Please enter at least 3 characters.

Isa Mustafa apo qeveria e Llapit dhe Gollakut

Qeveria e Prishtinës e përbërë me mbi 95 për qind nga njerëz të Llapit dhe Gollakut nuk i bën nder kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Me përzgjedhjen e kësaj Qeverie, Mustafa e ka humbur kredibilitetin për të qenë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës

Për gati tre muaj, kryetari i rizgjedhur me shumicë votash i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa e ka mbajtur shumë të fshehur përzgjedhjen e drejtorëve të rinj të Qeverisë komunale të Prishtinës. Misteri i mbajtjes fshehur të emrave të drejtorëve të rinj për gati tre muaj, sigurisht që nuk e ka zhgënjyer vetëm anëtarësinë e gjerë të partisë së tij, por i ka zhgënjyer edhe qytetarët e Prishtinës.

Në vend të arkës së fildishtë, rreth tre muaj më vonë kryetari i Prishtinës para këshilltarëve të Asamblesë komunale e hapi Kutinë e Pandorës, për faktin se mbi 95 për qind e drejtorëve të zgjedhur dhe të rizgjedhur në Qeverinë komunale të Prishtinës janë nga rajoni i Llapit dhe Gollakut dhe në këtë mënyrë kryetari Mustafa e ka injoruar skajshmërisht vullnetin e zgjedhësve të tij, por edhe të shumë intelektualëve e profesionistëve, të cilët vijnë nga shumë rajone të Republikës së Kosovës, por që jetojnë e punojnë në Prishtinë.

* * *

Megjithatë, kryetari Mustafa në Qeverinë e re bërë ndryshime të “mëdha”. Fjala është për drejtoreshën e sapozgjedhur në Drejtoratin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit, znj. Luljeta Sokoli e cila as është e Llapit, as e Gollakut dhe as anëtare e LDK-së. Derisa për znj. Sokoli nuk kemi njohuri për cilësinë e profesionalizmit, atë e njohim përmes familjarëve të saj të ngushtë që janë mjaft publikë dhe që bëjnë performancë të ashpër politike e mediale në favor të PDK-së.

Dallimi i dytë është emërimi i znj.Vlora Dumoshi, në krye të Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport. Ajo njihet si ish-këshilltare e Partisë Reformiste Ora në mandatin e kaluar në Asamblenë komunale të Prishtinës dhe krejt në fund të mandatit, papritur dhe pa ndonjë sqarim ajo vendosi të jetë e pavarur! Edhe Dumoshi me origjinë është nga rajoni i Llapit, e cila sa i përket postit ku ajo është zgjedhur, vite më parë mbahet mend si valltare e Ansamblit “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe sa i përket fahut të kulturës, asaj nuk i njihet ndonjë sukses tjetër.

Po kështu, Mustafa “ndryshime” të mëdha ka bërë edhe në Drejtoratin për Arsim, ku në krye të këtij Drejtorati ka emëruar bashkëfshatarin e tij nga Prapashtica, Remzi Salihun. Mesazhi i kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa për qytetarët e Prishtinës se dëshiron të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës nuk është i mjaftueshëm, edhe nëse ai ka dashur ta bëj një hap të këtillë, në mënyrë që Qeveria e tij të mos jetë e tëra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nëse Mustafa kishte për qëllim përmbushjen e këtij “boshllëku”, atëherë ai ka lajthitur së tepërmi, sepse kishte mundësi të mëdha që të bëj përzgjedhje më të avancuar dhe me profesionistë më me integritet që vijnë nga partitë tjera politike.

* * *

Që nga rizgjedhja e tij në postin e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa në prononcimet e tij për media mbahet mend kryesisht për dy gjëra shpesh të përsëritura. Thirrjet e tij publike në media e tubime parazgjedhore për një qeverisje cilësore për integrime në BE dhe për qeverisje të përbërë nga profesionistë e njerëz me integritet për luftimin e krimit të organizuar dhe luftimin e korrupsionit nuk duket të jetë e sinqertë dhe duket që këto prononcime të kenë qenë vetëm farsë e z. Mustafa në fushatat parazgjedhore. Vet Kryetari i Prishtinës nuk i përmbajti premtimet e veta, kur të kihet parasysh se ai përzgjedhjen e Qeverisë komunale në kryeqytetin e Kosovës e bëri me njerëz që në fushën profesionale nuk i përkasin as nivelit mesatar, kur të kihet parasysh se drejtorët e sapozgjedhur nuk mund të jenë integrues as për vet qytetarët e Prishtinës, meqë vijnë kryesisht nga dy rajone; Llapi e Gollaku.

Së pari, disa nga drejtorët që janë rizgjedhur në postet e drejtorëve, në këto poste janë që nga zgjedhjet e para lokale në Kosovë. Këta drejtorë, jo vetëm që nuk kanë dëshmuar performancë minimale në fushën e menaxhimit, por në masë të madhe edhe kanë dështuar. Së dyti, një Qeveri e përzgjedhur nga dy rajone që edhe gjeografikisht e përthekojnë Prishtinën dhe kur këta drejtorë mes veti kanë edhe lidhje familjare, krijojnë rrezik potencial që korrupsioni dhe nepotizmi në Komunën më të madhe të Kosovës jo që nuk do të luftohen, por do të thellohen edhe më shumë.

Krejt në fund, Qeverisë së Prishtinës nuk i duhen drejtorë joker ku ushtaraku deri dje e ka drejtuar Drejtoratin e Urbanizmit dhe nga sot do ta drejtojë Drejtoratin e Kadastrit, ndërsa tjetri deri dje e ka udhëhequr Drejtoratin për Arsim, Shkencë e Kulturë dhe nga sot do ta udhëheq Drejtoratin e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Kjo Qeveri nuk i bën nder kryetarit të Prishtinës, dr. Isa Mustafa dhe aq më pak qytetarëve të Prishtinës, nga të cilët ai e ka marrë besimin për të qeverisur në katër vitet e ardhshme. Me përzgjedhjen e kësaj Qeverie, Mustafa e ka humbur kredibilitetin për të qenë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës.