Please enter at least 3 characters.

KEK-u po i shantazhon sindikalistët

2016/01/f.0512163331774_m.jpg

 Punëtorët e KEK-ut po përballen me kërcënime dhe shantazhe të pandërprera nga menaxhmenti i KEK-ut, thonë sindikalistët e kësaj kompanie. Meqë plani për pensionim të parakohshëm të rreth 2 mijë e 400 punëtorëve nuk është realizuar, ndaj tyre tani ushtrohen forma tjera të presionit, shprehet kryetari i Sindikatës së Pavarur të KEK-ut, Izet Mustafa. “Tash menaxhmenti është duke ndërmarrë hapa tjerë të presionit dhe shantazhimit të punëtorëve përmes formimit të komisioneve që kjo kategori e të punësuarve prej moshës 55 deri në 65 vjeç t’iu nënshtrohen testeve të aftësive profesionale dhe aftësive fizike, që është në kundërshtim edhe me të drejtën për punë, edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të gjitha konventat ndërkombëtare”, thotë ai.

Mustafa thekson se vetëm rreth 100 të punësuar nga numri i përgjithshëm i të punësuarve kanë aplikuar për pensionim të parakohshëm. Atyre në varësi nga mosha u janë ofruar nga 5 deri në 24 paga. Ai kundërshton testimin e punëtorëve në mënyrë selektive. “Nëse menaxhmenti i KEK-ut merr një vendim që të gjithë punëtorët, duke përfshirë edhe menaxhmentin e kompanisë, që t’iu nënshtrohen këtyre lloj testeve, atëherë jemi për, dhe jemi të sigurt që punëtorët i dinë përgjegjësitë, obligimet dhe aftësinë profesionale për vendet e tyre të punës, mirëpo kjo formë selektive për ne është e papranueshme”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala, thotë se skema e pensionimit të parakohshëm është zbatuar në bazë të kërkesave të punëtorëve dhe me qëllim të përtëritjes së moshës së të punësuarve në këtë kompani. “Deri tani në këtë skemë kanë aplikuar rreth 150 punëtorë dhe e tëra është vullnetare, pra askush nuk e detyron askënd, përkundrazi në bazë të kërkesave që i kanë bërë punëtorët po aplikohet kjo skemë”, tha Buzhala.

Ai sqaron se testimi i aftësive psiko-fizike të punëtorëve bëhet për shkak të punës specifike që bëhet në këtë kompani. Ndërkohë, sindikata e KEK-ut është duke përgatitur kërkesat zyrtare që do t’ia drejtojë menaxhmentit dhe bordit të KEK-ut, si dhe institucioneve të vendit që janë përgjegjëse për këtë kompani, në mënyrë që gjendet një zgjidhje, në të kundërtën mund të ndërmarrin edhe hapa tjerë. /Kosovapress/Telegrafi/