Please enter at least 3 characters.

Jahjaga vendosi lule te varri i Nolit

2016/01/f.0304225142844_m.jpg

“Jam e nderuar që jam këtu sot si Presidente e Republikës së Kosovës, të vë një dorë lule mbi varrin e Fan Stilian Nolit, këtij atdhetari, që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, duke punuar në ngritjen arsimore, kulturore dhe të përgjithshme të shqiptarëve kudo që janë, duke qenë nismëtar dhe veprimtar i flakët i miqësisë sonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga, pas vendosjes së kurorës me lule, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga kabineti i Presidentes.

Ajo më tej tha se Nolin, si ndër themeluesit dhe kryetarët e shoqatës patriotike “Vatra”, të botimit të gazetës “Dielli”, e kujtojmë edhe për veprën madhore të themelimit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare.

Jahjaga vuri një kurorë lulesh edhe tek vendi ku më parë preheshin eshtrat e veprimtarit të shquar Faik Konica, në varrezat në Boston.

Në ditën e parë të qëndrimit në SHBA, presidentja Atifete Jahjaga, mori pjesë në meshë në Katedralen Shën Gjergji, të Kryekishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA-së, të drejtuar nga Arqipeshkvi, Ati Arthur Liolin.

Kisha e Shën Gjergjit në Boston është drejtuar nga atdhetari i njohur shqiptar Fan Stilian Noli në fillim të shekullit XX.

Presidentja mbajti një fjalë rasti në Katedralen Shën Gjergji në Boston, me ç’rast vlerësuar lartë punën e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kontributin e këtij komuniteti për Kosovën. /Telegrafi/