeti n’Kosovë ish zanë gafil. Për marre t’lumit zot!

Tek masi iu kujtue oficirave të “shtrigës plakë” Europë me ia vnue zingjirt, u çuen mashkujt e venit tue e sha t’lypjansin, tue thanë se ish dilinxhi, rrenc e i paftyrë. Ish hafije Serbie, i hallakatun menje e i paguem shejtani.

Mehmet Kosovalia s’iu besojke veshëve. Si asht e mundun që n’venin ku përmenja e emnit t’tij përcillet me ofshama çikash e grave iu diftohet andërr n’shtrat, t’banin vaki këso marrinash? Jo, jo, këso gjanash s’ban hiç me u lejue. U çue n’kamë e si vetima e u nis pej Turkije me ardhë në “pashallëkun” e Kosovës.

N’venin e kapluem krimi, hajnie e korrupsioni, Mehmeti do t’shkelë n’ditën e njimdhetë t’dhetorit. Ka ba be se, ose ka me vnue ren e ligj, ose ky ven s’ka me u thirrë ma Kosovë. Luftën kundër “jetës s’hidhun” që e ka ba në qindra episoda, iu ka mushë menja me e ba “llajv” n’Kosovë…

Prrallat kanë fund t’lumtun, po Kosova asht tuj u ba prrallë me tupan. Nashta bajnë punë herojt e serialeve se, sa për shtet, na ka hangër dreqi. N’ven që me shkue përpara, drejt gjinit të “shtrigës plakë” Europë, po shkojmë mrapa. Hoş geldiniz, Mehmet!

P.S.
Aktori turk Kenan Imirzalioglu, i cili në Kosovë njihet si Mehmet Kosovalia, do ta vizitojë Prishtinën dhe do ta hap Javën e Filmit Turk me filmin e tij “Kapadaiu”. Institucionet është mirë ta bëjnë gati një dekoratë për të. Në mos për asgjë tjetër, ai e meriton këtë nder për kontribut në mbajtjen gjallë të shpresës se heronjtë e telenovelave një ditë edhe mund të vijnë pranë jush. A ka hero më të madh të realitetit kosovar turbo-folk-patriotik se Mehmet Kosovalia? Nuk e besoj. Haj medet “sa poshtë ka ra katundi”!

(Editorial i gazetës “Profil”)