Kosova në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror
Hendbollistët e Kosovës kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë kundër estonezëve, të cilët nuk u dorëzuan deri në fund të ndeshjes, raporton KosovaPress.
Estonia më mirë e ka nisur lojën në përballje me përfaqësuesen tonë, mirëpo, të përzgjedhurit e Taip Kabashit në fund të pjesës së parë e morën dominimin në fushë, duke e shkrirë epërsinë e mysafirëve dhe në pushim shkuan më tri gola (17-14).
Lojë mjaft e fortë është luajtur në pjesën e dytë nga të dy skuadrat, por skuadra jonë vazhdimisht ishte në epërsi. Finishi i kësaj ndeshje ka qenë mjaft dramatike, sepse në tre minutat e fundit të kësaj super sfidë, epërsia e përfaqësues sonë ishte në vetëm një gol. Hendbollistët tonë më angazhim maksimal ia dolën që në fund t’i gëzohen fitores së madhe kundër Estonisë, me rezultat përfundimtar 31-30.
Shënuesi më i mirë për Kosovën ishte Krasniqi më 10 gola, ndërsa punë të madhe kreu edhe portieri Curri, i cili bëri disa pritje fenomenale. /Telegrafi/


