Kosovarët e suksesshëm në vitin 2013
Janë tanët, janë gjaku jonë, janë shqiptarë dhe mbi të gjitha na bëjnë krenarë. Kosova duhet të krenohet për bijtë e sajë që vazhdojnë ta mbajnë lartë emrin e saj në botën e futbollit. Kampionë, golashënues, asistues, driblues, agresivë, liderë. Nga të gjithë i kemi. Boll bëmë pas yjeve tjerë si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi apo Zlatan Ibrahimoviq. Ne kemi Ronaldon tonë, ai është Adnan Januzaj, ne kemi ‘xhuxhin’, tonë, ai është Xherdan Shaqiri, ne kemi Ibrahimoviqin tonë, ai është Valmir Berisha, ne kemi Maldinin tonë, ai është Lorik Cana, ne kemi Buffonin tonë, ai është Etrit Berisha.
Janë të suksesshëm, janë ambicioz, janë punëtorë e mbi gjitha janë krenarë dhe asnjëherë nuk e mohuan prejardhjen e tyre. Futbollistët kosovarë çdo ditë e më shumë janë duke korrur suksese të mëdha në ligat më të forta evropiane dhe botërore, duke i treguar gjithë botës se futboll ka edhe në Kosovë, se vendi ynë ka talente dhe dimë të luajmë. Ne nuk jemi të pranuar ende në FIFA dhe UEFA, por ama jemi gati, sa i përket formimit të një Përfaqësuese të denjë. Janë qindra lojtarë kosovarë që po ‘çmendin’ gjithë botën dhe po të rikthehen të gjithë për vendlindjen e tyre, atëherë lirisht mund të themi se kemi një Përfaqësuese të denjët për t’i bërë ballë çdo gjëje.
Shkruhet Xherdan Shaqiri, lexohet Krenaria e Kosovës
Është futbollisti më i mirë dhe më i suksesshëm shqiptarë i të gjitha kohërave. Nuk është lehtë të luash për një skuadër të madhe siç është Bayern Munich, nuk është lehtë të fitosh garën më të madhe evropiane për klube Ligën e Kampionëve, nuk është lehtë të luash në finalen e Kampionatit Botëror për klube, dhe të triumfosh aty. Këtë e ka arritur 22-vjeçari nga Zhegra e Gjilanit, Xherdan Shaqiri. Ylli kosovarë ka pasur një vit të jashtëzakonshëm si me skuadrën e tij ashtu edhe personal, duke fituar hiq më pak se pesë trofe.
Kampion i Gjermanisë. Ky është titulli i parë që fitoi Xherdan Shaqiri këtë vit me Bayern Munich. Ai u stolis me këtë trofe, pasi skuadra e tij nën drejtimin e Jup Heynckess ishte bindshëm më e mira në Bundesligë. Shaqiri në këtë garë kontribuoi me katër gola, në 26 paraqitje të tijat. Në shumicën e takimeve u inkuadrua në pjesën e dytë, por luajti edhe titullar.
Trofeun e dytë ‘xhuxhi’, e fitoi atë të Ligës së Kampionëve, që vlerësohet si më i çmueshmi në një garë evropiane për klube. Ata mposhtën rivalin vendor, Borussia Dortmund me rezultatin 2:1. Shaqiri nuk luajti në këtë ndeshje, por pas lojës ai festoi me flamurin e Kosovës dhe atë të Zvicrës, duke bërë bujë të madhe në mediat e huaja. Në këtë garë Shaqa kontribuoi me 1 gol të shënuar ndaj Bate Borisovit. Pati shtatë paraqitje.
Disa ditë pasi fitoi ‘Championsin’, Bayern Munich u stolis edhe me Kupën e Gjermanisë. Ata mposhtën në finale Stuttgartin. Edhe në këtë takim mungoi Shaqiri, por në këtë garë ai kishte shënuar tre gola, në pesë takime sa ishte aktivizuar. Njërën nga golat e kishte shënuar në gjysmëfinale ndaj Wolfsburgut.
Trofeu i katërt vjen nga Superkupa e Evropës. Bayern Munich takohej me Chelsean në Pragë të Çekisë. Koha e rregullt u mbyll 1:1. Menjëherë pas vazhdimeve inkuadrohet Shaqiri, i cili ka disa raste të mira për shënim. Në vazhdime shënohen dy gola, nga një në secilën anë për të shkuar takimi në vazhdime. Xherdani shënoi penalltinë vendimtare për Bayernin, duke quar kështu në gëzim të madh Bavarezët dhe trajnerin Pep Guardiola, për të cilin ishte trofeu i parë me skuadrën e re.
E trofeu i pestë dhe i fundit për këtë vit erdhi nga Maroku. Bayerni fitoi Kupën e Botës për klube, ku në finale mundi Raya Casablancan e Marokut. Xherdani luajti fillimisht në gjysmëfinale, duke shijuar 20 minuta, kurse në finale ai ishte titullar. Madje, njëherë qëlloi edhe transversalen. Viti që po e lëmë pas ka qenë vit i ëndrrave për Xherdanin, pasi mesfushori anësorë ka marrë lëvdata edhe nga trajneri aktual i Bayernit, Pepe Guardiola i cili e ka konsideruar shtatshkurtrin si pjesë të rëndësishme të skuadrës duke i refuzuar skuadrat që interesoheshin për të.
Adnan Januzaj çmendi Anglinë
Kur një vit më parë po shkëlqente tek skuadra e të rinjve të Manchester United, pak kush e mendoi se do t’i vije koha të dëshmohej edhe në ‘Old Traford’, vetëm pas një viti. Por, Adnan Januzaj tregoi shpirtin luftarak dhe u bë pjesë e skuadrës së parë të David Moyes. Fillimisht ai u mor në turneun para-sezonal që skuadra angleze e pati në Azi, ku u dëshmua shumë me asistimet e tij dhe me gola të shënuar. Debutimi në Premierligë, për Adnanin erdhi në xhiron e katërt, në fitoren e Manchester United 2:0 ndaj Crystal Palace, dhe talenti kosovar u inkuadrua në lojë në 25 minutat e fundit, duke lënë përshtypje të mirë tek të gjithë. Më pas erdhi ndeshja e tij e parë si titullarë. United luante si mysafirë tek Sunderland, dhe e shihte vetën duke humbur 1:0. Por, pse të brengoset David Moyes kur ka në skuadër talentin e jashtëzakonshëm shqiptar. Pikërisht ai, Adnani arriti që me dy super-gola të njëpasnjëshëm t’ia dhurojë tri pikët kampionëve të Anglisë, duke bërë që për të, të flasë e gjithë bota. Adnani gjatë këtij stinori është paraqitur në 11 takime për ‘Djajtë e Kuq’, ku përpos tre golave të shënuar, ka asistuar edhe në dy të tjerë, ndërsa është ndëshkuar tri herë me karton të verdhë, kryesisht për shkak të simulimeve ku edhe është kritikuar për të.
Fushata për Adnanin
‘Adnan thuaj PO Shqipërisë’. Kjo ishte fushata që u përkrah shumë nga shqiptarët, por që ende nuk kanë marrë një përgjigje nga 18-vjeçari i cili është bërë më i kërkuari edhe nga Përfaqësueset e vendeve tjera. Plot gjashtë të tilla janë në lojë për t’i marrë shërbimet e tij. Belgjika, Shqipëria, Kosova,Anglia, Kroacia dhe Turqia janë të interesuara për djaloshin magjik. Adnani ka deklaruar se njëherë për njëherë është i koncentruar tek United dhe dëshiron që të ketë sukses me këtë fanellë para se ta vendosë se për cilën Përfaqësuese do të luaj. Adnani ka arritur ta bëjë edhe debutimin e tij në Ligën e Kampionëve, ku u paraqit në ndeshjen ndaj Shakhtar Donetsk. Ai ka vazhduar kontratën e tij me ‘Djajtë e Kuq’, duke u bërë 18-vjeçari më i paguar në botë, dhe do të jetë pjesë e kampionit aktual anglez, deri në vitin 2018.
Januzaj është bërë ndër emrat më të përfolur në futbollin anglez për talentin pasi ka marrë lëvdata të shumta nga shumë lojtarë legjendarë, ndërsa për të fjalët e mira nuk i ka kursyer as ish-trajneri i United, Sir Alex Ferguson.
Lazio e ‘shqiptarizuar’
Në Itali, ka një skuadër që është 'shqiptarizuar'. Fjala është për ekipin nga kryeqyteti i Italisë, Lazio e cila në radhët e veta ka tre lojtarë shqiptarë dhe si drejtor sportiv Igli Taren. Ky vit mund të quhet i suksesshëm për dyshen Lorik Cana - Thomas Strakosha të cilët arritën të fitonin trofeun e Kupës së Italisë. Portieri i talentuar Strakosha nuk është paraqitur fare në këtë finale, mirëpo ka qenë në bankën rezervë. Sa i përket kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka qenë në fushë gjatë gjithë ndeshjes në finalen e kupës duke qenë edhe ndër më të mirët .Viti 2013 mund të quhet mjaftë i suksesshëm për Lorikun, pasi arriti të zë vend në formacionin bazë të Lazios, pas fillimit të vështirë që kishte. Gjatë këtij viti kalendarik, Cana ka luajtur në 44 ndeshje zyrtare për 'Biancoçelestët', ku arriti të shënojë edhe një gol, atë në ndeshjen ndaj Sampdorias. Rol të madh Loriku ka luajtur si gjithmonë edhe tek Shqipëria, duke qenë titullarë i padiskutueshëm, dhe duke udhëhequr skuadrën si kapiten. E kur është fjala tek sukseset, assesi nuk mund të harrohet gardiani prishtinas, Etrit Berisha. 24-vjeçari është transferuar gjatë afatit kalimtar të verës në skuadrën italiane nga Kalmar, duke bërë kështu transferimin më të madh të lojtarëve shqiptarë gjatë këtij viti. Në Serie A, ende nuk i ka ardhur debutimi por në Ligën e Evropës po. Në tri ndeshje të luajtura 'Titi', ka pranuar vetëm një gol duke pasur edhe disa pritje mbresëlënëse.
Sa i përket Kombëtares, shtatlarti zuri vendin e Samir Ujkanit në portën shqiptare dhe ka magjepsur të gjithë, duke treguar siguri të lartë. 2013-ta është viti i Etritit padyshim, por Viti i Ri pritet të jetë edhe më i mirë, pasi besohet se do të jetë numri një edhe tek Lazio, ngase portieri aktual Marchetti pritet të largohet nga kryeqyteti italian.
Me sukses të madh në Serie A, është duke u paraqitur edhe dyshja e Napolit, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili. Të dy lojtarët janë pjesë e rëndësishme e skuadrës italiane dhe kanë arritur që vitin e kaluar të jenë nën kampionë me Napolin. Këtë stinor ata janë në pozitën e tretë me gjasa për titull të kampionit, ndërsa pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, do të luajnë në Ligën e Evropës, ku llogaritën favorit për ta fituar këtë trofe. Gjatë vitit 2014, të dy lojtarët do të jenë pjesë e Kampionatit Botërorë ‘Brazili 2014’, ku kanë siguruar pjesëmarrjen me Përfaqësuesen e Zvicrës. Migjen Basha, është një tjetër emër shqiptari, që po paraqitet me mjaftë sukses në Serie A, me skuadrën torineze, Torino. Basha njihet si lojtar ‘joker’, i ‘granadave’, dhe shpesh herë ndërhyrjet e tij kanë shpëtuar Torinon në mesfushë, e në ofensivë pasimet e tij të sakta kanë qenë vdekjeprurëse për kundërshtarët. Falë paraqitjeve të mira me Torinon dhe Shqipërinë, viti 2013 për Bashën quhet vit i suksesshëm. Një tjetër emër që ka bërë përvojë në futbollin italian, është edhe ai i mesfushorit kosovar me pasaportë finlandeze, Përparim Hetemaj. Edhe pse është përfolur shpesh herë për ndonjë transferim tek skuadrat e tjera italiane, Hetemaj vazhdon të jetë pjesë e Chievos, ku është lojtari kryesor në mesfushë tek skuadra veroneze. Vit jo i mirë 2013-ta ka qenë për Samir Ujkanin. Portieri mitrovicas, pati një vit për tu harruar, pas huazimit në Chievo nga Pelarmo, Ujkani pothuajse nuk gjendej asnjëherë në portë duke u ngrohur në bankën rezervë. Në verë u rikthye përsëri tek Palermo, por tani në Serie B, dhe ka filluar të jetë shartues vetëm pas lëndimit të portierit të parë të Palermos. Samiri shpreson që viti i ri do ta rikthej atë në Samirin e vjetër, atë që na bënte krenarë të gjithëve.
Bundesliga
Mesfushori i talentuar, Granit Xhaka nuk e filloi aq mirë vitin 2013. 21-vjeçari nuk kishte hapësira të shumta në skuadrën e tij Borussia Moenchegladbach, dhe në shumicën e ndeshjeve ishte i ulur në bankën rezervë. Mirëpo, me të filluar stinori i ri, Graniti është bërë shtylla e mesfushës së ekipit gjerman, ku në disa raste ka gjetur vetën edhe në formacionin më të mirë të javës në Bundesliga. E paraqitjet e mira këtë stinorë ka bërë që për të, të interesohen skuadra të njohura evropiane, ku në mesin e tyre është edhe Inter. Ishte bërë 'Telenovelë', transferimi i Mërgim Mavrajt te Lazio. Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Gruther Furthin, mbrojtësi i çeliktë, kërkohej gjithandej, mirëpo në fund vendosi të qëndrojë aty ku ishte. 2013-ta për Mavrajn duhet të jetë një sukses, marrë parasysh paraqitjet individuale me klubin dhe Kombëtaren, ndërsa 2014-ta do ta gjejë atë me një skuadër të re, pasi sa i përket ofertave nuk është keq.
Vit si të Granit Xhakës, kishte edhe sulmuesi Admir Mehmedi. Aventura në Ukrainë tek Dinamo Kiev, nuk i bëri fare mirë, deri sa u transferua në Bundesligë, tek skuadra Freiburg ku është duke shkëlqyer. Është i huazuar në një skuadër jo të madhe si Freiburg, mirëpo golat e shënuar deri më tani (6), pritet që ta qojnë atë në një skuadër më të madhe në Gjermani. Të debutosh me 17 vite në Bundesligë nuk është një gjë e vogël. E ëtë e ka bërë një futbollist nga Cërrnica e Gjilanit. Sulmuesi i talentuar Valmir Sylejmani, ka arritur të luaj dy ndeshje këtë stinor me Hannoverin, derisa në debutimin e tij ka asistuar. Është i ri, i shpejtë, me teknikë të madhe, dhe jo më kot kanë filluar ta quajnë Gerd Mulleri i ardhshëm. E ardhmja është e rezervuar për të. Mos e harroni, quhet Valmir Sylejmani dhe së shpejti mund ta shohim në ndonjërën prej skuadrave më të mëdha gjermane apo evropiane.
Skandinavia fole për futbollistët shqiptarë
Vit i sukseseve dhe dëshpërimeve ishte 2013-ta për mbrojtësin kosovar, Ilir Berisha. Fillimisht lojtari u bë ndër mbrojtësit më të dalluar në ligën suedeze pas paraqitjeve mbresëlënëse tek skuadra e tij Orebro, ku përpos që ishte 'mur i gjallë', në mbrojtje ai ishte efikas edhe në fazën e sulmit duke shënuar. 22-vjeçari arriti kulmin gjatë 2013-ës kur mori ftesën nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni De Biasi dhe ky ishte suksesi tij më i madh. Ishte i pranishëm në ndeshjen ndaj Norvegjisë, mirëpo nuk pati rastin që të luajë. E dëshpërimi më i madh për qendërmbrojtësin erdhi në muajin qershor, kur pësoi një lëndim të rëndë në gju dhe mbeti jashtë fushave për gjashtë muaj. Rikthimi i tij do të jetë në stinorin e ri me Orebron në elitën e futbollit suedez , ku synojnë edhe kupa evropiane. Vit i keq nuk mund të jetë as për mbrojtësin Loret Sadiku. 22-vjeçari llogaritet si e ardhmja e kombëtares në qendër të mbrojtjes. Kosovari ka pasur paraqitje mbresëlënëse me skuadrën e tij Helsingborg, ku zgjoi interesimin edhe të Përfaqësueses së Suedisë, që i bëri ftesë zyrtare për ta grumbulluar. Loreti tregoi qartë që do Shqipërinë dhe pranoi të luante për 'kuqezinjtë'. Me Helsingborgun zuri vendin e tretë në ligë ndërsa nga janari i vitit 2014 pritet të bëhet me klub të ri, pasi ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar. Valmir Berisha është djaloshi që ka bërë të 'çmenden', skuadrat më të mëdha. 17-vjeçari është shpallur golashënuesi më i mirë në Kampionatin Botërorë U17, me Suedinë dhe kjo ka bërë që për të, të shfaqin interesim skuadrat më me emër në Evropë. Një gjë është e sigurt, karriera e Valmirit do të jetë e shkëlqyer, nëse adoleshenti do të vazhdoj me këtë formë që shfaqi gjatë vitit 2013. Në Norvegji, Flamur Kastrati ka arritur të shpallet kampionë me skuadrën e tij Stromsgodset, pas një viti dëshpërues në futbollin gjerman Erzgebirge Aue. Titull të kampionit fitoi edhe një shqiptarë tjetër. Fjala është për sulmuesin Erfan Zeneli, i cili triumfoi në Finlandë me skuadrën e tij Helsinki, ndërsa për këtë titull kampioni kontribuoi me 11 gola.
Shqiptarë me bollëk në Zvicër
Siç njihet Lazio në Itali, si skuadër e 'shqiptarizuar', ashtu njihet edhe Grasshopperi në Zvicër. Imran Bunjaku, Albion Avdijaj, Shkëlzen Gashi e Amir Abrashi janë shqiptarët që denjësisht po mbrojnë ngjyrat e skuadrës zvicerane. Dyshja Gashi-Abashi, janë lojtarët kyç të 'bardhekaltërve', ndërsa ata kanë pasur një vit të mrekullueshëm personal dhe ekipor. Së pari arritën trofeun e Kupës së Zvicrës, ku në finale mposhtë Baselin pas egzekutimin të penaltive, ndërsa më vonë të dy morën edhe pasaportat shqiptare dhe janë bërë pjesë e Shqipërisë. Skuadra nga Zurich duhet të ketë kujdes, pasi si Gashi ashtu edhe Abrashi janë bërë ndër lojtarët më të kërkuar në treg, e interesim më të madh për ta kanë shfaqur skuadrat gjermane dhe italiane. Dy futbollistë tjerë shqiptarë që janë duke pasur sukses në kampionatin zviceran janë edhe Arlind Ajeti e Taulant Xhaka, që të dy anëtarë të fuqisë zvicerane, Basel. Mbrojtësi Arlind Ajeti fitoi titullin e kampionit në Zvicër, ndërsa Xhaka kupën pasi ishte i huazuar tek Grasshopper. Këtë stinor dyshja kosovare është e pazavendësueshme në formacionin bazë, derisa Xhaka ka marrë edhe pasaportën shqiptare dhe pritet të luaj për Shqipërinë. Një tjetër lojtar që po tregon formë të lartë në Zvicër, është edhe Ermir Lenjani me St Gallenin. Forma e mirë e tij nuk ka shkuar huq, pasi ka rënë në sytë e përzgjedhësit Gianni De Biasi, i cili e ftoi në Kombëtare dhe ka mbetur mjaftë i kënaqur me të, duke e vlerësuar si lojtar të së ardhmes për krahun e majtë të Kombëtares. /Tribuna/Telegrafi/


