Please enter at least 3 characters.

Konstituohet përbërja e re e Kuvendit

2016/01/f.0221090841315_m.jpg

Deri në zgjedhjen e organeve të reja seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër i cili do të ndihmohet edhe nga deputeti më i ri. Sipas rendit të ditës, fillimisht pritet verifikimi i mandateve.

Më pas do të bëhet betimi i deputetëve. Kurse në pjesën e parë të punës, Kuvendi pritet të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kryetari zgjidhet nga partia më e madhe në Kuvend.

Ndërkohë mbetet tek partitë që tashmë kanë lidhur koalicion qeverisës nëse do të iniciojnë si pika shtesë edhe zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re.

I vetmi që deri më tani ka bërë publike kandidaturën për postin e presidentit të Kosovës është kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Kandidatura e tij është pjesë e marrëveshjes për qeverinë e re.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, votimi i presidentit bëhet me votim të fshehtë, në tri runde. Nëse presidenti nuk arrin të zgjidhet në dy rundet e para me dy të tretat e votave, atëherë në rundin e tretë kjo bëhet me shumicë të thjeshtë, apo me 61 vota të deputetëve.

Në rast se dështon edhe hera e tretë e zgjedhjes së presidentit, sipas Kushtetutës, shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pas zgjedhjes së presidentit pason edhe prezantimi i mandatarit dhe qeverisë së re.

Votimi për zgjedhjen e qeverisë kërkon 61 vota për. I vetmi koalicion që do të prezantohet për votim para Kuvendit është ai i PDK-së me AKR-në, pakicat dhe Listën “Ibrahim Rugova”. Mandatar për kryeministër është nominuar Hashim Thaçi.

Partitë e koalicionit janë zotuar se kanë siguruar shumicën për zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë. Në të kundërtën, dështimi eventual i zgjedhjes së tyre mund të qoj vendin në krizë të re institucionale. /Telegrafi/