Please enter at least 3 characters.

Jeta e natës mund të jetë ngarkesë për zemrën, arteriet dhe psikikën - çfarë të bëjmë nëse funksionojmë vetëm në orët e vona?

Si ndikon ritmi i vonshëm në shëndetin tuaj dhe çfarë mund të bëni për ta balancuar?

Kronotipi është ritmi biologjik personal që ndikon në produktivitetin tonë dhe kontrollon ciklet e gjumit dhe zgjimit. Disa persona zgjohen herët dhe janë më produktivë në pjesën e parë të ditës - ky është kronotipi i mëngjesit. E kundërta është kronotipi i mbrëmjes, që përfshin njerëzit që zgjohen më vështirë dhe funksionojnë më mirë në orët e vona.

Personat e quajtur “shqiponja të natës” japin maksimumin kur gjithçka qetësohet, duke arritur rezultate më të mira në pasditet dhe mbrëmjet e vona. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se jeta e natës mund të jetë ngarkesë për shëndetin kardiovaskular dhe atë psikik.

“Shqiponjat e natës” kanë zakone më të këqija jetese

Jeta e personave të natës është e lidhur ngushtë me disa zakone. Ritmi cirkadian i kronotipit të mbrëmjes zakonisht nuk është i sinkronizuar me lindjen dhe perëndimin e diellit.

Sipas Sleep Foundation, për këtë arsye personat e natës më shpesh zhvillojnë zakone jo të shëndetshme, si:

  • Vakte të vona
  • Cilësi më të dobët të gjumit dhe më pak orë gjumë
  • Aktivitet fizik të pamjaftueshëm
  • Konsumim më të shpeshtë të duhanit dhe alkoolit

Disa ekspertë besojnë se këto zakone lidhen me rrezikun e rritur për sëmundje kronike. Personat e natës kanë më shumë gjasa të kenë probleme kardiake, nivele më të larta të LDL (“kolesterolit të keq”) dhe triglicerideve. Një studim i kryer tek gratë e rritura tregoi se kronotipet e mbrëmjes kanë shëndet më të dobët kardiovaskular krahasuar me kronotipet e tjera. Ato hanë më jo shëndetshëm, ushtrojnë më pak, flenë më keq dhe pijnë më shumë duhan, të gjitha këto janë faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës, transmeton Telegrafi.

Qëndrimi zgjuar natën rrit rrezikun kardiovaskular

Ekspertët e UCLA Health theksojnë se edhe personat që rrinë zgjuar natën, edhe nëse nuk është ritmi i tyre natyral, kanë rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare. Ata që flenë më pak se shtatë orë në natë janë më të prirur të zhvillojnë:

  • Arteriosklerozë (ngurtësim të arterieve)
  • Arterosklerozë (ngushtim të arterieve)
  • Sëmundje të zemrës
  • Goditje në tru

Më shumë ankth dhe depresion

Sipas kërkimeve, personat që preferojnë të qëndrojnë zgjuar natës shfaqin më shumë simptoma ankthi dhe depresioni krahasuar me personat e mëngjesit. Arsyeja e mundshme: kronotipi i mbrëmjes lidhet me nivele më të larta të stresit dhe cilësi më të dobët të gjumit, dy faktorë që rrisin rrezikun e problemeve psikike.

Rrezik i shtuar për çrregullime metabolike

Çrregullimet metabolike ndikojnë në mënyrën se si trupi përpunon ushqimin dhe shndërron proteinat, karbohidratet dhe yndyrat në energji. Koha e vakteve, sidomos darka e vonë, mënyra si trupi përpunon sheqerin në gjak dhe sasia e gjumit kontribuojnë në zhvillimin e këtyre çrregullimeve.

Obeziteti dhe diabeti tip 2 janë dy shembuj tipikë.

Në një studim me mbi 63.000 infermiere, ato që u vetëpërshkruan si “shqiponja të natës” kishin rrezik më të lartë të diabetit. Kronotipet e mbrëmjes konsumojnë më shumë kalori natën, kanë më shumë dëshirë për ushqime të veçanta dhe nivele dukshëm më të larta të glukozës në gjak.

Rrezik më i madh për probleme kognitive

Mungesa e gjumit nuk shkakton vetëm lodhje të fortë në mëngjes, por edhe probleme me kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve. Disa studime tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë midis hronotipit të mbrëmjes dhe funksionimit më të dobët kognitiv, sidomos tek personat me arsim të lartë.

Lajmi i mirë: Me disa ndryshime, rreziku mund të ulet

Ekspertët theksojnë që personat e natës mund të reduktojnë rreziqet shëndetësore me disa ndryshime të thjeshta:

  • Mundohuni të rregulloni ritmin cirkadian
  • Ekspozohuni ndaj dritës së fortë të mëngjesit
  • Rregulloni oraret e vakteve
  • Shmangni alkoolin dhe kafeinën natën
  • Kryeni aktivitet fizik më herët gjatë ditës
  • Përpiquni për 5 ditë radhazi të flini çdo natë disa minuta më herët

/Telegrafi/