Ibraimi: VLEN-i do të fitojë të gjitha komunat, në qeveri e vlerësoj me notën 8
Kryetari i Alternativës Zeqirja Ibraimi, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin "PodGo" me të cilin kemi diskutuar për Qeverinë, VLEN-in, si dhe opozitën shqiptare.
Ai tha se është krenar që është pjesë e Qeverisë së tanishme, duke thënë se ka rezultate konkrete. Nga 1 deri në 10, ai Qeverinë e VLEN-it e vlerësoi me notë 8.
"Kur flasim për këtë duhet të kemi parasysh pikat e krahasimit. Në krahasim me atë çfarë ka qenë jam i lumtur që jam pjesë e kësaj qeverie, pasi ka rezultate konkrete dhe të prekshme. Mund të them që arritur optimalja, por jo maksimalja. Ne gjatë gjithë kohës kemi qenë të përqendruar në prodhimin e sukseseve politike si pushtet ekzekutiv, në kuptimin e miratimit të ligjeve, marrjes së vendimeve në raport me atë që kemi premtuar. Kemi bërë shumicën e gjërave që ne i kemi premtuar vitin e kaluar. Kemi mund të bëjmë më mirë, por ka edhe shumë rrethana tjera. Nëse e gjykojmë me notë prej 1 deri 10, mendoj se VLEN-i meriton 8 solide", tha Ibraimi.
E pyetëm edhe për atë se cilat janë tre gjërat që do t'ia tregonte babait të tij të ndjerë, të cilat i ka bërë qeveria pjesë e së cilës është partia e tij, Ibraimi përmendi tre gjëra.
"Gjëja e parë që babai im do të kishte qenë i lumtur që do ta dëgjonte është nëse kemi pasur aferë të korrupsionit. Në këtë pjesë edhe ai do të ishte mburrur. As VLEN-i as Alternativa këtë kohë nuk kemi asnjë aferë korruptive. Politika shqiptare deri tash ka pasur shembuj të këqij, ndërsa VLEN ka sjellur standard të ri. Çështja e dytë është që për herë të parë ndodh që shteti të investojë në zhvillimin e komunave. Dhe e treta që mendoj është se babai im do të kishte qenë i lumtur është çështja e zyrtarizimit të medresesë. Ka qenë çështje shumë vjeçare dhe u ngritën shumë pyetje. Më vjen mirë që në këtë kohë edhe unë e kisha mundësinë edhe unë të kontribuojë në këtë arritje", tha Ibraimi.
Ndërsa sa i përket fondeve të Qeverisë për mbështetjen e komunave, ai tha se janë marrë parasysh disa kritere.
"Vendimi për shpërndarjen e fonde është marrë për kokë banori. Ky është kriteri i parë, pastaj është kriteri etnik që të mos ketë diskriminim. Pastaj vetë komunat janë të obliguara të realizojnë projekte me të cilat aplikojnë. Thuajse të gjitha projektet e komunave shqiptare janë miratuar. Edhe me të gjitha këto kritere, kemi dakordim me kryeministrin që ajo mos të shkojë nën 25 përqind për komunat shqiptare.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, ai tha se VLEN do të fitojë në të gjitha komunat ku garon.
"Kemi hyrë në garë që të fitojmë të gjitha komunat. Struga është komuna më lehtë e fitueshme dhe aty puna është gati e kryer. Edhe Kërçova është e fitueshme. Kemi gjasa reale, për fat të keq BDI ka bërë lojë jo të ndershme duke nxjerrë dy kandidatë, njërin të pavarur dhe njërin të varur. Gostivari do të ketë raund të dytë, kur të kalojmë në raundin e dytë, me votat e kandidatit të pavarur dhe votat e qytetarëve tjerë do të kemi sukses atje. Tetova më duket si puna e Strugës, pasi eksponentët e safit të parë të BDI-së u frikësuan të kandidojnë kundër Bilall Kasamit dhe sakrifikuan Bajram Rexhepin", tha Ibraimi, duke theksuar rezultat pozitiv edhe për komunat tjera të VLEN-it./Telegrafi/


